Bashkëbisedimi i Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi me gazetarët

Bashkëbisedimi i Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi me gazetarët

Përshëndetje

Faleminderit për interesimin tuaj,
Në fakt u bë një kohë e gjatë që nuk kemi bashkëbiseduar por shpresoj tju kemi lënë pak kohë edhe ju por edhe shumë njerëzve të tjerë për të reflektuar gjatë gjithë atyre prononcimeve që LSI ka paraqitur në arenën politike. Jam e bindur që pjesa më e madhe e juaj dhe e shqiptarëve 5 vite më parë besuan te rilindja e Shqipërisë sepse besonin te rilindja e arsimit, ekonomisë, shëndetësisë shqiptare por shpresat dhe ëndrrat janë një ndjesi që faktikisht mbajnë në këmbë njeriun, njeriu mban familjen, familja shoqërinë dhe shoqëria mban kombet. Dhe ne si shqiptar jemi një komb i vogël në fakt por jemi një komb që shpresat dhe ëndrrat i kemi shumë të mëdha duke pasur parasysh që jemi një komb mjaft i ri. Vitet e Rilindjes së shek 21, janë kthyer nga vite shprese në vite të ankthit. Ku e vetmja rilindje ishte rilindja e krimit, e drogës, e varfërisë e trafikut dhe mbi të gjitha ishin vite që ngjallën jo vetëm në popull por sidomos te të rinjtë dhe të rejat shqiptare, braktisjen, mungesën e shpresës dhe harresën. Por o vetëm te ata por edhe te rilindasit dhe te socialistët. Të gjithë sëbashku pa dallime politike jemi sot në fakt përballë një sfide të madhe, sfidës së mbijetesës. Mbijetesës jo të politikës në fakt sepse politika do të mbijetojë por mbijetesës së një brezi të tërë i brezit të ri i cili çdo ditë dhe më shumë po largohet nga Shqipëria, po ndihet i braktisur dhe do të kërkojë që ti mbijetojë errësirës dhe asfiksimit që është krijuar në Shqipëri dhe do të kërkojë një hapësirë të re duke u larguar nga Shqipëria. Shqiptarët duhet të kthehen në Shqipëri dhe në fakt të marrin në dorë fatet e tyre sepse situata në të cilën ne po kalojmë është një situatë me të vërtetë shumë dramatike. Sot Shqipëria është vendi më i varfër në rajon, e themi këtë shpeshherë të shqetësuar me gjuhën e ekonomistit me statistikat e tyre, e institucioneve ndërkombëtare ashtu si dhe BERZHI së fundmi renditi Shqipërinë si vendi i fundit në rajon përsa i përket investimeve të huaja për  frymë dhe që ta rrisi me ritme mesatare dhe të arrijmë vendet  e rajonit. Por për këtë ne na duhen të paktën mbi 60 vjet. Themi për taksa të larta mbi biznesin e vogël që futet dhe përfshihet në skemën e TVSH-së. Themi për investimet, flasim për strategji, flasim për reforma por në fakt në fund të ditës harrojmë që 90% e shqiptarëve diskutojnë kafshatën e bukës ku tashmë në Shqipëri jemi kthyer në filmin e famshëm që kemi parë gjithë lojërat e urisë. Të cilët po i detyrojnë shqiptarët që tashmë të vendosin në bast jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre. Urrejtja politike, makuteria e pushtetit e cila po i errëson sytë qeverisë shqiptare, nuk kërkon të njohi dhe të pranojë këtë realitet për të reflektuar sa më shpejt. Nuk mund të reflektosh po nuk pranove realitetin dh pëgjegjësitë e tua dhe është njerëzore të bësh gabime por është djallëzore ti pranosh ato. Prandaj dua të bëj të ditur që situata në të cilën po jetojnë sot shqiptarët jo vetëm kaotike por është edhe e pasigurt. Për diktimin  e diktatit të krimit të organizuar dhe overdozës së qeverisë së saj. Heqja nga skema e ndihmës ekonomie të 20.000 familjeve nuk është më zgjidhje e nxjerrjes nga skamja dhe varfërisë së familjeve të varfra por i fut ato në qerthullin e korrupsionit, të manipulimit të përdorimit, dhe të përdorimit të skemës së pikëzimit të ndihmës ekonomike si një kamzhik në duart e jesmenëve të qeverisjes politike. Nuk është zgjidhje kjo por zgjidhja është paketa antivarfëri që ka që ka propozuar LSI disa kohë më parë. E cila nxjerr nga varfëria 200.000 familje shqiptare dhe ju jep mundësi shqiptarëve që të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Kjo qeveri në fakt nuk beson te shqiptarët. Duke mos besuar te shqiptarët kemi parë që ka importuar dhe shumë mendje të ndritura në thonjëza për të qeverisur shqiptarët

Por ne përsëri ftojmë ata që të diskutojmë bashkë me ta, iu ofrojmë atyre përsëri paketën tonë antivarfëri ashtu siç bëmë me ligjin për policinë e shtetit ku u paraqitën 19 amendamente dhe ata u pranuan. Pa asnjë lloj kompleksi e themi këtë sepse për ne ka shumë rëndësi lufta kundër varfërisë

Nxjerrja nga varfëria e 200.000 familjeve shqiptare sesa pushteti i një grushti njerëzish. propozojmë të rikthehet dhe njëherë në parlament ligji për taksat sepse kjo nuk është më një çështje egoje personale e Edi Ramës dhe asnjë fjalë e dhënë ndaj oligarkëve shqiptarë por është çështja e mbijetesës së qindra dhe mijëra bizneseve shqiptare të cilët taksat e larta jo vetëm i varfërojnë por i çojnë drejt shpërbërjes

