Presidenti i SHBA, Donald Trump, duke folur në konferencën e tij të përditshme në Shtëpinë e Bardhë, tha se do të dërgojë 100 milionë dollarë ndihma për Italinë, Spanjën dhe Francën, për t’i ndihmuar në luftën kundër COVID-19.

“Ne do të dërgojmë materiale në vlerë prej afro 100 milion dollarë, pajisje kirurgjikale, mjekësore dhe spitalore në Itali,” tha ai, duke shtuar se kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ishte “shumë, shumë i lumtur”.

Trump është kritikuar për një reagim të ngadaltë ndaj përhapjes së koronavirusit,  që tani po përhapet me ritme të shpejta në Shtetet e Bashkuara.

Spitalet në SHBA nuk ishin të përgatitur për shpërthimin e një pandemie të tillë, pasi kishte mungesë maskash dhe pajisjesh mjekësore, por Trump alokoi një shumë të madhe për të blerë të gjitha pajisjet mjekësore për spitalet.

Trump tha se në Itali do të dërgohen edhe respiratorë, por kjo do të ndodhë pasi SHBA të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet.

Presidenti i SHBA urdhëroi General Motors që të prodhojë aparatet e frymëmarrjes, por situatanuk do të jetë aspak e lehtë për gjigantin e automjeteve, pasi është kërkuar kërkuar që kompania të trajnojë punonjësit, të prokurojë furnizime dhe të respektojë udhëzimet e rrepta të prodhimit.

Trump tha se ndihmat do të shkojnë në këto tre shtete pasi kanë problemet të jashtëzakonshme.

“Ne do t’i dërgojmë ata në Itali. Ne do t’i dërgojmë ata në Francë. Ne do t’i dërgojmë ata në Spanjë, ku ata kanë probleme të jashtëzakonshme”, tha Trump .

Kujtojmë që Italia dhe Spanja janë shtetet me numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi.