Bashkëbisedimi i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi me gazetarët

Shqipëria ndodhet në moment kritik. Momenti kur unë ndava këtë situatë kritike me Kongresin, Senatin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit, mendoj ishte momenti më i veçantë për mua.

Sapo jam kthyer nga kjo vizitë pune në SHBA dhe dua të ndaj me ju, me qytetarët me opinionin publik jo vetëm informacione mbi vizitën, por edhe vlerësime, çfarë ndamë jo vetëm me partnerët amerikanë por edhe shqiptarët që jetojnë atje ngriten me shqetësim në takimet tona.

Natyrisht që kriza e rëndë politike ishte në qendër të gjitha takimeve që unë pata në Kongres, Senat, në Departamentin e Shtetit, por edhe me komunitetin shqiptar të cilët tashmë e shikojnë më një sy mjaft shqetësues vendin dhe Atdheun e tyre.

Ajo që është e rëndësishme dhe dua ta theksoj, situata politike, e gjithë Shqipëria, është ka vëmendjen e Washingtonit dhe kjo na bën ne të jemi optimist dhe të kemi besim se padyshim situata në të cilën ndodhet Shqipëria dhe zgjidhja që do ofrohet nga partnerët do jetë në funksion të interesave të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Ecja me rigorozitet në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, duke mos lejuar në asnjë moment kapjen e saj nga politika, është qëndrim i palëkundur që unë gjeta te të gjithë bashkëbiseduesit e mi amerikan.

Tashmë politika Amerikane ka një vëmendje të re, të shtuar e më të intensifikuar amerikane për Shqipërinë dhe rajonit në përgjithësi.

SHBA presin që Shqipëria të rimarrë rolin e saj si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, rol të cilin Shqipëria e ka luajtur më së miri në të shkuarën. Një tjetër lajm i mirë që dëshmon vëmendjen e madhe amerikane është dhe dëgjesa që do të bëhet shumë shpejt në Kongresin Amerikan për rajonin dhe Ballkanin.

Unë jam shumë e kënaqur që ndava me të gjithë bashkëbiseduesit e mi, që Shqipëria ka vetëm një të ardhme, Integrimin Europian.

Shqipëria si vend i NATO-s, mund ta përmbush procesin jetik të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke plotësuar të parin kusht mbi të gjitha kushtet e tjera, që është respektimi i demokracisë. Çdo lëkundje dhe tronditje, e vlerave themelore të demokracisë, ashtu sikurse po ndodh aktualisht në Shqipëri, është një largim nga ky objektiv madhor dhe ata që marrin përsipër të godasin themelet e demokracisë nuk e kanë integrimin Europian, objektivin e tyre, por u shërbejnë objektivave të kundërt me të.

Plotësimi i Gjykatës Kushtetutese edhe me anëtarin e gjashtë, që siguron funksionalitetin e plotë të saj është një proces që duhet mbyllur sa më parë dhe ne e mbështesim plotësisht atë. Një hap i rëndësishëm është hedhur me plotësimin e vakancave të realizuara deri tani, por nuk duhet humbur kohë për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi çështje të mëdha jetike për demokracinë presin gjykimin e saj.

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, është një garanci madhore në një sistem demokratik të brishtë si Shqipëria dhe është një motiv politik më shumë për opozitën e bashkuar dhe për kauzat që ajo ka ngritur por që nuk kanë marrë përgjigje.

Në takimet e shumta në Senatin dhe në Kongresin e SHBA, si dhe në Departamentin e Shtetit, krahas interesimit të tyre të jashtëzakonshëm unë pata mundësinë jo vetëm të ndaja shqetësimin për Krizën në Shqipëri por edhe të gjeja një vullnet dhe interesim të veçantë të niveleve më të larta të politikës amerikane për të ndihmuar në zgjidhjen e saj, dhe ky besoj është lajmi më i mirë që unë po u sjell shqiptarëve nga SHBA.

