Brazili është epiqendra e koronavirusit për Amerikën Latine, me më shumë se 1,3 milionë persona të diagnostikuar dhe 57 mijë viktima. Sëmundja infektive pritet të ketë efekte të rënda në ekonomi, duke e tkurrur atë me deri 9 për qind brenda vitit.

Amerika Latine numëron rreth 25 për qind të rasteve me covid në botë, duke qenë një nga epiqendrat botërore të pandemisë.

Vetëm Brazili diagnostikoi një ditë më parë më shumë 30 mijë raste të reja me koronavirusin e ri, duke e çuar në 1,3 milion totalin e të infektuarve.

Bilanci i jetëve të humbura gjithashtu u rrit mbi 57 mijë, shifër kjo e dyta më e larta në botë pas SHBA-së, me më shumë se dyfishin e viktimave, ndjekur më pas nga shtetet europiane si Britania e Madhe, Italia dhe Franca.

San-Paoloja mbetet rajoni më i prekur brazilian me 271 mijë raste dhe 14 mijë të vdekur, duke paraprirë Rio-De-Zhanejros me 111 mijë raste dhe afro 10 mijë viktima.

Me një popullsi prej 200 milionë banorë apo më pak se dy e treta e SHBA-së, shteti amerikanojugor po konfirmon dyfishin e rasteve ditore për një milion banorë.

Por rajoni lindor i Rio-De-Zhanejros në fundjavë rihapi dyqanet, parukeritë dhe sallonet e bukurisë pas më shumë se 100 ditëve, nën masat e rrepta të sigurisë, dezinfektimit dhe frekuentimit nga qytetarët.

“Rikuperimi ekonomik do marrë kohë sepse njerëzit janë ende të shqetësuar për covid-19 dhe nuk dëshirojnë të dalin. Ne e rinisim punën sepse kemi borxhe, por me kujdes të madh si për stafin, edhe për klientët.”

“Mendoj se rihapja duhet bërë hap pas hapi. Të shmangen turmat, të mbahen distanca prej dy metrash. Të gjithë e dimë se ekonomia po shkon në kolaps dhe na duhet puna.”

Ekspertët mendojnë se agresiviteti dhe pasojat ekonomike të covidit në Brazil janë ndër më të rëndat në botë.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia braziliane këtë vit parashikohet të tkurret mes 5,3 dhe 9,1 për qind.

Shteti latin konfirmoi rastin e parë me kovidin-19 më 26 shkurt, ndërsa tani rezulton vendi më i goditur nga pandemia, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.