Dy ditë më parë, Lulzim Basha përsëriti të njëjtat akuza për Ditmir Bushatin, se ai ka lidhje me bandën e Bajrave, një nga grupet më të rrezikshme kriminale të Shkodrës, që u godit nga policia disa ditë më parë. Por Basha shkoi më tej, kur e lidhi Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme me trukimin e një ndeshjeje, akuzë për të cilën grupi i Bajrave është arrestuar.

Sipas Bashës, Ditmir Bushati se ka angazhuar grupin e Bajrave për të trukuar ndeshjet dhe për të mbajtur Vllazninë në Superligë, me qëllim të siguronte ca vota më shumë për Bashkim Finon, kur ky kandidoi për president i Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Sigurisht për çështje zgjedhore, për çështje politike por edhe për çështje të zgjedhjes së kryetarit të ri të Federatës së Futbollit, Ditmir Bushati ka angazhuar përmes komunikimit të drejtpërdrejtë, sigurisht me porosi të Edi Ramës, për hesap të Bashkim Finos, krerët e bandës së Bajrajve. Këto janë fakte të denoncuara dhe të bëra publike” u shpreh Lulzim Basha.

Por ndërsa Bushati, ka vijuar të heshtë, ashtu siç bën që kur opozita ka nisur akuzat ndaj tij, Bashkim Fino nuk e ka mbajtur dot këtë akuzë mbi supe. Ndoshta për shkak të temperamentit sanguin, ndoshta për shkak të të qeshurave vend e pa vend të Ditmir Bushatit, Fino i është kthyer flakë për flakë ministrit në parlament, duke i bërtitur:

“Ktheji përgjigje Saliut dhe Lulit për atje që të thonë atje që po merrje dhe vetë vota, kur s’ke marrë asnjë votë. Ktheji, ktheji përgjigje! Se nga të dhënat financiare s’ke ç’flet ti, s’ke ç’të thuash” i bërtiti Fino ministrit në një shpërthim nervash që ka habitur kolegët.