Ka përfunduar ditën e djeshme kampingu i përvitshëm i të rinjve të LRI-së në Gjirin e Jalit. Pesë ditë të mbushura me seminare, aktivitete, lojëra, surpriza dhe punë karakterizuan edhe këtë vit traditën e kampingut. Dita e parë nuk mund të niste ndryshe veçse me pastrimin e gjirit të Jalit nga të rinjtë e LRI.

Kampistët u trajnuan për 4 ditë me radhë në tema të ndryshme nga personalitete të njohura në jetën politike dhe sociale. Profesori , politikani dhe historiani Paskal Milo, Zv.Kryetari i LSI, Luan Rama, ish deputetët e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Nora Malaj, Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Celaj, blogeri Olti Curri dhe ish-deputetja e PD-së, Grida Duma mbajtën seminare me të rinjtë duke trajtuar tema nga fusha të ndryshme të aktualitetit në vend. Gjithashtu të pranishëm në kamp ishin Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili dhe Kryetari i LSI-së Fier Arben Cuko.

Harmonia, puna në grup, solidariteti, energjia pozivitive dhe forca e ekipit mes të rinjve të LRI pushtuan gjirin e Jalit duke bërë që çdo ditë të ishte ndryshe dhe e veçantë.  Nuk harruan të pasqyronin edhe realitetin e vështirë në Shqipëri, pengesat që hasin çdo ditë të rinjtë me anë të videove dhe krijimeve të ndryshme.

“LRI është një shtyllë e fortë e LSI, por të rinjtë kanë nevojë për më shumë mundësi në mënyrë që t’i ofrojnë vendit idetë, energjitë dhe pasionin e tyre për një Shqipëri më të mirë”, u shpreh Nënkryetari i LRI-së Klevi Pojana në një prononcim ditën e tretë të kampit.

Nuk munguan të qeshurat dhe entuziazmi nga surprizat e përgatitura në aktivitetet e darkës. Ajo çfarë ngriti zemrat peshë të të gjithë kampistëve ishte fjalimi i Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.

“Unë gjithmonë kam qenë organizatore e kampit. LSI është shtuar këtë vit vetëm me vajza dhe është një gjë e mirë se thonë që është bereqet. LSI hyri si një forcë politike që theu monopolin e dy partive të mëdha. Le të jetë kjo javë e kampit të Jalës java e hapjes së aktiviteteve për 15 vjetorin e LSI sepse me 6 shtator LSI bëhet 15 vjeç.

Historiku i LSI është një histori e cila shumë prej nesh kanë kaluar vitet më të bukura të jetës, kemi kaluar momentet tona më të rëndësishme, por kemi kaluar edhe sfidat më të vështira. Sfidat janë ato që të rrisin e të forcojnë për të ecur përpara. Jemi rrëzuar e jemi ngritur. Mos i merrni shumë seriozisht lojërat politike që bëjmë ne këtu. Mos i shihni për të qenë lider menjëherë, lider është ai që fal dashuri për grupin”.-tha ndër të tjera Kryetarja e LSI.

Ditët kaluan shpejt dhe koha fluturoi nën atmosferën e jashtëzakonshme që ky kamping i dhuroi Gjirit të Jalit.

“Kanë qenë 5 ditë të jashtëzakonshme, harmonie, bashkëpunimi, solidariteti, pune në grup. Këto janë vlerat që përfaqëson LSI dhe unë dua ti japim vetes një duartrokitje të madhe për shpirtin, për energjinë, për dashurinë, punën në grup që vendosim për çdo punë që bëjmë. Forca LRI, Forca LRI- tha Kryetarja e LRI-së Floida Kërpaci në aktivitetin përmbyllës.”

Gushti u mbyll me kampingun e LRI-së, duke i lënë radhën aksionit dhe misionit për ta çliruar Shqipërinë nga retë e zeza të kësaj qeverie e cila çdo ditë e më shumë po e zhyt vendin në mjerim. Koha jonë është tani.

Ka përfunduar ditën e djeshme kampingu i përvitshëm i të rinjve të LRI-së në Gjirin e Jalit. Pesë ditë të mbushura me…

Publiée par Lëvizja Socialiste për Integrim sur Dimanche 1 septembre 2019