E morët vesh, e kishin të gjithë portalet dhe gazetat; Ilva Tare iku nga Ylli Ndroqi dhe ka kap një punë te re, kuptohet drejtoreshë si gjithmonë; me rrogë të lartë fare.

Por ama bosi i ‘Ora News’ ka kap Sonila Meçon, i fotografuan duke ngrënë edhe darkë bashkë te Kalsbergu.

Po për Eni Vasilin e morët vesh?

Iku nga Irfani i ‘News 24’, që të bëjë një emision ‘bombë’ te Vjollca e ‘Top Channel’!

Por Fania është mjeshtër në këto punë; për kunj të ‘Topit’ riktheu Ylli Rakipin me gjithë emision dhe me gjithë Andi Bushatin brenda.

Nami po bëhet, në tregun e televizioneve.

Rudina Xhungën  desh ‘e bleu’ Fania, ajo rezistoi gjatë, por prapë ‘pazari’ hapur mbetet.

Mbaroi merkatoja e yjeve të futbollit, u mbyll edhe çudia e Ronaldos te Juventus, por nuk ndalet për qamet ajo e televizioneve të mëdha shqiptare.

Ka plasur sheshit pazari i ‘vipave’ televiziv; Endri Xhafo, Juli Krisafi, Denisa Pasho, Anduena Llabani … e të tjerë në bursë’.

Kjo është pak a shumë butaforia e një çmendurie verore, që kapur televizionet shqiptare. Në garë për të blerë të njëjtin ‘mall’ që ka mbirë në ekranet e shqiptarëve prej shumë vitesh.

Që u rritet pazari në proporcion të drejtë me ‘tangëllëkun’; me lidhjet që krijojnë me kryeministrin, ministrin, deputetin e radhës.

Së bashku me pronarët e radhës përhapin legjenda urbane, se pas këtyre shit-blerjeve, X TV po investon fortë, që të rrisë cilësinë e produktit. Por asnjëherë nuk thonë; Çfarë ndritën aty ku ishin më herët, për vite e radhë dhe si janë përdorur nga pronarët si lajmës te politikanët në pushtet, për punët e tyre që nuk kanë të bëjnë fare me informimin e publiku.

Nuk tregojnë kurrë rrogën që kanë, as të vjetrën dhe as të renë pas merkatos së fundit.

As dreka-darkat, pushimet e nderet që marrin nga pushteti, që natyrisht janë thërrime në krahasim me punët që mbarojnë për bosët e tyre.

Por mbi të gjitha nuk shfaqin për shqiptarët se çfarë bisedojnë, si sillen e jargaviten me pushtetarët e ftuar në studio në ato pauzat prapa skene, e jashtë tyre, ku nuk ka kamera e mikrofon live!

Prandaj një ditë të bukur kur shohin se si bosët e tyre po ‘i shfrytëzojnë’, i fusin dhe hapin edhe vetë një media të tyre personale.

Përveç Ylli Rakipit i cili funksionon si pronar i vetëm i vetvetes, gati të gjithë këta ‘vipa’ që u kanë mbirë në sy shqiptarëve, pasi kanë hapur nga një portal të tyrin, shkarkojnë aty gjithë frustrimin që mbledhin në darkë në TV-të e skllavopronarëve, nga të cilët nuk ndahen dot asnjëherë, gjithsesi.

Dhe ndërkohë që ndodh e gjithë kjo hipokrizi, reporterët me dinjitet deri në dhimbje të këtyre televizioneve, bletët e vërteta të informacionit që komentojnë me të ftuarit darkave këta ‘Vipa’, nuk i kap ky pazar gjigant me shifra marramendëse.

Ambarozia Meta, ajo vajza e thjeshtë modeste, reporterja që e bëri kryeministrin Rama të fliste me vete dhe t`ja mbathte me bisht ndër shalë, vazhdon të shfaqen me të njëjtin mikrofon në dorë; në diell e në shi, të informojë shqiptarët.

Ka dhjetëra e qindra si Ambrozia, që nuk i kap merkatoja luksoze e bosëve të Tv-ve shqiptarë… deri në ditën që do rezistojnë, për të mos shitur dinjitetin profesional dhe njerëzor. Shkrimi nuk ka për qëllim që të anatemojë gazetarët e tjerë dhe të lartësojë Ambrozian. Ndoshta dhe Ambrozia po të kishte qenë në ndonjë prej televizioneve nga u këputën ‘yjet e ekranit’ dhe ranë në prehrin e ‘kazanëve’ të reja mediatike, do të ishte menduar disa herë përpara se t’ia zgjaste më shumë se duhet liderit ‘global’.

Kriza e vërtetë e ekraneve nuk është mungesa e ‘Ambroziave’, drama e vërtetë e tyre është se pronarët e tyre nuk mund t’ia lejojnë vetes kurrësesi as 1 të qindtën e çiltërsisë dhe pavarësisë që Ambrozia Meta tregoi në përballje me Edi Ramën. Linçimi apo autolinçimi i ekraneve nuk mund ta zgjidhin milionat e paguara për gazetarë që tashmë janë formatuar të mos flasin, të nënshtrohen, apo akoma më keq të shërbejnë.

Afilacioni me CNN-in apo françajzingu i Euroneës nuk e shpëton dot dekadencën e medias në një ambient që vret lirinë, përçmon dinjitetin, nëpërkëmb profesionalizmin.

Prandaj e ashtuquajtur ‘Krizë e TV-ve’ për të cilën ankohen pronarët, nuk ka për tu zgjidhur kurrë duke shkëmbyer ‘kukullat’ e njëri tjetrit. Ajo që u mungon janë, ‘Ambroziat’, dhe bimë të tilla !

Pompimi i emrave të gazetarëve që nën hyqmin e pronarëve, kanë krijuar lidhjet nën-apo sipër tavoline me shtetarët aktual nuk zgjidh krizën e ekraneve, thjeshtë e tranferon atë nga një ekran i vjetër tek një i ri.

Kazan i ndryshëm, e njëjta gjellë në fund.

 

//SYRI.NET