Zgjidhja më e mirë është zbatimi i ligjit, dhe rikthimi i kompetencave që Kushtetuta u njeh autoriteteve kolegjiale të qeverisjes vendore. Nuk kemi braktisur interesat e qytetarëve, përkundrazi, veprimet tona, janë në mbrojte të të drejtave të komunitetit

Prej disa muajsh, anëtarët e opozitës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, pas dhënies së votës pro për vendimet me karakter social, largohen nga mbledhja e Këshillit Bashkiak. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, kryetari i grupit të këshilltarëve të LSI në Bashkinë Tiranë, prof. Eltjon Halimi tregon arsyet që i kanë detyruar anëtarët e opozitës të braktisin mbledhjet. Sipas tij ky është një qëndrim i kushtëzuar nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, në shkelje të ligjit dhe kushtetutës, që kanë detyruar këshilltarët e opozitës, të mbajnë një qëndrim të tillë. Halimi më tej thekson se zgjidhja më e mirë është zbatimi i ligjit, dhe rikthimi i kompetencave që kushtetuta u njeh autoriteteve kolegjiale të qeverisjes vendore, e shton se këshilltarët e opozitës nuk kanë braktisur interesat e qytetarëve, përkundrazi, veprimet e tyre, janë në mbrojte të të drejtave të komunitetit. Kryetari i grupit të këshilltarëve të LSI thekson se është duke u diskuar edhe vendimi i djegies së mandateve nga këshilltarët bashkiak të opozitës dhe shpreson që maxhoranca të reflektojë, dhe të mos detyrojë opozitën në Këshillin Bashkiak të ndërmarrë këtë akt fundor.

Prej kohësh, anëtaret e opozitës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, braktisin mbledhjen? Pse ky reagim nga ana juaj?

Po, është e vërtetë, që në mbledhjet e fundit, opozita e bashkuar në Këshillin Bashkiak ka mbajtur një qëndrim të kushtëzuar me këtë Këshill. Por kjo nuk ka qenë aspak një zgjedhje e jona, por një qëndrim i kushtëzuar nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, në shkelje të ligjit dhe kushtetutës, të cilat kanë detyruar këshilltarët e opozitës, të marrin një qëndrim të tillë, për të mos marrë pjesë në mbledhjet e këshillit, por jo vetëm pasi ne japim votën tonë pro për të gjitha vendimet e ndihmës ekonomike dhe sociale.

Ku janë konstatuar shkeljet e ligjit nga këshilltarët e opozitës?

Për të sqaruar opinionin publik, ne si këshilltarë të opozitës, kërkuam që të zbatohej një detyrim moral i një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte konstatuar pavlefshmëri juridike, për 6 mandate këshilltarësh, të cilët nuk kishin kryer betimin në zbatim të ligjit dhe kushtetutës. Për këtë ne kemi kërkuar, që nuk mund te jemi pjesë e një organi me mandate të pavlefshme, pasi në këtë mënyrë, edhe vendimet tona do të konsideroheshin nul nga gjykatat. Dhe ky ka qenë thelbi i kërkesës sonë, mosvotimi i vendimeve nga këshilltarë pa mandate të vlefshme, në mënyrë që vendimet e këshillit të kishin vlefshmërinë e duhur. Më pas, vendimi i Gjykatës së Apelit, vendosi në kundërshtim me vendime e parë, dhe në këto kushte ne duke njohur dhe respektuar çdo vendim të organeve të pavarura, pavarësisht gjykimit tonë, u rikthyem në këshill. Por përsëri u gjetëm përballë uzurpimit të kompetencave tona, që na njeh ligji.

Mbledhjet e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, janë shoqëruar edhe me debate të forta mbi Teatrin Kombëtar. Mund të analizoni disa prej arsyeve kryesore?

Në ligjin për pushtetin vendor, në nenet e tij 54 dhe 55, si dhe Kushtetuta e vendit në nenin e saj 113, fryma e Konventës së Autonomisë Vendore për decentralizim dhe balancim të pushteteve vendore dhe qendrore, në të cilat theksohet qartë që “tjetërsimi i hapësirave publike, kërkon 3/5 e votave të anëtarëve të Këshillave vendorë”. Kjo kompetencë e jona, për hapësirën e Teatrit Kombëtar, prej 2100 metrash që është në pronësi të qytetit të Tiranës, nuk u zbatua dhe kaloi në këshill. Për ne si këshilltarë, si gardianë të interesit të qytetarit, është shumë e rëndësishme që këshilltarët të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore, në mirë qeverisje të qytetarëve që i kanë mandatuar. Në funksion të kësaj që shpjegova, dhe duke qenë të bindur, se vetëm zbatimi i ligjit, dhe jo shkelja e tij, është detyrim ligjor dhe moral i çdo të zgjedhuri, ne kemi qenë të detyruar për këtë zgjedhje nga ana e jonë, duke pritur një reagim nga ana e maxhorancës në këshill, për të rikthyer kompetencat e uzurpuara.

