Ardit Çela: LSI ka njerëzit dhe programin e duhur për të qeverisur

Kandidati për deputet, Ardit Çela është ndër themeluesit e LSI-së. Ardit Çela është i 7-ti në listën e kandidatëve për deputet të LSI-së në qarkun Tiranë. Çela është një ndër themeluesit e LSI-së dhe në këto zgjedhje do të tentojë një hap tjetër në karrierën e tij, shpalljen deputet dhe pjesëmarrjen në Parlament. Kandidati për deputet i LSI-së tregon për “Shekullin” programin e kësaj partie për zgjedhjet, ndërsa shprehet i bindur se LSI-ja do të dalë forcë e parë. Ai shprehet se Lëvizja Socialiste për Integrim ka programin dhe njerëzit e duhur për të qeverisur vendin. Çela është edhe këshilltar në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe nuk e ka aspak të vështirë të flas për problematikat në kryeqytet. Ai sqaron edhe shtyllën kryesore të programit të LSI-së, hapjen e 100 mijë vendeve të punës për rinjtë.

Zoti Çela LSI-ja ju ka përfshirë në listat e saj për deputet në Legjislaturën që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe çfarë objektivash i keni vendosur vetes?

Është një përgjegjësi të cilën unë e pranova me kënaqësi por mbi të gjitha me vetëdije të plotë se kërkon shumë përkushtim, mund dhe sakrifica, kërkon korrektesë ndaj qytetarëve, kërkon vullnet dhe këmbëngulje të hekurt për t’iu përgjigjur e për të zgjidhur problemet e tyre. Unë jam themelues i LSI-së. Kam që prej ditës së parë që kontribuoj për rritjen e fuqizimin e saj dhe sot jam më shumë se kurrë i bindur se objektivi im dhe i të gjithëve që jemi në LSI, por që është njëkohësisht edhe aspiratë e qindra mijëra qytetarëve në të gjithë Shqipërinë është LSI forcë e parë politike në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë.

Cili është objektivi i LSI-së në Tiranë për zgjedhjet e 25 qershorit?

LSI do të dalë forcë e parë politike. Është një objektiv për të cilin nuk po punojmë tani për fushatë, as këto muaj, as këto katër vjet. Kemi 14 vjet që punojmë me këtë qëllim, me këtë objektiv. LSI u formua dhe u krijua si domosdoshmëri e politikës shqiptare për të pasur në mesin e saj një forcë të re, për një Shqipëri të re. LSI u krijua sepse të rejat e të rinjtë kërkonin një forcë politike që t’i përfaqësonte, të punonte për ta. Një forcë politike korrekte e serioze që të vendoste një standard të ri me qytetarët.  LSI u krijua për t’u ndarë njëherë e përgjithmonë nga realiteti i politikës së vjetër të konfliktit e të mureve. LSI u krijua për të ndërtuar ura komunikimi, bashkëpunimi, për të sjellë qetësi e për të ofruar zgjidhje. Realiteti është i patjetërsueshëm. LSI është shembulli i fjalës së mbajtur. LSI është shembull i punës së përditshme me qytetarët, larg arrogancës. LSI është partia që është më afër njerëzve. Prandaj ne do dalim forcë e parë politike në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Është një proces i natyrshëm e tashmë edhe i pandalshëm.  LSI forcë e parë është tashmë realitet konkret dhe ne po presim 25 qershorin për ta legalizuar si rezultat.

Cilat janë problematikat më të mëdha në Tiranë dhe cili është programi i LSI-së specifikisht për këtë qark?