Njëkohësisht takimi që pata me komunitetin shqiptar në shtetin e Miçiganit në Detroit ishte një takim shumë i rëndësishëm ku shqiptarët ndjenin mungesën e komunimit me vendin dhe qeverinë e tyre duke filluar që me pajisjen e fëmijëve të lindur në SHBA me pashaporta shqiptare apo me rifreskimin e pashaportave shqiptare, mungesën me institucionet e shtetit shqiptar dhe ajo që i bënte shumë më të rëndësishme harresa nga shteti shqiptar. Ne nuk mund të kërkojmë investitorë Amerikanë kur nuk i japin shansin shqiptaro-amerikanëve për të ardhur dhe për të investuar në Shqipëri duke filluar me taksimin e dyfishtë dhe më pas duke iu munguar ajo që është shumë e rëndësishme hapja dhe mundësia e institucioneve shqiptare që ata të investojnë në Shqipëri. Monopolizimi dhe dhënia me koncesion apo dhe e oligarkëve të cilët kontrollojnë tregun në të gjitha drejtimet, i largon shqiptaro amerikanët për të investuar në Shqipëri. Krijimi i një infrastrukture për investimin e shqiptaro-amerikanëve do i krijonte mundësinë e investimeve shumë të tjera amerikane në Shqipëri. Pra një nga shqetësimet më të mëdha që ata ngrenin ishte përkrahja nga shteti, nga qeveria e Atdheut të tyre për të ardhur dhe për të investuar në Shqipëri dhe mungesa e lehtësirave që ata të vinin sa më shpejt. Po kështu në takimin që patëm me shqiptarët ishte dhe ideja e një super brain ku shqiptarët e Amerikës mund të përfshihen në qeverisjen dhe në ndërtimin e një politike për kalimin e kolapsit ekonomik që po kalon Shqipëria, të cilin do ta ndjejmë shumë shpejt në vitin e ardhshëm për situatën në të cilën gjendet ekonomia shqiptare .Aq më shumë kur Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për përfshirjen e të gjithë atyre shqiptareve të cilët kanë pasur sukses jo vetëm në ekonominë amerikanë por dhe në sistemin e drejtësisë amerikanë të cilët mund të ishin përfshirë por u larguan në mënyrë të qëllimshme nga mazhoranca dhe Rilindja që ata mos të përfshiheshin në ngritjen e sistemit të drejtësisë apo edhe për tu përfshirë në zgjedhjet e shumë institucioneve të drejtësisë të pavarura. Pra ndarja e këtyre diskutimeve ishte një informacion i jashtëzakonshëm jo vetëm për mua por për të gjithë delegacionin. Ndarja e shumë shqetësimeve që ata kishin, mungesa e informacionit apo dhe harresa nga qeveria shqiptare.

Pyetjet nga gazetarët

1.Opozita ka deklaruar se janë të gatshëm për zgjedhje të parakohshme ndërkohë që Kryeministri Rama ka deklaruar që nuk do të heqë dorë nga mandate i tij. Ditën e nesërme keni një takim me Presidentin Meta i cili së fundmi për retorikë ose jo është shprehur për shpërndarje të Parlamentit. A është kjo mundësia e vetme që i ka mbetur opozitës që të rikthehet në Parlament duke qenë se me protesta dhe me denoncime nuk ka arritur ta largojë Kryeministrin Rama?

Unë nuk mendoj që sot Shqipëria ka nevojë për emra të përveçëm, mendoj që sot Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje të krizës politike në të cilën ne gjendemi. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është një hap përpara zgjidhjes së këtij problemi sepse duke u ngritur Gjykata Kushtetuese, duke filluar funksionimi i saj do të jetë një garanci për opozitën. Mos të harrojmë që largimi i opozitës në shkurt nga Parlamenti dhe djegia e mandateve vinte edhe si rezultat i mungesës së Gjykatës Kushtetuese ku shumë problematika ose shumë shkelje, jo vetëm të Kushtetutës por edhe të të drejtave të njeriut që i janë bërë opozitës në Parlamentin Shqiptar nuk kishin më se ku të gjykoheshin. Kështu që, rifillimi I këtij institucioni do të krijonte hapësira shumë të reja. Jam e bindur që Z. Rama do të vazhdojë dhe do të luajë që për të gjitha veprimet që ka marrë tani mazhoranca është dakordësuar me partnerët strategjikë, SHBA-të dhe BE por unë dua të theksoj edhe një herë, SHBA-të kanë vetëm një qëndrim ndaj Shqipërisë, zbatimi i Kushtetutës dhe larg duart e partive politike nga sistemi i drejtësisë. Larg duart një herë e përgjithmonë të politikës nga sistemi i drejtësisë në mënyrë të tillë që pandëshkueshmëria të mos jetë më vlerë e qeverisjes dhe partive politike por pandëshkueshmëria të harrohet në Shqipëri dhe të ndëshkohen të gjithë ata që shkelin ligjet, Kushtetutën dhe janë të përfshirë në krimin e organizuar dhe në të gjithë proceset korruptive që kalon sot Shqipëria.