A jeni përpjekur të dialogoni apo të arrini në kompromis me këshilltarët e maxhorancës?

Ne kemi dialoguar me kolegët e maxhorancës, por kompromis bëjmë vetëm dhe vetëm me zbatimin e ligjit. Askush nuk mund të bëjë kompromise në kundërshtim me ligjin, kushtetutën, dhe interesat e qytetarëve. Ne i kemi kërkuar këshillit të zbatojë vendimet e gjykatave, ose në mbledhjen e fundit, i kërkuam që së bashku të hartojmë një kërkesë drejtuar Kuvendit, për të na rikthyer kompetencat që na njeh ligji, pasi ne besojmë se ky është një problem që prek edhe këshilltarët e maxhorancës dhe jo vetëm të opozitës. Ligji flet për votim të vlefshëm me 3/5, dhe detyrimisht janë këshilltarët e maxhorancës, të cilëve më së shumti iu është mohuar kjo e drejtë që u takon atyre. Ndaj dhe opozita, ka kërkuar që kërkesa të jetë e përbashkët me kolegët e maxhorancës, pasi fare mirë ne mund të bënim një kërkesë vetëm si opozitë, por për ne nuk është e rëndësishme interesi politik apo përfitimi partiak, por zbatimi i ligjit dhe ushtrimi ligjor dhe i pavarur i mandatit të secilit prej anëtarëve të Këshillit Bashkiak.

Mendoni se braktisja e mbledhjes është zgjidhja më e mirë?

Unë mendoj që zgjidhja më e mirë është zbatimi i ligjit, dhe rikthimi i kompetencave që Kushtetuta u njeh autoriteteve kolegjiale të qeverisjes vendore. Opozita është në një marrëdhënie të kushtëzuar, dhe nuk është në një braktisje. Ne nuk kemi braktisur interesat e qytetarëve, por përkundrazi, veprimet tona, janë në mbrojte të të drejtave të komunitetit, dhe kundër çdo vendimmarrje në interes antiligjor të oligarkëve. Ndaj edhe këshilltarët e opozitës marrin pjesë aktive në komisionet ku diskutohen paraprakisht vendimet e Këshillit si dhe japin votën e tyre pro, për çdo vendim të ndihmës ekonomike dhe sociale. Por, unë mund t’ju them, se kjo situatë, e cila nuk po gjen zgjidhje dhe respektim ligjor, po agravohet çdo ditë e më shumë, dhe në radhët e kampit opozitar në Tiranë, që tashmë, është zgjeruar përtej dy partive kryesore të opozitës, LSI dhe PD, edhe me parti apo faktorë të tjerë, është duke u diskuar edhe vendimi i djegies së mandateve nga këshilltarët bashkiak të opozitës. Unë uroj që maxhoranca të reflektojë, dhe të mos detyrojë opozitën në Këshillin Bashkiak, për të ndërmarrë këtë akt fundor të veprimtarisë politike të organeve kolegjiale të zgjedhura me votë të qytetarëve.

Sipas jush si duhet negociuar për zgjidhjen e situatës?

Siç e theksova dhe më sipër, negociatat duhet të bazohen vetëm në zbatimin e ligjit, kushtetutës, dhe frymës së decentralizimit sipas konventave dhe organizmave ndërkombëtarë dhe evropianë të qeverisjes vendore. Negociatat duhet të kenë si qëllim vetëm kthimin e qeverisjes vendore te qytetarët, dhe përmirësimi i jetesës së komunitetit të Tiranës dhe zonave përreth. Unë vazhdoj të besoj, që maxhoranca në këshill, do t’i bashkohet kërkesave të opozitës, të cilat janë vetëm në zbatim te ligjit të frymës kushtetuese të decentralizimit vendor, në mënyrë që t’i shërbejmë qytetarëve që na kanë zgjedhur.