Problematikat janë të shumta. Që nga çështjet e punësimit, të arsimit, të infrastrukturës etj. Janë probleme të cilat kërkojnë vullnet të fortë qeverisës. Kërkojnë vizion dhe njerëz punëtor e të përgatitur. LSI e ka programin e duhur. LSI i ka njerëzit që duhen. LSI është gati të qeverisë vendin e duke qeverisur t’i japë zgjidhje problemeve që shqetësojnë qytetarët në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Unë banoj dhe jetoj në Njësinë 6 në Tiranë. Me votat e qytetarëve të Kombinatit, Misto Mames, Unazës së Re, Qytetit të Nxënësve por dhe të qytetarëve të Tiranës që votuan LSI-në, unë u zgjidha anëtar i këshillit Bashkiak të Tiranës. Së bashku me kolegët e tjerë të LSI-së në Këshillin Bashkiak jemi përpjekur t’i japim zgjidhje problemeve të shumta. Unaza e Re është një zonë që meriton më shumë vëmendje pasi është një zonë që ka marrë të tjera dimensione zhvillimi, e që duhet plotësuar dhe shoqëruar me shërbime, me shkolla, kopshte e çerdhe, me përmirësime në infrastrukturë dhe me investime në rrjetin e ujësjellësit. “Misto Mame” është po ashtu një zonë e cila kërkon një vëmendje më të madhe e të veçantë pasi ka ende problem të pazgjidhura me legalizimet e infrastrukturën. Qyteti i Nxënësve, një zonë në zemër të kryeqytetit vuan harresën dhe mosinteresimin dhjetra-vjeçar. Në Kombinat ka problem me infrastrukturën në rrugët “Hamdi Çullhaj”, në zonën e ish-Kombinatit tekstile, familje të cilat vuajnë ende mospasjen e aksesit në rrjetin e ujësjellës kanalizimeve etj. Për të gjitha këto nuk mjafton thjesht dhe vetëm vullneti i mirë dhe këmbëngulja e ne këshilltarëve të LSI-së dhe institucioneve të bashkisë, por duhet një vullnet më i madh akoma. Duhet vullnet i fort qeverisës dhe zgjidhja është LSI forcë e parë, LSI që qeveris vendin.

Ku parashikoni se do të jetë LSI-ja pas zgjedhjeve? Janë shfaqur ambicie për të dalë forcë e parë, është e realizueshme kjo?

LSI do të dalë forcë e parë dhe LSI-ja do të qeverisë vendin. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka zgjidhje të tjera. Nuk ekziston asnjë objektiv tjetër. Ne do të fitojmë.

Punësimi i të rinjve

LSI ka deklaruar se në programin e saj prioritet do t’i jepet të rinjve dhe është premtuar hapja e 100 mijë vendeve të punës për të rinjtë. Si do të realizohet ky program?

Ne kemi një plan për këtë. Plani ynë për punësimin e të rinjve është studiuar dhe hartuar nga ekspertët më të mirë në vend. Ne jemi konsultuar me të gjithë aktorët dhe faktorët e duhur dhe sot jemi përpara të rejave e të rinjve me një plan konkret për hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës. Për ne “Arsim për punësim” është bindja jonë për të krijuar bazën e ekonomisë së dijes. Duhet t’u sigurojmë studentëve diploma të cilat të jenë të vlefshme për tregun e punës. Dhe për të rritur deri këtu është e domosdoshme që kurrikulat akademike të konsultohen me botën e biznesit, me tregun e punës. Ne mendojmë se është e domosdoshme që idetë inovative duhen promovuar, motivuar dhe financuar, prandaj duhet që në çdo universitet të krijohet ‘Fondi i Inovacionit”. Tregu i punës kërkon profesionist dhe teknik dhe prandaj duhet që të investojmë fort në ringritjen e shkollave profesionale, cilësore, e të arrijmë në raportin 50% me 50% krahasuar me formimin e përgjithshëm. Do të krijojmë mundësit për praktika pune, aq të nevojshme për t’u përshtatur me tregun e punës. Do të iniciojmë programin “Learn and Earn – Mëso dhe Fito”, i cili do të fokusohet në trajnimin dhe kualifikimin për studentët më të mirë, duke pasur edhe mundësinë për t’u paguar. Bzineset Start Up të cilat janë në pronësi të të rinjve do të përfitojnë grante deri në 3000 euro dhe kredi të buta me interes 2%. Bizneseve që punësojnë të rinjtë në punën e tyre të parë do t’u subvencionohen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 1 vjeçare. Ne mendojmë që ky është një program tërësisht i arritshëm, shumë konkret dhe që do të aplikohet nga LSI, forcë e parë.

(Burimi:Shekulli.al/Xh.N)

 

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al