2.Znj. Kryemadhi, ka pasur një padi të Presidentit të Republikës ndaj Ardian Dvoranit. Cili është qëndrimi i LSI-së lidhur me këtë ngjarje dhe a besoni se Prokuroria, në këto kushte që ndodhemi është në gjendje që të hetojë me paanshmëri këtë padi?
Ajo që dua të theksoj, e thash edhe pak me parë, unë e kam bërë të qartë edhe ne intervistën time në Zërin e Amerikës, nuk jam një juriste që të diskutoj proceset ligjore por di të them diçka që në Kushtetutë janë shumë të qarta veprimet e Presidentit. Di të them edhe diçka tjetër që, katër kandidatë për katër vende ku kemi të njëjtët persona që kandidojnë në listat, vakancat për Gjykatën Kushtetuese ndërkohë nga ana tjetër dua të theksoj që shkelja e ligjit të Z. Dvorani përsa i përket shpalljes dhe publikimeve në Fletoren Zyrtare është një proces për të cilin ajo është një zgjedhje që ka bërë vetë Presidenti i Republikës për ta çuar më tutje por dua të theksoj që nuk janë të rastësishme të gjitha veprimet dhe kapjet që ka kërkuar të bëjë mazhoranca dhe sidomos Kryeministri Rama për sistemin e drejtësisë. Mosngritja e Gjykatës Kushtetuese prej më shumë se dy vitesh, bllokimi i ngritjes së KED-së në mënyrë të tillë që KED-ja të drejtohej nga një njeri i besuar nga Z. Rama dhe ne jemi shumë të qartë se çfarë ka ndodhur me KED-në sepse në fakt situata ekonomike dhe e gjithë kriza ekonomike që ka ndërtuar Z. Rama e ka bërë të pavëmendshëm opinionin publik ndaj kapjes dhe ndaj përdorimit të instrumenteve të ndryshme po themi shqiptare dhe anti shqiptare apo kombëtare dhe ndërkombëtare për kapjen e sistemit dhe të Reformës në Drejtësi. Ajo çfarë është e rëndësishme dhe që dua të theksoj, mospublikimi i dekreteve të Presidentit që është me ligj, në Fletoren Zyrtare dhe publikimi i një vendimi apo shpallje e kryetarit të KED-së që është e paligjshme, tregon hapur se si është përdorur dhe përdoret sistemi i drejtësisë për të cilët shqiptarët mezi e kanë pritur, për të cilët ndërkombëtarët kanë paguar fonde jashtëzakonisht të mëdha dhe tregon hapur që lidhja e Z. Dvorani dhe kapja e Z. Dvorani nga mazhoranca, duke filluar nga Kryeministri Rama, Ëngjëll Agaci e të gjithë me radhë, nuk kanë bërë gjë tjetër vetëm se kanë prodhuar këtë krizë politike në të cilën ne jemi sot. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, nuk është e thënë që Gjykata Kushtetuese nuk jeton dot pa Ardian Dvorani si Kryetar të KED-së dhe nëse ne mendojmë që duhet të sabotojmë të gjithë procesin e Reformës në Drejtësi që Z. Rama të zgjedhë kryetar të KED-së ose më shumë Ëngjëll Agaci të zgjedhë kryetar të KED-së Ardian Dvoranin unë nuk mendoj që kjo është sfidë e shqiptarëve. Sfida e shqiptarëve sot është integrimi në Bashkimin Evropian. Jo rastësisht gruaja e avokatit të Saimir Tahirit është drejtoresha e publikimeve dhe e printimeve të vendimeve në Fletoren Zyrtare. Pra ajo që dua të them është që, një sistem i kapur totalisht dhe është përdorur në mënyrën më intensive nga Kryeministri dhe grupet rreth tij, mendoj që i ka ardhur fundi dhe do të çmontohet çdo ditë. Ajo çfarë është shumë e rëndësishme është që ngritja dhe fillimi i punës së Gjykatës Kushtetutese ka dhënë një dritë jeshile për opozitën shqiptare, për opinionin publik shqiptar dhe për shumë të tjerë dhe shpresoj që mazhoranca të mos vazhdojë të bllokojë më ngritjen e Gjykatës së Lartë, mos të vazhdojë më të kërcënojë kandidatët që duan të kandidojnë në këtë proces dhe në këtë sistem të drejtë, do t’i kërkoja edhe Ministrisë së Arsimit që të fillonte dhe të bënin akreditimet ose njohjen e diplomave të shumë shqiptaro-amerikanëve të cilët kanë mbaruar në universiteteve më prestigjoze por për fatin tonë të keq Ministria e Arsimit nuk ua ka njohur diplomat shqiptarëve që janë shkolluar në SHBA-të për shkak se ndërhyrja e tyre ose zgjedhja e tyre në sistemin e drejtësisë nuk do të ndikonte dhe nuk do të kishte ndikimin e grupit të afërt të juristëve të famshëm në katror të Z. Rama dhe të gjithë grupeve të tyre të interesit.