Shkatërron shtresën e mesme që në fakt është boshti kryesor i ekonomisë shqiptare. Është frymëmarrja e ekonomisë shqiptare dhe shtresa e mesme është dhe garanci për demokracinë shqiptare. Vetëm një i marrë dhe i pangopur me dashuri që në fëmijëri dhe që urren njerëzit që ka rreth tij, mund tia bëj këtë vendit të tij. Në vetëm 2 muaj 2500 biznes, taksa e banesës garazheve dhe makinës që rritet çdo ditë ku krahas tyre rriten dhe çmimet e produkteve bazë të shportës dhe rrogat rrinë në vend, nuk sjelin gjë tjetër por vetëm varfëri mungesë shprese dhe eksod të shqiptarëve. Pra varfëria dhe papunësia po lulëzojnë në vend. Në këtë vend që prisnit të rilindte. Dua tu kujtoj që në projektbuxhetin që u kalua në dhjetor, LSI ka propozuar amendamentin e saj për uljen e TVSH-së për çmimet produkteve bazë të shportës në 5%.Dhe pse kjo nuk u pranua ne i bëjmë thirrje qeverisë që ta rishikojë dhe njëherë. Në këto kushte varfëri kaq ekstreme që po jetojnë shqiptarët mendoj që është shumë e rëdësishme për të parë zgjidhjen e problemit sesa është e rëndësishme për të parë fasadën e një godine e cila i ka themelet e kalbura.

Të rikthehem dhe njëherë te varfëria dhe papunësia që po lulëzojnë në vend, nuk ka inkurajuar veçse një valë masive të emigracionit të të rinjve që në të vërtetë do jetë fatkeqësia e këtij vendi që jo vetëm kj qeveri do të hyjë në histori që po i detyron ata të ikin por edhe ne si opozitë do të hyjmë në histori që nuk bëmë asgjë për ti ndaluar ata. Sepse tashmë shqiptarët janë pa drejtim dhe ne duhet ti japim drejtim këtij vendi. Raporti i BERZH na paralajmëron që pas 60 viteve ne do të kemi shansin të kemi ritme mesatare me BE. Pra kur unë të jem 104 vjeç ne do të jemi pothuajse si europianët dhe jam e bindur që stërnipërit e mi do më thonë tu thaftë dora që ajo çizmja jote nuk i ra në kokë Edi Ramës që ta shkundte pak nga trutë dhe të bënte diçka të mirë për këtë vend. Dhe breza të tërë gjatë këtyre 60 viteve do të largohen nga Shqipëria dhe nuk do ta kthejnë më kokën pas duke parë ritmet me të cilat po zhvillohet ky vend. Por ne si LSI shpresojmë dhe mendojmë se shpresa vdes e fundit. Ndoshta njeriu vdes më shpejt se shpresa prandaj dhe ne shpresojmë te integrimi europian. te negociatat të cilat mund të jenë antidoti i këtij realiteti të hidhur që po jetojmë dhe këtu edhe ne nuk jemi pa kontribut. Procesi i integrimit europian dhe çelja e negociatave është një sfidë e madhe për Shqipërinë në muajt që do të vijë dhe qeveria do të fokusohet në përmbushjen e kritereve. Opozita dhe kryesisht LSI ia kanë krijuar qeverisë të gjitha kushtet me një komoditet të jashtëzakonshëm për negociatat sepse mendojmë që negociatat janë shumë më të rëndësishme se axhenda politike e partive politike. Ne jemi shprehur zyrtarisht duke i kërkuar Komisionit Europian çeljen e negociatave pa kushte për Shqipërinë dhe këtë e kemi bërë me bindje sepse negociatat nuk  i meriton klasa politike por i meritojnë shqiptarët, ju gazetarët të cilët raskapiteni çdo ditë, nxënësit, studentët, të gjithë ata që mundohen dhe japin kontributet e tyre pafundësisht për këtë vend.  Edhe pas protestës madhështore të 27 Janarit edhe pse shumë kërkesa na vijnë nga qytetarët për të vazhduar protestat. Ne po tregohemi të matur po i japim kohën dhe mundësinë kësaj qeverie, po ia shtrojmë me petalet e kuqe të dashurisë ndaj saj që të shohim vendin drejt negociatave. Po e them përsëri sepse hapja e negociatave është shumë e rëndësishme dhe nuk i shërben klasës politike por qytetarëve shqiptarë. Por qeveri në fakt nuk tregohet aspak serioze duke pasur parasysh që është ekzekutivi ai që merr vendime për raportime me BE. Reforma në administratën publike e cila ka qenë një nga kushtet kryesore për marrjen e statusit kandidat. Edhe nëse nuk e mbani mend dua t’jua rikujtoj qytetarëve shqiptar që ishte LSI ajo që bëri të mundur kalimin e tre ligjeve të famshme në parlamentin e 2009-2013 të cilat ishin kushte të domosdoshme për marrjen e statusit kandidat. Një nga këto ishte dhe reforma në administratën publike. Sot institucionet nuk janë më funksionale dhe strukturat tona janë totalisht të çorientuara. Janë 120 mijë ushtarë të administratës publike te cilët jo vetëm nuk drejtohen por janë të çorientuar sepse shqiptarët nuk kanë drejtim. Sepse qeveria dhe ministrat e saj janë te fokusuar te konçensionet e tyre,te makuteria politike dhe ekonomike për të marrë dhe pikën e fundit të gjakut të këtij shteti. Dhe absolutisht nuk janë të fokusuar në funksionimin e një administrate e cila ne miratimin e strukturës qeverisëse  ëahtë shkrirë dhe shpërbërë totalisht dhe nuk ka më as kokë dhe as bisht .Komisioneri i ri për mbikëqyrjen e shërbimit civil, institucioni që monitoron punimet e administratës civile në Shqipëri konkludon se të 30% e të gjitha marrëdhënieve te punës të verifikuara nga institucionet e shtetit janë kryer në mënyrë të paligjshme me emërim të drejtpërdrejt nga titullari i institucionit dhe pa konkurs. Kjo tregon tashmë dhe rrënimin e respektimit të ligjit të nënpunësit civil që ka qenë dhe kusht për statusin e vendit kandidat. Reforma në drejtësi është vendosur në pikëpyëtje të madhe. Në fakt nuk do doja të merresha më fare me pjesën e reformës në drejtësi sepse ka treguar me atë çfarë shikojmë kohët e fundit, nuk është më reforma që aspironin shqiptarët, e cila do të bënte shqiptarët më pak të varfër dhe më të sigurt. Nuk është reforma e cila do të luftonte krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe korrupsionin. Nuk është më reforma në drejtësi e cila aspironin shqiptarët për të mos ndenjur me vite të tëra në dyert e gjykatave por tashmë është kthyer në një unazë në gishtat e duarve të krimit të organizuar pra veçse një bizhu në sirtaret e tyre. Lufta kundër drogës vazhdon të mbetet një sfidë por dhe çelësi i imazhit të Shqipërisë në botë. Kultivimi dhe trafikimi i drogës dhe lidhja me krimin në politikë e mbajnë peng çeljen e negociatave të vendit tonë .Kjo çështje ka kaluar tashmë kufijtë tonë duke cënuar sigurinë kombëtare por edhe sigurinë europiane .Pandëshkueshmëria e grupeve kriminale dhe moskonfiskimi i aseteve të tyre është nje tjetër kusht për disa nga vendet e BE ashtu siç është edhe Franca që është një nga vendet kryesore. Ndaj edhe qeveria duhet të lërë propagandën e saj, të merret seriozisht më këto çështje madhore të vendit të cilat çdo ditë e më shumë krijojnë probleme jo vetëm shqiptarëve por edhe qeverisë vetë. Sepse një ditë të gjithë do të paguajmë por se ku paguajmë nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që të gjithë të kemi një faturë mbrapa vetes tonë.

