Kush ka kaluar nëpër ferrin e dhimbjes nga humbja e të afërmit apo mikut për shkak të vetëvrasjes, e kupton më së miri këtë mesazh. Kush e di se sa herë e kanë munduar veten me pyetjen “çfarë mund të kisha bërë për ta shpëtuar?!”, “si mund ta ndihmoja”, “pse nuk bëra këtë … apo atë gjë…?”. Kush e di se sa herë kanë pasur ndjenja faji se nuk kanë qenë prindi, vëllai, motra, shoku, bashkëshorti/ja e duhur. Në fakt ne mund të bëjmë diçka për të shpëtuar jetë. Vëmendja jonë për shëndetin mendor të të tjerëve, të dëgjuarit me vëmendje, mbështetja dhe orientimi i njerëzve tanë pa pasur frikë nga stigma shpëton jetë. Këto janë ato që mund të bëjmë për të tjerët dhe jo vetëm për ata, por edhe për veten.

Dita Ndërkombëtare e Parandalimit të Vetëvrasjes

Sot është Dita Ndërkombëtare e Parandalimit të Vetëvrasjes! Dita kur duhet të japim një mesazh të qartë se ne të gjithë mund të bëjmë diçka, pavarësisht nëse jemi apo jo profesionistë të shëndetit mendor. Ju nuk duhet të hezitoni që të flisni hapur rreth mendimeve të vetëvrasjes. Duhet ta dini se njerëzit hezitojnë të flasin për këtë gjë nga ndjenjat e turpit ose se mendojnë që po të flasin rreth tyre “do t’ua shtiem ndërmend vetëvrasje”, gjë e cila është thjesht një paragjykim. Por ju duhet ta kuptoni se nuk kemi asnjë mundësi tjetër për ta ditur, përveç se duke folur hapur, pa turp, pa hezitim, pa gjykuar.

Kërkoni ndihmë

Ju nuk duhet të hezitoni të kërkoni ndihmë për një të afërm të padiagnostikuar që fillon të ndryshojë sjelljet, që duket se i ka ndryshuar gjendja emocionale apo të menduarit, nëse ka filluar të izolohet, ndërpret aktivitetet, nëse duket ndryshe nga zakonisht. Ju nuk duhet të hezitoni që një të afërmin tuaj të diagnostikuar me një sëmundje mendore, ta këshilloni apo ta shoqëroni te profesionistët e shëndetit mendor kur shihni shenja të përkeqësimit të sëmundjes, pasi bashkë me këtë përkeqësim rritet rreziku i akteve të vetëvrasjes. Mjaftojnë ndonjëherë gjërat e thjeshta për të shpëtuar jetë! Secili nga ne mund të bëjë diçka. Parandaloni vetëvrasjen! Shpëtoni jetë!