3.Mini-Shengeni Ballkani,nisma e Kryeministrit Rama, Vuçic dhe Zaev. Është thënë dhe ka një frikë që mund të sjellë ndikimin rus në Ballkan. Kur opozita e sotme të vijë në pushtet do të ketë një nismë për zhbërjen e mini-shengenit ballkanik dhe duke qenë se jemi te Kosova si janë marrëdhëniet tuaja me z.Kurti dhe znj.Osmani si bashkëdrejtues të qeverisë së re?

Unë mendoj që duhet të jemi transparent në të gjitha marrëveshjet që nënshkruajmë. Shqipëria ka qenë një faktor stabiliteti në rajon dhe ka qenë një nga partneret më të konsoliduar për SHBA, NATO dhe BE për menaxhimin e konflikteve në rajon që është një nga rajonet më të ndezura mund të themi ose që janë konsideruar historikisht në politikën e jashtme si fuçi baruti. Jemi shumë dakord për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe lëvizjen e mallrave, e cila duhet të jetë nga të dyja anët pra mos të na vijë vetëm mielli dhe qumështi serb në Shqipëri por anasjellas edhe prodhimet shqiptarë të shkojnë drejt Serbisë apo dhe drejt vendeve të tjera. Jo siç ndodh që domatet e shqiptarëve kalben dhe hidhen nëpër kanale sepse politikat doganore që janë ndjekur kanë qenë në disfavor të shqiptarëve dhe nga ana tjetër të gjitha produktet serbe kalojnë po themi pa asnjë lloj kontrolli dhe shumë gjëra të tjera. Jemi shumë dakord për lëvizjen e mallrave pa dogana, për lëvizjen e lirë njerëzve por kjo duhet të jetë reciproke dhe transparentë për shqiptarët. Sepse në fund të fundit ne jemi një rajon që duhet të jetojmë dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, për paqen dhe integrimin e këtij rajoni në BE. Përsa i përket anës tjetër dua të them që përderisa Shqipëria aspiron për të qenë anëtare e BE, çdolloj nisme tjetër duhet të jetë e rakorduar me partnerët tanë strategjik siç janë BE por mbi të gjitha SHBA ku mos të harrojmë që SHBA kanë jo vetëm partnerët tanë strategjik por kanë qenë dhe ata që kanë drejtuar në njëfarë mënyre dhe kanë bashkëpunuar ngushtas me qeveritë shqiptarë që mbas përmbysjes së regjimit komunist drejt integrimit të Shqipërisë për të qenë anëtare me të drejta të plota në NATO, por edhe për të qenë anëtarë të denjë të BE. Ndërsa përsa i përket për z.Kurti dhe znj.Osmani nuk kam ndonjë takim me ta, nuk është se mendoj që sot për sot pas ngritjes së qeverisë së tyre, nuk është po themi një gjë e jashtëzakonshme. Unë uroj që Kosova të vazhdojë në rrugën e saj të integrimit europian, të vazhdojë në rrugën e saj të ngritjes së institucioneve dhe të jetë sa më larg ndikimeve antishqiptare dhe anti-interesave të partnerëve tanë strategjikë që janë SHBA dhe BE. Kjo do të ishte një nga sfidat për Kosovën dhe drejt zgjidhjes përfundimtare, në një bashkëbisedim transparent dhe të hapur me Serbinë për njohjen e Kosovës dhe për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë një konflikt të cilin dashje pas dashje politika shqiptare dashje pa dashje kohët e fundit i ka hedhur benzinë zjarrit. Unë mendoj që qeveria e re e Kosovës do të sjellë një realitet të ri për Kosovën por edhe për Shqipërinë dhe për të gjithë faktorin shqiptar në rajon.

