Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët që kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Ramazanit duke e konsideruar Fiter Bajramin si përcjellës të mesazhit të natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive.

Meta shkruan se lutjet e tij janë me jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë.

Reagimi i plotë:

GËZUAR FITËR BAJRAMIN!

Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor. Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat.

Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive. Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”.

Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë. Zoti ua pranoftë agjerimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit! Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi! Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen.