Dy familje të ‘Petro Nini Luarasi’, pas përplasjes së ditës së djeshme me përmbarimin duke kundërshtuar prishjen e banesës së tyre dy katëshe kanë marrë vendimin se nëse nuk gjendet zgjidhje për pronën e tyre ata do të vetëflijohen.

Ata kanë bërë gati bombulat e gazit duke u shprehur se nëse shtëpia prishet, ata do të vetëflijohen. Familjet Dervishi dhe Llapaj janë zgjuar mëngjesin e sotëm në orën 02.00 nga fadromat, të cilat kërkuan të hynin në shtëpi.

Referuar dëshmive të banorëve, fadromat kanë tentuar të hyjnë me forcë dhe është dashur ndërhyrja e policisë që të mos bëhej asnjë veprim tjetër. Megjithatë, njëra prej fadromave ka arritur të hyjë në banesë dhe është brenda oborrit të shtëpisë.

Të gjendur përballë vështirësive, ditën e sotme, përfaqësues të familjeve i janë drejtuar zyrës së deputetit të zonës, Pandeli Majko, gjithashtu i pranishëm në protestën e djeshme. Sipas banorëve, gjatë bisedës me Majkon, ky i fundit është shprehur se është i pafuqishëm për këtë çështje.