Monika Kryemadhi: Vota e 21 Dhjetorit ishte faqja më e errët në historinë e politikës së jashtme të kësaj qeverie

Fjala në Kuvend e Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi

 Iniciativa e sotme për t’i prezantuar këtij Kuvendi një Projekt-Rezolutë reflektuese përsa i përket lajthitjes së pafalshme diplomatike në raport me bashkimin e pashpjegueshëm të qëndrimit të Shqipërisë kundër interesave dhe deklaratës së Presidentit të SHBA Donald Trump për vendosjen e ambasadës së vendit të tij në Jeruzalem, është një hap i duhur në drejtim me raportet tona historike dhe diplomatike me partnerin më të rëndësishëm për interesat strategjike të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në mbarë rajonin e kudo ku ata jetojnë. Në fakt, nuk duhet të kishim ardhur në këtë pikë dhe as nuk duhet të ishim bërë pjesë e kësaj vote anti-amerikane, pasi vendimi i Presidentit Trump për këtë çështje përfaqëson qëndrimin Sovran të popullit amerikan dhe institucioneve të tij të zgjedhura, Kongresi, Senati, administrata dhe Presidenti. Argumentat që kjo mazhorancë përdori për të fshehur qëllimin e vërtet, pas këtij qëndrimi dhe votimi, as nuk qëndrojnë dhe as nuk mund të bindin dot njeri, dhe aq më pak administratën amerikane. Argumentin se Shqipëria ndoqi qëndrimin e Bashkimit Europian, si një pjesë e detyrimit në kuadër të procesit të integrimit europian është vetëm një mashtrim politik. Vendet e asociuara apo kandidate për në BE kanë vetëm një detyrim në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së Unionit. Që kur ky qëndrim është unik nga të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe anëtare, ne duhet të ishim të detyruar, (por jo të arsyetuar), për të mbajtur qëndrimin e papërgjegjshëm të Kryeministrit të gënjeshtrës. Në rastet kur BE nuk ka një qëndrim unik, çdo vend është i lirë që të mbajë qëndrimin e tij. Kjo do të thotë se asnjë shtërngim nga partnerët europianë nuk kishte Edi Rama dhe mazhoranca e tij e kapur nga krimi, që të votonte kundër interesave të SHBA, dhe për më tepër për një vote që nuk është aspak obliguese. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë që Edi Rama e ka shkelur me këmbë përcakton qartë rolin dhe detyrimin e Shqipërisë si shteti amë për të mbrojtur, promovuar dhe zhvilluar interesat e shqiptarëve kudo në botë.

E pra të nderuar kolegë, reagimet e shqiptarëve në Shqipëri i dëgjuam qartë se ç’mendojnë dhe ç’qëndrim kanë për veprimin e çartur të Edi Ramës. Qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve të saj përsëri i dëgjuam qartë. Qëndrimet e shqiptarëve të Maqedonisë përsëri  i dëgjuam qartë. Qëndrimet e shqiptarëve në Mal të Zi përsëri i dëgjuam qartë. Qëndrimet e Shqiptarëve në Serbi përsëri i dëgjuam qartë. Dhe besoj se dëgjuam akoma edhe më qartë këto ditë qëndrimin e shqiptarëve të diasporës në SHBA, asaj diaspore që Edi Rama u bën thirrje patriotike të mbështesin Shqipërinë, por që me këtë veprim u uli kokën përpara bashkëqytetarëve të tyre amerikane.

Kryeministri ynë që nuk lë rast pa na treguar sesa i ditur e erudit është, sesa shumë i referohet Ismail Qemalit, Konicës, Nolit e atdhetarëve të tjerë, s’është gjw tjetwr veccse një bylmez me demenca historike, politike dhe diplomatike, pasi përpara se t’i kundërvihej SHBA dhe Presidentit Trump, qëndrimin ndaj të cilit në mënyrë të pacipë dhe të turpshme e bëri edhe gjatë fushatës elektorale në SHBA, duhet të kishte kujtuar sesa shumë i detyrohen shqiptarët Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe udhëheqësve të këtij vendi të madh. Edi Rama duhet të kishte kujtuar Presidentin Willson dhe platformën e tij në Konferencën e Paqes, ku sanksionoi të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje në një kohë që ishte pranë copëtimit dhe ndarjes mes fuqive ballkanike të kohës. Edi Rama duhet të kishte kujtuar qëndrimin e Presidentit Klinton dhe çlirimin e Kosovës nga okupimi  në prag të shfarosjes së gjysmës së trungut shqiptar.

Edi Rama duhet të kishte kujtuar Presidentin Bush dhe anëtarësimin e Shqipërisë në alencën më të madhe të lirisë dhe demokracisë në botë, NATO. Prandaj qëndrimi i Edi Ramës ka qënë i kushtëzuar nga tutorët e tij dhe aspak nga interesi kombëtar. Ka një shprehje në gjuhën angleze që thotë “a friend in need, is a friend indeed” që do të thotë: “një mik që të gjendet në nevojë është një mik i vërtetë”. SHBA ka provuar të jetë e tillë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Edhe Shqipëria dhe shqiptarët kanë qënë përherë mirënjohës dhe janë përpjekur të demostrojnë këtë mirënjohje në çdo kohë.

Po të kishte pritur Presidenti Klinton sa të merrte leje nga Kombet e Bashkuara për të ndaluar shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, sot asnjë shqiptar nuk do të jetonte në Kosovë. Edhe Presidenti Bush, i cili shpalli Pavarësinë e Kosovës nga Tirana, po të kishte pritur qëndrimin e unifikuar të Bashkimit Europian, as sot nuk do të kishim një Kosovë të Pavarur dhe nuk do t’i festonim asaj 10-vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm udhëhoqën me vendosmëri sulmin, fushatën, shpëtimin dhe çlirimin e Kosovës, jo vetëm e shpallën Pavarësinë e saj dhe e njohën të parët, por dhe e kanë udhëhequr me vendosmëri të gjithë fushatën për njohjen e Kosovës, dhe një ditë para votës në OKB, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB deklaroi me krenari se bashkëshorti i saj është shqiptar, dhe se SHBA po përpiqen që Kosova të marrë njohjen e të gjitha vendeve në OKB dhe do ta vazhdojë ta bëjë këtë deri në fund. Vota e 21 Dhjetorit ishte faqja më e errët në historinë e politikës së jashtme të kësaj qeverie. Kjo nuk është as një votë as për parimet universale të OKB-së, për të cilat përlotet aq shumë Edi Rama, as një votë adhurimi për Bashkimin Europian, por është një votë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është një votë kundër interesave mbarëkombëtare shqiptare, si dhe shumë veprime të tjera antikombëtare që ai ka kryer për Shqipërinë, siç janë projekti i shndërrimit të Shqipërisë në Republikën e drogës, projekti aktual për shndërrimin e Shqipërisë në varrezën më të rrezikshme të mbetjeve europiane, apo dhe akoma më rëndë në projektin nxitës dhe mbështetës për largimin e intelektualëve dhe të rinjve shqiptarë nga Shqipëria. Ju do t’a votoni kundër këtë rezolutë që ka propozuar opozita dhe në fakt kjo është vota e dytë kundër, që ju keni ndaj SHBA-së dhe Shqipërisë.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al