Luan Rama: Akademikët ikën!…

Nënkryetari i LSI, Luan Rama ka reaguar me anë të një postimi në Facebook ku shprehet se në 45-vjetorin e vet, Akademia e Shkencave prej themelimit, tek rrënimi!

Më poshtë postimi i plotë:

Akademikët ikën!…

– Në 45-vjetorin e vet, Akademia e Shkencave prej themelimit, tek rrënimi!

Në vitin 1972, 45 vjet më parë u themelua Akademia e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Padyshim një ngjarje e madhe, ngjarje e një rëndësie të veçantë për Shqipërinë e jo vetëm, po për gjithë trojet shqiptare në hapësirën ballkanike e gjithkund tjetër nëpër botë ku flitet shqip e jetojnë shqiptarë. Për të kuptuar përmasat reale të kësaj ngjarjeje dhe meritën e madhështisë së veprës së atyre që e themeluan, mjaftë të kujtojmë se vetëm 15 vjet para themelimit të Akademisë ishte çelur Universiteti i Tiranës, ndërkohë që prej vitit 1945 vinim me një popullsi në më shumë se 90 përqind analfabetë, të pashkollë!

Mirëpo, asnjë fjalë prej askujt; pikë sëpari prej vetë akademikëve, një pjesë e të cilëve mjerisht e mbajnë këtë titull pa asnjë meritë! Asnjë fjalë, asnjë veprimtari, asgjë! Njësoj si të mos ishte.

Po si nuk guxuan të paktën këta të Akademisë të nderonin Aleks Budën e Eqrem Çabejn, Androkli Kostallarin e Mahir Domin, Petrit Radovickën, Shaban Demirajn, Hekuran Marën, Kolë Popën, Luan Omarin, Dhimitër Shuteriqin, Besim Elezin, Fejzi Hoxhën, Petrit Gaçen, Ylli Popën, Stefanaq Pollon e të tjerë, ata që e themeluan e pasues të tyre që i dhanë asaj emër, integritet, autoritet shkencor e intelektual, i dhanë peshë e vlerë gjithkund duhej folur e diskutuar per albanologjinë, për etnogjenezën, prejardhjen tonë, per historinë, për gjuhën, për kulturën, por edhe kur duheshin ndërtuar vepra të mëdha si Fierza e Komani?! Si nuk dënjuan të thonë një fjalë mirënjohjeje e nderimi qoftë edhe vetëm prej faktit se janë sot në ato zyra e mjedise ku kanë punuar ata emra të mëdhej që me përmasën e fjalës e të veprës së tyre i bënë nder popullit, atdheut, kombit?!

Çfarë mjerimi e rrënimi!

Dhe sa turp! Turp për ata të gjithë!

E në fakt, Çabeji, Buda, Kostallari, Domi e të gjithë ata, nderi i shkencës e kulturës tonë kombëtare, nëse do të ishin gjallë, shumë prej ketyre “akademikëve” të sotëm nuk do të dënjonin t’i merrnin në punë as si pastrues të Akademisë! E ndoshta, edhe prej kësaj diference, këta të sotmit nuk guxuan të mblidhen e të nderojnë 45-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shencave.

Sepse, Afërmendsh që qeveria e cila i ka shpallur luftë Akademisë nuk ndjente e as ndjen ndonjë detyrim të nderojë 45 vitet e ekzistencës e të punës së Akademisë.

Sepse qeveria është e kyçur tek droga, kanabizimi i vendit, krimi e korrupsioni!

Sepse qeverisë i kanë humbur patentat e po ja gjejnë rrugëve!

Sepse qeverisë i janë shpallur në kërkim drejtorët e policisë – ushtarë të trafikantëve të drogës!

Sepse qeverisë pasi ju kalbën palmat, para se ta zgjerojë edhe me dy korsi të tjera autostradën prej daljes nga Tirana deri në qafë të Kasharit, i duhet të mbjellë përkohësisht edhe disa miliona euro me pisha!

Domethënë në rendin e punëve të qeverisë, Akademia nuk është! Ose është, por me impenjimin se si të mos jetë më!

Por bashkë me mjeranë – akademikët e sotëm dhe hashash – qeverinë, në 45 vjetorin e Akademisë, askush tjetër nuk foli për të, askund tjetër nuk u fol per te!

E kur them askush nuk foli për të, pra për Akademinë, kam parasysh në shenjë nderimi e respekti për institucionin dhe punëtorë e saj mendjendritur.

Sepse, ne fakt për Akademinë dhe akademikët e saj foli kryeministri! Madje foli edhe para akademikëve!

I thirri, ju foli, ju tha çfarë deshi; i talli, i fyu, i poshtëroi aq sa i cilësoi agjensi funerali që përcjell të vdekurit, e pastaj i përcolli!…

Mirë jua bëri!

Dhe ata ikën, të gjithë një e nga një! Ikën si akademikë!

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al