Një ajsberg në madhësinë e qytetit të Sidneit është ndarë nga Antarktida Lindore, por jo për shkak të ndryshimeve klimatike, deklaroi Agjencia Australiane e Antarktidës (AAD).

Ajsbergu prej 1 636 kilometrash katrore u nis nga Amery Ice, i treti më i madh në kontinentin akullnajor, i vendosur midis stacioneve kërkimore australiane të Davis dhe Mawson, më 26 shtator.

‘’Ajsbergu, i quajtur zyrtarisht D-28, është i ndarë nga pjesa e përparme e platformës së akullit, të cilin shkencëtarët e kanë monitoruar nga afër që nga fillimi i viteve 2000’’, sipas AAD.

Parashikohej që një ajsberg i madh do të shkëputej ndërmjet viteve 2010-2015.

“Ne nuk mendojmë se kjo ngjarje ka të bëjë me ndryshimin e klimës, por është pjesë e ciklit normal të platformës së akullit, ku ne shohim ngjarje të rëndësishme çdo 60-70 vjet’’, theksoi Helen Amanda Fricker, profesoreshë në Institutin e Oqeanografisë me qendër në SHBA.