Znj.Kryemadhi, rasti i Gjirokastrës dje kur kishit një bashkëpunim mes LSI dhe PD a është një sinjal për bashkëpunim për zgjedhjet që vijnë? A është një sinjal për PS? Është interpretuar edhe mungesa juaj në media edhe si një sinjal për zgjedhjet e ardhshme qe mund të ketë një lloj afrimi me PS të paktën në zona të caktuara.

Përsa i përket mungesës sime në media doja ta theksoja që ne jemi mësuar me modele të vjetra të politikës që të shikojmë kryetarët por partia nuk është e kryetarit është e të gjithëvë. Dhe politika shqiptare ka nevojë për elita të reja, për njerëz të rinj, për tu dhënë shansin dhe mundësinë shumë burrave dhe grave dhe po të shikoni gjatë gjithë kësaj kohe LSI nuk ka munguar asnjëherë, ka qenë prezent. Mund të mungojë imazhi i Monika Kryemadhit por nuk mungon, Klajda Gjosha, Petrit Vasili, Luan Rama, Floida Kërpaçi, Endrit Braimllari, Edmond Haxhinasto, Nasip Naço e kështu me rradhë. Siç thotë edhe znj. Ferja që është mamaja e Petrit Vasilit, më mirë të qani nga malli sesa nga halli. Më mirë të keni mall për mua sesa të kenë mall socialistet që të kërcasi ndonjë çizme tjetër se me situatën qe ka ardhur jo vetëm çizme që nuk dalin. Megjithatë unë dua te them diçka përsa i përket rastit të Gjirokastrës. Jo vetëm ky rast ka dhe shumë të tjera që janë në funksion. Kjo nuk ka të bëjë thjesht përsa i përket bindjes politike apo angazhimeve ne partitë politike. Ka të bëjë në funksionimin e Këshillave Bashkiak të cilat janë në shërbim të drejtpërdrejt me qytetarët. Nuk kemi te bëjmë më një parlament, nuk merremi ne diçka personale apo me një projektligj i cili është në shërbim të një grupi interesi por kemi te bëjmë me funksionimin e një bashkie. Ju e dini që kohet e fundit Bashkia e Gjirokastrës ka pasur shume probleme përsa i përket rrëshqitjeve të tokës, dëmtimeve të disa banesave të qytetarëve të Gjirokastrës dhe indiferenca nga qeveria ka qenë shumë e madhe. Jo vetëm nga qeveria por edhe reagimi i strukturave të Bashkisë të cilat drejtohen në segmente të caktuara nga elementë të PS, jo vetëm që e kanë bojkotuar por përveç se e kanë bojkotuar edhe e kanë sabotuar. Sepse ndonjëherë politizimi i elementëve të strukturave partiake, është aq i madh sa verbëria dhe injoranca politike kalon mbi ndjenjat njerëzore qe ë duhet të kemi secili nga ne. Unë mendoj që ka qenë një vendim i duhur i Këshillit qoftë të PD qoftë të LSI për ti dhënë zgjidhje situatës. Këshilltarët në çdo këshill bashkiak nuk janë këshilltarë të partive politike por janë këshilltarë të cilët paraqesin interesat e qytetarëve.

Ju znj.Kryemadhi u shprehët që keni gati paketën antivarfëri ndërkohë kërkoni dhe rikthimin e projektligjit për uljen e taksave. Ndërkohë thoni që po i japin qeverisë kohë pasi vendi ka nevojë për hapjen e negociatave. Kjo do të thotë që ju do nisni bisedimet me qeverinë për keto reforma apo për këto që doni?

Bashkëpunimi ynë në shërbim të luftës kundër varfërisë, kundër krimit të organizuar , të një jëtë më të mirë për shqiptaret, të ndalimit të kësaj hemoragjie njerëzore që po i ndodh Shqipërisë  është i hapur dhe transparent. Nuk kompleksohemi, jemi te gatshëm. Ashtu si për ligjin e policisë qe ne dhamë 19 votat tona, për Vettingun që duhet bërë në rradhët e policisë, për rifunksionimin e policisë kanë qenë të hapura, ashtu do të jetë  për çdo gjë që ka të bëjë në ndihmë të qytetarëve.  Edhe për rastin e TVSH-së për biznesin e vogël, pra që ne do ta rikthejmë përsëri dhe njëherë, edhe në rastin e paketës antivarfëri, kur unë mendoj që është një  gjë shumë e thjeshtë sepse ju vetë gazetarët e keni paraqitur dhe shpjeguar vetëm në rastin e konçensionit të shëndetësisë që firmës fituese i ka shërbyer vetëm 300 mijë euro investim për të fituar 12 milionë euro  në vit. Sikur këto para të cilat i fiton një individ të shkojnë në ndihmë të familjeve të varfra lër tu krijuar shanset dhe mundësitë për ti trajnuar dhe për ti hapur mundësinë e punësimit të tyre do të jetë shumë më e mundshme dhe efektive. Duke pasur parasysh që atë investim që ka bërë privati mund ta bënte dhe shteti shqiptar sepse ka pasur strukturën, janë personeli që punojnë. Të cilët janë pjesë e strukturës sepse janë laburantë që kanë punuar 100 vjet nëpër spitalet shqiptare. Nuk na hapi konçensioni i shëndetësisë laborator  për analizat për herë të parë në Shqipëri. Ne jemi të hapur për të dhënë alternativën tonë. Nuk kemi asnjë kompleks që edhe ti marrin propozimet tona edhe ti bejnë copy paste dhe ti vërë firmën dhe vulën e Rilindjes Edi Rama. Për ne është e rëndësishme që të zgjidhet procesi. Por ajo cka dua të thëm siç  e thashë edhe në statement pak më para është që për shkak të luftës kundër varfërisë. Për ne është më e rëndësishme dalja nga skema e varfërisë së 200 mijë familjeve shqiptare se sa pushteti apo karriget e një grushti njerëzish.

Znj.Kryemadhi LSI propozoi disa amendamente për ligjin e Vettingut në Polici. A ka një bashkëpunim mes jush dhe Partisë Socialiste dhe si janë marrëdhëniet tuaja me z.Basha, pasi nuk ju kemi parë më të shkoni në selinë e Partisë Demokratike?

E kam thënë dhe e them gjithmonë, marrëdhëniet e mia qoftë me Z.Basha, edhe me z.Rama personale janë marrëdhënie shumë të mira. Me z.Basha aktualisht jemi në marrëdhënie bashkëpunimi përsa I përket frontit opozitar. Përsa I përket bashkëpunimit politik, në 27 vite tranzicion nuk jemi mësuar që të shikojmë partitë e opozitës që të jenë të hapura për të ofruar zgjidhje dhe alternativa. Jemi mësuar që të shikojmë, dhe në fakt është bërë një steriotip në Shqipëri dhe prandaj vazhdojmë të jemi akoma në tranzicion, jemi mësuar të shikojmë PO ose JO. Ka edhe Mundet, ka edhe MUNDET për ti zgjidhur gjërat. Sepse ajo çka është e rëndësishme ne duhet të fillojmë të mendojmë që tu shërbejmë njerëzve, të mos I shërbejmë politikës. Thashë pak më përpara, mbijetesa e një brezi të tërë, sepse politika do mbijetojë. Politika ka mbijetuar. Politika I mbijetoi edhe 50 viteve të diktaturës. Politika I mbijeton edhe 27 viteve të tranzicionit, por të vetmit që nuk mbijetojnë dot do të jenë brezi I të rinjve, të cilët do të largohen nga Shqipëria dhe nuk do të kthehen më. Pra do të kemi një varfërim jo vetëm të anës intelektuale dhe profesionale, por do të kemi dhe një varfërim të jetës njerëzore në Shqipëri. Nga një popull I cili kemi qenë populli më I ri në rajon, do të kthehemi në popullin më të plakur në rajon, me atë çka po ndodh me këto ritme. Doja tju pyesja si I komentoni akuzat e PS-së në drejtim të PD-së në lidhje me bashkëpunimin me rusët? Mua më duken shumë qesharake. Problemi sot më I madh nuk është se a ka bërë fotografi me Presidentin Trump Lulzim Basha, apo ka paguar Partia Demokratike nga fondi apo buxheti I saj për lobing në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Besoj që e mbani mend që Edi Rama veshi fustan për të bërë një fotografi me Obamën para disa viteve dhe nuk ishte kjo gjëmë kaq e madhe. Unë vetë personalisht jam kundër kompanive lobiste, sepse kompanitë lobiste kanë një strategji që të bëj pak pis, që të të pastrojë nesër. Unë mendoj që e gjithë klasa politike marrëdhenien e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ketë nëpërmjet Ambasadës së SHBA-së, të cilët janë ata prezantuesit e institucioneve të shtetit amerikan dhe janë të detyruar ti përgjigjen klasës politike përsa I përket axhendës politike të partive të ndryshme apo dhe individëve të ndryshëm. Unë besoj nga eksperienca ime, besoj në bashkëpunimin e Ambasadës Amerikane. Megjithatë kjo ka të bëjë me zgjedhjen individuale të lidershipit të çdo partie, sepse të jeni të bindur që edhe vetë Z.Rama, dhe vetë qeveria po të kenë strukturat e investigimit, qoftë të prokurorisë apo të policisë së shtetit, edhe kontaktet me interpolin apo me institucione të tjera do të shikoni që janë me miliona euro apo dollarë që paguhen për lobimin e Z.Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por unë nuk mendoj që problemi I varfërisë që ka pllakosur në Shqipëri është te lobimi që bëjnë partitë politike.

Janë me milionë euro apo dollarë që paguhen për lobimin e zotit Rama në SHBA. Por unë nuk mendoj që problemi i varfërisë që ka pllakosur Shqipërinë është tek lobimi që bëjnë partitë politike. Unë mendoj që problemi që ka sot Shqipëria është mungesa e vendeve të punës, mungesa e alternativave, dhe mungesa e alternativës nuk vjen për shkak të parave që paguajnë partitë politike nga buxheti i tyre për kompanitë lobiste. Ndoshta do ishte më mirë që këto poara le të ishin dhe të shërbenin në shenjë solidariteti me familjet e varfra. Do ishte shumë më mirë, por megjighatë kjo është zgjedhja personale që bëjnë lidershipet e tyre. Ajo çka dua të them dhe që është shumë e rëndësishme, filmat që po shikojmë të llojit ‘Agjenti 007’, apo ‘Royal Casino’, siç janë këto filmat e fundit janë bërë me thënë të drejtën shumë qesharakë, se duke pas parasysh se situata që po krijojmë, përralla nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja mund të largojnë vëmendjen nga problemet e ditës. Unë mendoj se problemi kryesor që kanë shqiptarët sot është e ardhmja e fëmijëve të tyre. Mos harrojmë që sot Shqipëria mban vendin e parëm në botë për përdorimin e kokainës. Ne diskutojmë kapjen e 613 kilogramëve kokainë në Shqipëri.

 

Në fakt, po bëhem shumë egoiste, po e heq petkun e kryetares së partisë. Mua nuk më intereson se çfarë ndodh me të rinjtë ne Europë. Por më intereson se çfarë ndodh me të rinjtë në Shqipëri. Dhe droga që vjen në Shqipëri apo konsumohet këtu e rendit Shqipërinë të parën në botë për përdorimin e kokainës. Dhe të kesh sot një brez të ri qëe mban vendin e parë në botë për përdorimin e kokainës, do të thotë që shumë shpejt, brenda 3-4 vitesh si si Shqipëri, si shtet, si komb, nuk do ofrosh më mësues, pra shkollat tona do vijnë duke u varfëruar çdo ditë e më shumë. Nuk do ofrosh më mjekë, shoferë taksie, po një taksixhi që është i bërë në vend që të të nisi në destinacionin e duhur do të çojë në destinacion të gabuar, dhe ky është një nga problemet më të mëdha që ka sot shoqëria shqiptare. Ajo nuk gjendet thjesht përballë sfidës të mbijetesës politike, por gjendet përballë sfidës së një brezi të ri. I cili do jetë një brez që do ofrojë drogë dhe kriminalitet apo një brez që do ofrojë dije, zhvillim dhe emancipim të shoqërisë shqiptare, të cilën ne e kemi shumë të nevojshme.

Zonja Kryemadhi, ditën e enjte është një interpelancë me kryeministrin Rama për ndihmën sociale, e kërkuar nga PD. Cili do jetë qëndrimi i LSI dhe duke marrë shkas nga ajo që thatë pak më parë që do keni mirësinë për t’i lënë rrugën e hapur qeverisë në këto muaj që mbeten deri në përgjigjen për çeljen e negociatave. Do të ketë një ulje të toneve tuaja politike apo një bashkëpunim underground në parlament, në komisione me PS-në?

Unë dua të them që historia e bashkëpunimeve underground në LSI nuk do ekzistojë. E them këtë sepse bashkëpunimet do jenë transparente, jo vetëm për mediat, por në radhë të parë për partinë, për gazetarët dhe gjithë shqiptarët. Bashkëpunimet underground janë bashkëpunime që prodhojnë kriza, destabilitet dhe varfëri dhe prodhojnë pushtet për oligarkët. Vetëm bashkëpunimet e hapura dhe transparente mund të nxjerrin Shqipërinë tashmë nga ky llum në të cilin ajo ka rënë. Dua të them që ditën e enjte, mocioni me debat që ka të bëjë përsa i përket varfërisë është një ditë e rëndësishme. Nuk ka vendimmarrje por ka të bëjë për sa i përket, në ato 9 orë debate do të jenë 9 ora të cilat do të shërbejnë sadopak për ndërgjegjësimin jo vetëm të opinionit publik, por edhe të gjithë klasës politike, për sa i përket situatës në të cilën gjendemi. Dua të them që të gjithë deputetët e LSI-së, që do mbajnë fjalën atë ditë, aq kohë sa na është lënë në dispozicion do të jenë dhe do i referohen paketës anti-varfëri të cilën LSI ka përgatitur, për ta bërë prezente në parlament dhe për t’iua ofruar pa asnjë lloj kushti dhe pa asnjë lloj kompleksi qeverisë shqiptare që ta përdori. E themi këtë për ta përdorur dhe për ta bërë realitet paketën anti-varfëri se sot është shumë më e rëndësishme të nxjerrim shqiptarët nga varfëria dhe t’u japim një shpresë për të jetuar dhe punuar në Shqipëri sesa për të menduar dhe plotësuar një axhendë politike që mund t’i shërbejë vetëm një grupi të caktuar njerëzish. Për sa i përket pastaj toneve në parlament të jeni të bindur që tonet LSI-së nuk i kanë munguar asnjëherë, kanë qenë të drejtpërdrejta dhe të ashpra, edhe emocionale mund të them dhe gjuha e drunjtë për të thënë shumë gjëra dhe për të mos thënë asgjë nuk ka për të qenë. LSI ka qenë shumë e qartë, shumë e kthjellët në qëndrimet e saj dhe ashtu do vijojë të jetë dhe e drejtpërdrejtë. Le të jemi më pak të sofistikuar por le të jemi më shumë të drejtpërdrejtë dhe të kuptueshëm për qytetarët. Mendoj që shqiptarët kanë nevojë për vërtetësi, për të parë veten e tyre tek politikanët shqiptarë dhe nuk kanë nevojë për të parë shembuj të kopjuar shëmtuar nga ato çfarë na janë ofruar deri më sot.

Në muajin dhjetor keni paralajmëruar një protestë i gjithë fronti i opozitar. Ndërkohë një gjë të tillë nuk e kemi parë deri tani. Ju përmendët edhe faktin që do keni një ulje tonesh për sa i përket deri në qershor, deri në vendimin për hapjen e negociatave. A do të thotë kjo që ka një vendimmarrje të dytë dhe do prisni muajin qershor për të rinisur atë paralajmërim që e keni bërë.

Që të jem e qartë edhe njëherë. Protesta e 27 janarit ishte një nga protestat më të mëdha që është bërë në këto 27 vjet. Nuk dua ti vë emër, Ajo ishte protestë e shqiptarëve, nuk ishte protestë e opozitës. Ishte një protestë që i tregoi Edi Ramës që ti je vetëm në gjithë këtë mision, dhe vetmia që e ka kapur atë është një vetmi e cila nuk shërohet më. Ka vetëm një ilaç për të shëruar vetminë e Edi Ramës, që të largohet nga qeveria dhe ti japë shansin dhe mundësinë dikujt tjetër që të nxjerrë Shqipërinë nga ky qerfull i errët në të cilin ai e ka futur. Tonat tona, e them sërish, nuk kanë të bëjnë me ato që kanë të bëjnë në funksion të negociatave. Personi të cilit i intereson më shumë moshapja e negociatave është Edi Rama, sepse hapja e negociatave e vendos brenda një kuadrati ligjor dhe rregullash të cilat ai nuk i ka me shumë dëshirë ti zbatojë. Hapja e negociatave janë kushte, hapja e negociatave janë detyrime që duhet ti bërë qeveria shqiptare dhe jo opozita, sepse opozita të vetmen gjë që ka në dorë është vetëm një monitoruese e qeverisjes dhe ka fjalën e saj në Parlament, ka fjalën e saj me protesta në rrugë për të thënë që këto gjëra janë gabim. Por, kësaj qeverie nuk i ka mjaftuar opozita, ndoshta edhe për shkak se forcat politike janë të pabarabarta. Është sikur të bësh mundje apo boks me dy pesha të ndryshme. Megjithatë, ne edhe pse të vegjël në peshë por të mëdhenj në bazament, kemi pranuar që të ndeshemi me kundërshtarin politik për të qëndruar në llogoret tona përsa i përket problematikave shqiptare. Por, hapja e negociatave nuk është më thjesht një spektator në ringun e politikës shqiptare, por do të jetë një arbitër që do të vendosë rregullat e lojës shumë të qarta për klasën politike shqiptare. Që do të thotë së pari, mospërdorimi i parave të drogës për deformimin e mandateve në parlamentin shqiptar. Së dyti, do të thotë mosndërhyrjen e krimit të organizuar në strukturat e shtetit shqiptar. Së treti, mospërdorimi i parave të drogës dhe injektimi i tyre në ekonominë shqiptare, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse disa nga elementët kryesorë që jo vetëm kanë kriminalizuar shtetin shqiptar, jo vetëm kanë kriminalizuar institucionet shqiptare, por kanë mbjellë një varfëri dhe një pasiguri të qartë në Shqipëri, e cila është shumë e vështirë për ta ç’rrënjosur, E vetëm hapja e negociatave është vetëm një nga antidotët kryesorë të këtij realiteti të hidhur për të ç’bërë këtë realitet. E them këtë me bindje të plotë dhe për këtë jam e bindur, sepse edhe në letrën që i kam dorëzuar dhe dërguar Komisionerit Hahn, të cilën në fakt nuk e kam bërë publike, është një letër, ku personalisht në emër të LSI-së i kam kërkuar hapjen e negociatave pa kushte për Shqipërinë, pavarësisht se kush e drejton Shqipërinë, pavarësisht se kush është mazhorancë në Shqipëri. Për ne ajo që është më e rëndësishme është fakti që negociatat janë në shërbim të qytetarëve. Negociatat janë garanci për shqiptarët, për investitorët e huaj, që do të thotë më shumë vende pune. Pra atë 1 mijë dollarë për frymë për shqiptarët për investimet e huaja të mos ta kemi aq, por të paktën ta kemi sa Mali i Zi që e ka 6 mijë dollarë për frymë për investime të huaja, që është sa ¼-ta e Shqipërisë, qoftë në territor, qoftë në popullsi.

Pak më parë ju u shprehët që nuk kompleksoheni nga qeveria. Në këtë kuadër, a jeni të gatshëm të bashkëpunoni me Partinë Socialiste në zgjedhjet lokale?

E para, ky nuk është një vendim që më përket mua. E dyta, ky është një vendim që i përket strukturave të partisë. E treta, zgjedhjet lokale nuk kanë të bëjnë me programet politike, zgjedhjet lokale kanë të bëjnë me individët. Pra, individi do të jetë ai që do të garojë, nuk garon Monika Kryemadhi si kryetare e LSI-së, por garojnë individë të tërë në listat e këshillave bashkiakë, të cilët në fund të ditës janë ata që përplasen për ujin e pijshëm, për rrugët, për kanalet e ujërave të zeza, për shkollat dhe tavanet e shkollave që shemben, për kopshtet, për çerdhet e për shumë e shumë gjëra të tjera. Për certifikatat ku rrinë me orë të tëra në radhë për ti marrë dhe duhet të paguajnë lek nën dorë. Kështu që, ka të bëjë me individin. Përsa i përket bashkëpunimit elektoral, LSI është e vendosur në pozicionin e saj opozitar. Ne mendojmë që tepsia e vetme në duart e Rilindjes besoj se është mëse e mjaftueshme dhe besojmë se do të jetë e domosdoshme për ta për ta mbajtur dhe për ti treguar edhe shqiptarëve se kush ka qenë tepsixhiu, kush ka qenë tepsia, kush e ka ngrënë dhe kush e ka bërë pis tepsinë. Kështu që të gjithë kemi nevojë për reflektim. Ashtu sikurse LSI-a që ka nevojë për t’u pozicionuar në pozicionin e saj, ashtu edhe Partia Socialiste me rilindësit e saj ka nevojë që të shikojë se kush janë ata që e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë tepsinë, sepse socialistët e shkretë prapë në rrugë do të vazhdojnë të qëndrojnë.