4.Kur folët për mini-shengenin ballkanik një nga shembujt që morët ishte çështja e fermerëve. Bujqësia zë 22% të GDP dhe fermerët ndihen të lënë në harresë. Keni një paketë sesi nuk do të hidhen më produktet?
Sigurisht që kemi një paketë konkrete, ne kemi bërë atë që sot z.Basha po bën sot me fermerët. Turin e kemi bërë para disa muajsh dhe në fakt jemi në një rakordim të plotë për të hartuar një program të përbashkët përsa i përket fermerëve. Edhe në propozimet e z.Basha, jemi në të njëjtën pikë që kemi thënë, një subvencion prej 100 milionë eurosh për Bujqësinë. Mos të harrojmë që bujqësia është një nga fushat më të vështira që ka sot Shqipëria. 52% e popullsisë shqiptare jetojnë me bujqësinë, ku 22% e PBB është bujqësia. Nuk mund të ketë një bujqësi që konkurron nëse nuk ka subvencion mbështetje nga shteti. Të njëjtin problem dhe në disa bashkëbisedime që kemi pasur me ekspertë të disa institucioneve që kishim dhe ishin disa shtete që kishim në një roundtable të cilën ne nuk e kemi bërë publike ku kemi diskutuar për këtë situatë. SHBA por dhe institucione të tjera ndërkombëtare janë të prirura për të investuar në zhvillimin e bujqësisë dhe aq më shumë Shqipëria, një vend i vogël që nuk përballon dot vendet e mëdha që prodhojnë në masivitet ose me produkte të modifikuara gjenetike, Shqipëria mund të konkurrojë në tregun europian me produktet e saj bio pa pesticide, organike dhe jashtëzakonisht të shëndetshme. Në sasi më të vogla por në cilësi shumë më të mirë dhe në çmime shumë më të lira. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse shteti bën politika denigruese ku favorizon importin pra ku shqiptarëve ju tregtohet një produkt importi dhe ndërkohë kalben produktet shqiptare edhe pse mund të jenë më të shëndetshme dhe më të shijshme, sigurisht që do të jetë shumë me e vështire. Apo mollët në zonën e Korçës që po i bëjmë të rinjtë dembelë sepse edhe pse ata po investojnë dhe punojnë, produktet e tyre nuk shiten prapë. Ne kemi qenë të gatshëm dhe në një program të përbashkët që do të hartojmë me të gjithë partitë e tjera por duke mos harruar që ne si LSI e kemi pasur prioritet bujqësinë sepse edhe vetë gjatë kohës që është drejtuar Ministria e Bujqësisë nga LSI ka pasur probleme por në buxhetin e shtetit nëpërmjet bujqësisë janë arkëtuar +50 milionë euro. Sot jo vetëm që nuk arkëtohen, por është minus.

5.Po vazhdoj pak te bujqësia dhe dua të dal pak tek dy pyetje të tjera. Siç e dimë ka një rrjedhje të jashtëzakonshme të popullsisë e cila dyndet të iki jashtë. Një fenomen i tillë ka prekur edhe fqinjët siç janë Greqia, ku prodhimet bujqësore tashmë kalben në pemë. A mendoni se ky problem mund të ndodhë edhe këtu?

Po nëse qeveria shqiptare ka prioritet se si të krijojë konflikt në rajon dhe nuk ka prioritet se si të shesë produktet shqiptare, sigurisht që do të kalben produktet dhe prodhimet shqiptare. Unë mendoj që ajo çfarë është shumë e rëndësishme sot për Shqipërinë dhe shqiptarët është krijimi dhe shpalosja e një mundësie sa më shpejt të cilën ne kemi filluar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, në mënyrë të tillë që shqiptarët të kenë mundësinë e implementimit të prodhimeve të tyre sa më shpejt dhe të konkurrojnë në tregun Evropian me produktet shqiptare si produkte organike dhe produkte në cilësi shumë më të mira se shumë vende të tjera. Mungesa e vëmendjes nga qeverisja për një kohë shumë të gjatë me thënë të drejtën, unë nuk mund të marr dot përsipër të flas shumë përsa i përket atij kalvari vuajtjesh që ka kaluar Z. Panariti kur ka qenë Ministër Bujqësie dhe debateve që janë bërë në qeverinë e asaj kohe se si buxheti për subvencionet e bujqësisë hiqej nga subvencioni i fermerëve dhe kalohej për të bërë fasada. Vetëm Ministrinë e Mjedisit dhe të Integrimit shikojini se sa ua ka ndërruar ambientet Kryeministri dhe sa herë ua ka ndërruar pllakat dhe fasadat ministrive. Pra, heqja e subvencioneve ndaj bujqësisë dhe kalimi I tyre për fasada godinash dhe për vendosjen e objekteve sipas shijes së Kryeministrit të veprave të artit të tij në godina shtetërore, mendoj se është shumë e rëndësishme subvencioni drejt atyre. Ne jemi të qartë në atë politikë që do të ndjekim dhe do të vazhdojmë që të ecim drejt kësaj politike dhe mendojmë që fuqizimi I bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare do të jenë shumë të rëndësishme për kalimin e një situate krize. Mos të harrojmë që sot qeveria shqiptare ka një borxh jashtëzakonisht të madh nga doganat dhe tatimet që deri në fund të vitit do të shkojë rreth 100 milion euro. Mos të harrojmë edhe për ligjin antikushtetues dhe korruptiv të dividentit ku ai mbuloi një borxh përsa i përket momentit që vinte si rezultat i të ardhurave nga tatimet, e krijoi këtë me një ligj antikushtetues siç ishte ai i dividentit ku faljen më të madhe ua bëri kompanive më të mëdha të cilat janë kompani që kanë pasur mundësinë e përfitimit dhe mos shpërndarjen e dividentit… ky është një debat tjetër që ne duhet ta hapim. Janë disa gjëra të cilat kanë krijuar dhe tashmë pak nga pak të gjitha këto do të fillojnë dhe do të dalin, do të njihen me publikun por nuk mendoj se thjeshtë është tek denoncimi sepse tashmë denoncimi e mbaroi fazën e saj, tashmë ne duhet të ndërtojmë politikën tonë të daljes së Shqipërisë nga kriza dhe ndërtimin e një ekonomie të barabartë për të gjithë shqiptarët.

