Tenisti serb Novak Djokovic ka triumfuar sot në grand slam të Australian Open, duke mundur 3-0 (6-3, 6-2, 6-3) në finale rivalin spanjoll Rafael Nadal në dy orë lojë. Një ndeshje e fituar me shumë lehtësi nga numri 1 në botë, që edhe pse kishte përballë rivalin e tij më të fortë, numrin 2, arriti të dominojë në fushën me çement të Melburnit. Jo vetëm kaq, por Nadal vendosi edhe rekordin e Australian Open, duke triumfuar në këtë turne për të 7-n herë, si asnjë tjetër (Federer ka 6 tituj).

Ky është grand slam nr.15 për Djokovic në karrierën e tij, i treti në këtë renditje pas Federer (20) e Nadal (17). Gjithsesi, tenisti serb është drejt realizimit të një rekordi që askush nuk e ka bërë më parë: Të fitojë të katërt grand slam radhazi në harkun kohor të 365 ditëve. Ai ka fituar vitin e kaluar Wimbledon dhe US Open, ndërsa sot triumfoi në Australian Open. Ndërkohë që, përpara, është edhe grand slam i katërt dhe i fundit, ai i Roland Garros (në qershor).

Ndeshja e zhvilluar sot në “Rod Laver Arena” ishte një formalitet për tenistin serb, që dominoi në fushën e lojës. Në setin e parë ai u shkëput që në fillim 3-0 dhe më pas fitoi 6-3. Në setin e dytë, pas barazimit 2-2, Djokovic nis shkëputjen, duke fituar 4 “game” radhazi dhe krejt setin 6-2. Edhe në setin e tretë është numri 1 në botë ai që dominon, duke u shkëputur gradualisht dhe fiton 6-3 e krejt ndeshjen 3-0. Kjo ishte sfida e 53-të mes dy tenistëve, me Djokovic që udhëheq 28-25 në përballje direkte.

Një triumf i merituar i serbit, që falë këtij suksesi konsolidon kreun e renditjes botërore. Brenda 8 muajve të fundit ai arriti të dalë nga kriza dhe të rikthehet në majën e botës, aty ku po dominon, gati për të vendosur rekorde të reja. Forcën e tij e provoi sot Nadal, që edhe pse shkoi deri në finale nuk ishte në gjendje të përballojë ritmin e diktuar nga Djokovic, superior në fushë në çdo drejtim, me shërbime të forta dhe i saktë afër rrjetës.