Fjala e Kryetarit të LSI-së në Fier Arben Çuko në takimin e djeshëm me strukturat e LSI-së në Fier

E nderuar Kryetare e Partisë, znj. Monika Kryemadhi!

Të nderuar motra dhe vëllezër fierak!

Të nderuar drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, anëtarë të kryesisë, kryetarë të degëve!

Ju falënderoj për prezencën tuaj në këtë takim me Kryetaren dhe strukturat e partisë për antarësimet e reja.

Unë si Kryetar i LSI-së Bashkisë së Fierit e shoh shtimin e antarësisë në radhët e LSI-së së Fierit si një shenjë të mirë jo vetëm për LSI-në dhe koalicionin opozitar, por për të gjithë Fierin. Kjo pasi të rinjtë po i bashkohen kësaj force politike çdo ditë dhe të kesh një parti politike me të rinj do të thotë t’i japësh shpresë një brezi që ka marrë masivisht rrugët e botës.

Vëllezër dhe motra, Edi Rama duket se nuk ka për t’u ndalur së shtrënguari lakun në fyti këtij populli. Ekonomia e dobët, pasiguria e madhe, shëndetësia e mjerueshme, arsimi i degraduar dhe një sërë problematikash të tjera që i vijnë këtij populli nga Edi Rama dhe klika e tij në qeveri po na e bëjnë jetën më të vështirë të gjithëve ne.

Rilindja e rrënoi këtë vend duke vjedhur vota, duke zëvendësuar ndërmarrjet e punësimit me plantacionet e drogës, detyroi të gjithë mjekët dhe infermjerët të largoheshin për shkak të kushteve të mjerueshme të shëndetësisë, largoi të gjithë investitorët për shkak të favorizimit që i bëri oligarkëve me konkurencë jo të ndershme, kapi Gjykatat, Prokurorinë dhe kërkon të kapë gjithë sistemin e drejtësisë duke pasur në dorë të gjitha pushtetet.
Jo Edi Ramës, por askujt nuk ka për t’iu nënshtruar populli shqiptar.

LSI dhe opozita e bashkuar është e vendosur t’i shkojë deri në fund këtij misioni kombëtar për lirimin e Shqipërisë nga kthetrat e rilindjes.

Një parti politike themelohet për t’i shërbyer qytetarëve dhe kush më mirë se LSI e bën këtë. Dhe kjo jo pasi e themi ne, por e thonë të gjithë këta të rinj dhe të reja që i bashohen dita ditës kësaj partie, që në fakt unë e quaj familje të madhe.

Rruga e degës së LSI Fier ka qenë jo e lehtë. Dega jonë është përballur me presione, kërcënime dhe vështirësi të madha për të krijuar një strukturë të qëndrueshme politike.

Drejtuesit e saj në kohë, pavarësisht këtyre vështirësive, e pavarësisht se gjërat mund të bëheshin në çdo rast akoma edhe më mirë, kanë meritën se e ruajtën të fortë LSI-në e Fierit.

Ndaj detyra dhe misioni ynë sot është mjaft i thjeshtë, të luftojmë për këtë vend që e ka bekuar Zoti, të luftojmë për fëmijët tanë dhe për familjet tona.

Ne jemi me fat që kemi Kreytare partie një grua, një nënë, por jemi akoma me më shumë fat që është Monika Kryemadhi, burrnesha e politikës shqiptare, me të cilën shkojmë të fortë drejt rrugës së fitores pasi zgjedhjet do vijnë shumë shpejt dhe fitorja e madhe e LSI-së do të fillojë nga Fieri.

Faleminderit!