6. Folët për kapje të institucioneve nga z. Edi Rama dhe mazhoranca, siç bëhet fjalë për gjyqësorin. Pyetja konkrete është, cilat janë mekanizmat konkretë që ka opozita për ta ndaluar këtë kapje që po vazhdon? Si do e ndaloni? Është bërë një premtim prishja e ‘Teatrit Kombëtarë’. Ça do bëhet edhe me këtë?

Besoj që Rama nuk do e ketë shansin për të vajtur drejt prishjes së Teatrit Kombëtar. Tentoi diku drejt fundit të korrikut por e di shumë mirë se cila ishte arsyeja që nuk e ccoi procesin e tij deri në fund. Nuk jam këtu për ta thënë por ai e di më mirë pse nuk arriti dot ta prishte. Dhe ashtu siç nuk u prish Teatri Kombëtar, ashtu nuk do vazhdojë dot më të kapë institucionet e tjera. Vërtetë opozita nuk ka asnjë mekanizëm për ta ndaluar Ramën sepse opozita përderisa u detyrua të djegë mandatet, erdhi si rezultat i bejsbollit kushtetues që bëri Rama duke përdorur grupe të caktuara kombëtare dhe ndërkombëtare për të izoluar dhe për të nxjerrë jashtë loje opozitën. Për të instaluar një sistem në thonjëza demokratik por në të vërtet ishte autokratik ku jepte instalimin e një diktature por që vinte si rezultat i një financimi nëpërmjet parave që vinin nga trafiku i drogës, nga sisteme të tjera kriminale. Por shumë shpejt ky komplot kriminal do fillojë të çmontohet dhe hapja dhe ngritja e Gjykatës Kushtetuese është hapi i parë. Çmontimi i këtij ngërçi politik dhe institucional që z.Rama ka krijuar por që sigurisht dhe opozita do të vazhdojë punën e saj të informimit, të gjithë partnerëve dashamirës të Shqipërisë, përsa i përket kapjes së drejtësisë nga z.Rama, është një fazë e dytë. Pak nga pak ky grusht shteti mund të themi, që ka bërë Rama me ndihmën e individëve të caktuar, disa nga padia, disa nga shantazhi, disa të tjerë dhe nga korrupsioni, sigurisht që ka qenë e vështirë, nuk ka qenë e lehtë. Mos të harrojmë që Shqipëria është një vend i vogël dhe përballë interesave të tjera të qarqeve antishqiptare në rajon, është shumë e vogël. Por falë Zotit ka akoma njerëz që e duan Shqipërinë dhe mendojnë që Shqipëria është një vend Europian dhe vendin e saj e ka në BE.

7 .Znj. Kryemadhi duam një mendim tuajin për një zhvillim që sapo ka ndodhur. Atëherë, kemi një letër të Presidentit të vendit, z. Ilir Meta të dërguar eprorëve të z. Boschard ku i thotë se ky i fundit vuri në diskutim dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet vendore dhe që publikisht i tregoi qytetarëve gishtin dhe nuk është i mirëpritur në institucionet e presidencës…