Znj. Kryemadhi, a është problem që SHISH është ende pa një drejtues, pasi kreu i Shtetit ende nuk e ka dekretuar propozimin e Kryeministrit Rama?

As nuk më intereson fare. Po të kishim pasur ndonjë institucion në Shqipëri që po të mos kishte pasur drejtues do të kishte bërë gjëmën, nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Nuk do të na kishte pushtuar droga dhe krimi. Për mua është një institucion që nuk ekziston. Le të vazhdojmë me politikanët shqiptarë se në rregull është.

Ju thatë në fillim të fjalës suaj se ju jeni të përqendruar më tepër tek hapja e negociatave me BE-në dhe jo tek emrat konkretë. Ndërkohë nga selia blu ka një përqendrim të të gjithë aksionit opozitar tek emrat konkretë duke filluar nga Erion Velia, Olsi Rama, Agron Xhafa, Artur Meçollari madje për hapjen e negociatave me Greqinë. Mos ka ndoshta një mosakordim të aksionit opozitar mes dy selive?

Çështja e marrëveshjes së detit me Greqinë është një çështje që duhet të përfundojë, sepse do të përfundojë një ditë. Është një histori që ka 100 vjet që ka nisur. Mund të shkojë edhe 300 vjet të tjera, por shanset janë që të bëhet. Sa më transparente të jetë marrëveshja, sa më e drejtpërdrejtë, sa më pandjenja inferioriteti të ketë shteti shqiptar ndaj të tjerëve, do të jetë shumë më dinjitoze për ne shqiptarët. Unë nuk jam ekspertë për këtë gjë, sepse çështja e negociatave për marrëveshjen e detit është çështje kompasi, është çështje hartash. Nuk kam mbaruar shkollë apo për hartografi, as për gjeometri që të vendos kompasin. Kam mbaruar specializimin tim. Kam gjithë jetën që merrem me këtë gjë, por kam menduar dhe kam kuptuar një gjë që, mosshkelja e ligjit, qenia transparent, i drejtpërdrejtë dhe i qetë janë disa elementë të cilat të shpëtojnë jo vetëm kokën, por edhe dinjitetin, fytyrën dhe emrin. Dhe unë do të dëshiroja që çdo shqiptar që është pjesë e këtij grupi negociator të mos harrojë që është shqiptar në radhë të parë, dhe në radhë të dytë, ka një detyrim moral ndaj Kushtetutës së Repulbikës së Shqipërisë, por ka edhe një detyrim moral ndaj popullit dhe vendit të tij. Të mos harrojmë që Shqipëria është një vend dhe një popull që ka vuajtur jashtëzakonisht shumë dhe shpresoj që brezi ynë të mos jetë një brez që t’i shkaktohet akoma më shumë dhimbje.

Mos ka ndonjë tërheqje nga ana e LSI-së për të denoncuar me emra konkretë aferat korruptive apo keqqeverisjen?

LSI nuk është organi i akuzës, nuk është Prokuroria e Përgjithshme. LSI është një parti politike e cila ofron alternative. Dhe në 27 vite tranzicion jemi mësuar që të përbaltim njerëzit, jemi mësuar që të ngremë akuza. Unë nuk jam prokurore, as gjyqtare. Unë mbi të gjitha jam nënë në radhë të parë, jam bashkëshorte, por jam zgjedhur edhe kryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe detyra jonë është që ne tu japin njerëzve alternativa për zgjidhjen e problematikave. Alternativa e LSI-së nuk është përmendja e emrave. Denoncimin sigurisht që duhet ta bëjmë. Por ajo që është më e rëndësishme është që ne nuk bëjmë politikë për të kënaqur ambiciet dhe etjen e militantëve tanë. Ne duhet të bëjmë politikë duke dhënë alternativë dhe duke zgjidhur problemet. Dhe unë mendoj që zgjidhja e problemeve nuk ka të bëjë thjesht me emrat por zgjidhja e problemit është vendosja e gishtit në plagë dhe duke dhënë alternativën. Unë mendoj se sot ato 200 mijë familje shqiptare që jetojnë në varfëri nuk besoj se kanë problem për Artur Meçollarin, nëse është apo nuk është spiun. Nuk besoj se e kanë problem nëse ka dalë apo nuk ka dalë Lulzim Basha me Donald Trump-in. Unë mendoj se këto 200 mijë familje shqiptare, minimum me nga katër veta, janë pothuajse 800 mijë shqiptarë kanë hall bukën e përditshme, çfarë do hanë sot për drekë, apo se si do t’i vënë fëmijët e tyre në gjumë sot në darkë. Ky është problemi kryesor dhe ne si politikanë por edhe ju si media duhet të fokusohemi tek zgjidhja e problemeve. Unë përfitoj nga rasti të përgëzoj të gjitha ato televizione, të cilat kanë bërë shumë emisione për sa i përket ndihmës ndaj individëve apo familjeve të caktuara në nevojë. Të gjithë kemi nevojë për mesazhe të tilla dhe për reflektim që duhet të kemi për këto situate të vështira. Megjithatë reflektimin më të madh duhet ta bëjë klasa politike, e cila varfërinë e shqiptarëve nuk duhet ta zgjidhë me individë të caktuar por varfëria zgjidhet nga qeveria, zgjidhet duke ndryshuar sistemin dhe zgjidhet në funksion të të gjithë shoqërisë shqiptare. Mos harrojmë që të gjithë ne sot që jemi nga 40 vjeç shumë shpejt do të jemi pensionistë dhe do të jemi edhe ne në radhë për të marrë një pension i cili nuk del për të paguar as ilaçet e pleqërisë. Kjo është një nga arsyet pse të gjithë së bashku duhet të bëjmë një reflektim.