Unë mendoj që z, Boschard mund të kishte kandiduar për Gjykatën Kushtetuese sepse përderisa mori vendim për dekretet e presidentit,Engjëll Agaci mund ta kandidonte shumë mirë në Gjykatën Kushtetuese. Mund të kishte qenë një nga kandidatët e tij dhe mund të kishte qenë edhe në vakancat e Kuvendit të cilat, çuditërisht Kuvendi që i ka 122 vota, priti afatin e fundit për ta miratuar dhe e miratoi në mënyrë të paligjshme dy kandidatë për Gjykatë Kushtetuese. Për sa i përket pastaj gishtit të mesit, unë kush i nxjerr gishtin e mesit apo kush fyen shqiptarët, ta marrë mbrapshtë për veten e tij apo për ata që përfaqëson ai. Nuk kam asnjë lloj komenti për të. Mendoj që individ të tillë, të cilët fyejnë integritetin e shqiptarëve, pavarësisht se kjo ka ardhur si rezultat i një klase politike të papërgjegjshme. Dhe prandaj jemi dhe këtu sot sepse kemi vlerësuar më shumë individë që nuk kanë asnjë lloj merite, asnjë lloj vlere në vendin e tyre më shumë se sa integritetin dhe dinjitetin e njerëzve tanë, akademikëve tanë, të qytetarëve tanë. Atyre njerëzve që kanë shumë më shumë për të dhënë seç i kemi dhënë ne dhe ndjenja e inferioritetit që ne kemi treguar herë pas here ndaj individëve të tillë, lejon që të marrin guximin për të bërë një fyerje të tillë që kalon çdo lloj norme njerëzore. Çfarëdo justifikimi të gjejë kushdo që është në krah të një veprimi të tillë, unë do të thoja që çdo njeri ka mënyrën e vetë për të shprehur protestën. Si një diplomat mund ti drejtohej ministrisë së jashtme sepse mos harroni që provokimi vinte në radhë të parë nga zotëria në fjalë duke kaluar mes për mes një turme me gra të revoltuara që i’u kishin arrestuar në mënyrë të padrejtë fëmijët dhe burrat e tyre se mbronin shtëpitë. Mos harrojmë që kemi një projekt i cili është ndërtuar mbi një firmë false tw njw sekretari shteti të Delaware dhe përveç kësaj mos harrojmë që kemi një tender të bllokuar nga prokuroria e shtetit por ndërkohë që nën presion prokuroria e shtetit me Vetting mbahet nën presion për të mos hetuar dhe për të mos thirrur asnjë nga shkaktarët e një tenderi dhe mos të harrojmë që në asnjë vend të botës dhe në botën më të zhvilluar hapnin sytë çdo amerikan që ne flisnim dhe i thoshim që 1 km e një rruge të ndërtuar kushton 20 milion euro në Shqipëri, thanë edhe në hënë po të ndërtosh një rrugë të tillë nuk kushton aq shumë. Kështu që janë të gjitha proceset që lidhen me njëra tjetrën të cilat në backstage të tyre kanë korrupsionin. Nëse s’kanë korrupsionin kanë shantazhin që nënshtrohet ndaj diplomatëve. Ata që s’kanë shantazhin kanë injorancën ose padijen e tyre ose urrejtjen që mund të kenë për popullin shqiptar.

8.Në një intervistë të fundit Presidenti Meta ju ka quajtur shkaktarë të situatës politike në vend ju dhe Z. Basha, a keni një përgjigje?

Ky është një këndvështrim që ka Z. Meta, mos të harrojmë që edhe Z. Meta është shkaktar i kësaj situate sepse zgjedhje e Edi Ramës si Kryeministër në 2013-ën, pa kushte duke filluar që të Ministria e Brendshme e cila u kap nga grupet kriminale dhe që nuk u fol dhe nuk u denoncua nga LSI-ja deri në 2015-ën dhe më pas u denoncua më vonë nga deputetë të LSI-së dhe ish ministra të saj. Më pas vazhdon me Z. Meta të cilin edhe pse i’u garantoi SHBA-ve duke filluar që nga Ambasadori Broënfield edhe Ambasadori Donald Lu që asnjëherë nuk e besonte që votat e LSI-së do të ishin në favor të Reformës në Drejtësi dhe duke i’a lënë përsëri me modestinë e tij të tepruar dhe të ekzagjeruar që të kapte Ëngjëll Agaci me grupet e tij kriminale, duke vazhduar me zyrat e avokatisë dhe me të gjitha institucionet e tjera, sistemin e drejtësisë, sot kemi këtë shtet autokratik që ka ndërtuar Edi Rama. Ajo që është shumë e rëndësishme është që tashmë të gjithë jemi në një vjë të drejtë me partnerët tanë strategjikë për të zgjidhur krizën politike, për të ecur përpara drejt miratimit të Reformës në Drejtësi më përfshirjen e të gjithë partnerëve dhe të gjithë klasës politike bashkë me grupet e interesit dhe implementimit të kësaj reforme do të ishte shumë e rëndësishme për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja, të lira dhe të ndershme ku vota e shqiptarëve mos të ndryshohet, mos të intimidohet dhe mos të deformohet gatë rrugës. Janë shumë të rëndësishme kushtet e Bundestagut që tashmë janë një road map i jashtëzakonshëm jo vetëm për opozitën por janë një road map edhe për mazhorancën, edhe për faktorin ndërkombëtar që jeton dhe punon në Shqipëri për të ecur dhe për t’i dhënë një zgjidhje të menjëhershme krizës politike në mënyrë të tillë që në mbledhjen e ardhshme të Ministrave të Jashtëm të Bashkimin e Evropian, Shqipëria të marrë një ‘po’, qoftë edhe me kushte për të vazhduar drejtë asaj që është shumë e rëndësishme. Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është hapi i parë, miratimi i Reformës Zgjedhore me të gjithë partnerët politikë është hapi i dytë dhe implementimi i saj është hapi i tretë dhe më pas për të vajtur drejtë ndëshkueshmërisë së prokurorëve, gjyqtarëve të korruptuar, luftës kundër korrupsionit, bandave dhe krimit të organizuar të cilët kanë kapur sot jetën politike shqiptare.

9. Nesër pritet të mblidhet tryeza për Reformën Zgjedhore. Do të jetë pjesë opozita e kësaj tryeze?

Ne kemi marrë pjesë dhe në tryezat e mëparshme, do të marrim pjesë përsëri. Opozita është e vetmja e interesuar që kërkon që kjo Reformë të miratohet menjëherë sepse miratimi i kësaj reforme do të krijonte implementimin e saj që do të thotë zgjedhje të reja. Reforma zgjedhore do të kryhet ashtu si SHBA, edhe Bundestagu por edhe BE e kërkojnë të domosdoshme dhe e kanë një nga pikat e tyre kryesore. Mos të harrojmë që opozita ka mbledhur ekspertët e saj më të mirë, ka ecur përpara me propozime të tjera që vijnë jo vetëm për rekomandimet e OSBE-ODHIRI-t por përbën edhe një analizim të thjeshtë të të gjitha problematikave që kanë ngritur sistemi zgjedhor. Propozimet e opozitës dhe disa drafte, ne kemi bashkëpunuar dhe me partnerë të tjerë ndërkombëtarë siç është instituti demokratik Amerikan, ku kemi punuar për transparencën dhe financimet e partive politike. Kemi bërë dhe një draft të cilin e kemi hartuar dhe po negociojmë dhe me ekspertë ndërkombëtarë në mënyrë të tillë që ky draft të jetë sa më i plotë dhe funksional jo vetëm për partitë politike por dhe për kandidatët. Sepse në fund të fundit, kandidatët janë ata që bëjnë në total fushatat elektorale të partive politike të cilat në këto 30 vjet asnjëherë kandidatët nuk kanë deklaruar financimet e tyre. Por deklarohen vetëm financimet e partive politike. Ajo që të bën përshtypje, mjafton të hyni në faqen e KQZ, do të shikoni që e vetmja parti politike që deklaron me emër mbiemër dhe me kartë identiteti donacionet dhe të gjithë kontributet në parti politike është LSI. Ndërsa PS thotë vetëm person fizik ose person juridik, pa emër pa mbiemër dhe pa kartë identiteti. Po të bëjmë një investigim dhe të masim metrat katrorë, të printuara ta banerave të PS dhe të zyrave elektorale të PS apo dhe të kandidatëve të PS sigurisht që fatura do të jetë shumë më e madhe dhe do ia kalonte dhe buxhetit të shtetit

10.Presidenti Meta foli për ndërkombëtarët e korruptuar, ndërkohë që Rama vazhdimisht flet për një partneritet me ndërkombëtarët. Ju folët pak më parë që ata janë keq informuar deri në këto momente. Meqë ju vini nga takime shumë të frytshme, a janë të qartë ndërkombëtarët për situatën në Shqipëri?

Ndërkombëtarët janë shumë të qartë, sigurisht që janë keq informuar, sigurisht që kanë pasur një terr informativ për atë që ka ndodh por ndërkombëtarët nuk do të bëhen kurrë palë me asnjë njeri që shkel Kushtetutën dhe ligjin. Ata janë vetëm, sidomos partnerët tanë amerikan, për zbatimin e Kushtetutës, zbatimin e ligjit me rigorozitet të plotë dhe larg duart e politikës nga sistemi në drejtësi. Prandaj amerikanët janë investuar totalisht, jo vetëm ata por dhe BE për të pasur një sistem drejtësie të pavarur nga politika. Sepse vetëm me një sistem drejtësie të pavarur nga politika ne do të krijojmë garancinë për investitorët e juaj për të ardhur në Shqipëri. Ardhja e investitorëve të huaja në Shqipëria do të krijonte vende të reja pune për shqiptarët dhe garancinë për qëndrimin e shqiptarëve në Shqipëri. Mendojmë që kjo është kryesore dhe thelbësore. Nëse nuk e kuptojmë këtë nuk kemi për të kuptuar asgjë dhe nuk do të ngelet gjë tjetër veçse do të plotësojmë dëshirën e Edi Ramës dhe të oligarkëve shqiptarë për të larguar shqiptarët që kanë sy vesh dhe votë për të votuar dhe për të sjellë skllevër nga endet e tjera në mënyrë të tillë që as nuk kanë vesh, as nuk kanë gojë të flasin dhe as nuk votojnë. Kjo është nga shqetësimet kryesore qe kanë sot partnerët dashamirës të Shqipërisë. Ka të tjerë që thonë jemi dashamirës por që kanë interesat e tyre për ta shkatërruar këtë vend dhe për ta kthyer në një skllavëri moderne të vendeve të tyre.