Doja një koment të shkurtër për përballjen e djeshme të Kryeministrit me artistët. Keni një koment në lidhje me këtë? Nuk i keni mbështetur artistët apo jo?

Ne i kemi mbështetur por nuk duam ta politizojmë çështjen. Ne i mbështesim të gjitha grupet e interesit që luftojnë për të drejtat e tyre. I mbështesim politikisht dhe nuk kemi asnjë lloj problemi por ajo që kemi dashur ishte që të mos i politizojmë problematikat e tyre. Ka qenë z. Vasili në konferencë shtypi, kemi marrë pjesë në debate të ndryshme. Në të gjitha debatet televizive të gjithë kemi diskutuar. Në fakt ka një problem: ne nuk kemi nevojë për teatër sepse kemi aktorin e madh Edi Rama. Ka filluar të bëhet një aktor vetë. I ka kthyer në arena teatrale të gjitha studiot televizive; diku qan, diku qesh, diku kërcënon, diku përkëdhel. Kështu që duke pasur parasysh që ne kemi një Kryeministër të gjithanshëm, edhe sportist, edhe artist, edhe shkrimtar, edhe piktor, edhe ushtarak, edhe polic, edhe bodiguard kemi edhe godinën e Kryeministrisë dhe ai nuk ka nevojë për Teatër Kombëtar. Ne kemi godinën e Kryeministrisë për teatër. Kështu mendon Rama, ky është mentaliteti i tij. Ndaj them që tranzicioni në të cilin po kalon Shqipëria është një tranzicion i cili, jo vetëm që nuk do të marrë fund por është një tranzicion i cili pasi po i varfëron shqiptarët në mënyrë ekstreme, pasi po detyron pjesën me energjike dhe më kualitative të shoqërisë shqiptare të emigrojë dhe të largohet nga Shqipëria, tashmë po mundohet të eliminojë përfundimisht edhe vlerat kulturore dhe artistike, siç është edhe Teatri Kombëtar. Ne kemi shumë artistë të cilët janë edhe anëtarë të partisë tonë, dhe janë shumë aktivë. Dhe ne momentin që ato do të kërkojnë daljen tonë publike ne jemi të gatshëm, jo vetëm për të bërë deklarata por edhe të përballemi dhe të luftojmë për të drejtën e tyre dhe për të qenë bashkë me ta ditën që do të shembet godina. Por për momentin ne kemi vendosur që të mos japim shkas që të thuhet që çështje po politizohet. Ndaj edhe kemi mbajtur këtë lloj pozicionimi. Kemi shprehur vetëm përkrahjen nëpërmjet të deklaratave publike. Por të jeni të bindur që jemi totalisht me ta, në mbështetje të tyre dhe të gatshëm për çdo lloj nevoje që ata kanë. Dhe jo vetëm për artistët.

Si ju duk projekti i paraqitur ditën e djeshme?

Kjo është çështje shijes dhe çdo njeri zgjedh mënyrën e jetesës së vet. Ne e kemi parë z. Rama për shembull i cili ka shumë dëshirë të bëj plazh lakuriq dhe unë skam parë ndonjë nga LSI-a ta bëj diçka të tillë. Është çështje shijesh, është çështje këndvështrimesh. Megjithatë shijet e njëri-tjetrit ne nuk mund t’ia imponojmë askujt. Ajo çka është e rëndësishme është që për vlera të tilla artistike dhe kulturore, që kanë edhe vlera historike, Edi Rama nuk mund të na imponojë shijen e tij.

Teatri i ri do të ndërtohet mbi rrënojat e godinës së vjetër. Artistët këtë protestojnë, kundër tjetërsimit të Teatrit Kombëtar. LSI është kundër apo pro këtij projekti?

Ne jemi kundër tjetërsimit të Teatrit Kombëtar. Ne më mirë të kemi një Teatër Kombëtar që ka të paraqitura, më falni, të brendshmet e Violeta Manushit, se sa një Teatër Kombëtar ku shikohen vizat e kokainës të regjistruara aty.

Mirë pra, ju falënderoj shumë! Dhe mos u shqetësoni shumë kur nuk dal shpesh në media sepse është edhe një lloj strategjie që e ka ndjekur LSI për t’i dhënë hapësira të gjithë drejtuesve dhe strukturave të saj. Shumë shpejt ne do të kemi edhe një axhendë, jo vetëm programore dhe alternative por edhe një axhendë organizative. LSI do të shpallë fushatën e përzgjedhjes së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale, qoftë për kandidatët për anëtarë në Këshillat Bashkiake për edhe për kandidatët për kryetarë bashkie aty ku LSI pretendon që të ketë fituesit e saj. Kandidatët për kryetarë bashkie nuk do t’i zgjedhim 45 ditët e fundit të fushatës. Edi Ramës i janë dashur 5 vite për tu bërë kryetar i Bashkisë së Tiranës, edhe duke pasur gjithë atë mbështetje të qeverisë në atë kohë. Pas protestës së 27 janarit LSI ka vendosur në punë strukturat për evidentimin e kandidaturave.

Do të keni kandidatura të përbashkëta me PD-në?

Po edhe mund të kemi.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al