Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë tashmë është kthyer në një atraksion të mirëfilltë turistik. Brenda këtij parku gjendet dhe një prej fshatrave, që vizitohet më shpesh për vet shtrirjen e tij gjeografike, për historinë, bëmat dhe kulturën e trashëguar.

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë tashmë është kthyer në një atraksion të mirëfilltë turistik. Brenda këtij parku gjendet dhe një prej fshatrave që vizitohet më shpesh për vet shtrirjen e tij gjeografike, për historinë, bëmat dhe kulturën e trashëguar. Stebleva shtrihet midis zonës së Dibrës dhe asaj të Librazhdit. Ajo është perlë e vërtetë për bukuritë e rralla natyrore. Është shumë e përshtatshme për turizëm, pasi verës ka lulëzim të plotë, ndërsa dimrit mbulohet me borë, pra është e përshtatshme për turizmin e bardhe dhe sportin e skive. Shumë steblevas, tashmë biznesmenë, kanë ndërtuar shtëpi, ku qëndrojnë për pushime.

Turizmi klimaterik malor

Qendrat e turizmit klimaterik malor ngrihen në vende ku kushtet klimaterike janë më të mira se ato të vendbanimit të përhershëm. Klima është motivi kryesor tërheqës, që i shndërron këto vende në destinacione turistike. Kjo zonë karakterizohet nga një klimë me ajër të pastër dhe të shëndetshëm që shkarkohet nga lartësia mbi nivelin e detit mbi 1000 metra, nga prania e pyjeve, nga ujërat e ftohtë, si dhe nga fakti që kjo zonë është tërësisht me orientim bujqësor dhe blegtoral, faktorë këta që i motivojnë turistët potencialë në përzgjedhjen e destinacionit turistik në kërkim të kushteve më të mira. Të ardhur në këto zona për turizëm klimaterik janë ish-banorët e kësaj zone dhe së fundmi edhe të huaj që kanë marrë informacion për veçantitë e zonës dhe të shtyrë nga kurioziteti për këto vise të bukura dhe për të kaluar disa ditë në ajrin e pastër dhe klimën e mrekullueshme. Këta vizitorë mund të sistemohen në shtëpitë e fshatarëve si miq, por edhe në qendra hotelerie, që kanë filluar të ndërtohen. Tani së fundi disa biznesmenë dhe investitorë vendas kanë ndërtuar edhe shtëpi të vogla turistike. Prej shumë vitesh po zhvillohet një lloj turizmi që lidhet me mjedisin rural. Pritja e turistëve këtu mund të bëhet në hotele, pensione, kampingje, apartamente të lëna me qira, në shtëpi të dyta të fshatarëve etj.

Agroturizmi

Agroturizmi është një tjetër mundësi ekonomike për zonën dhe përfaqëson atë lloj turizmi që është i lidhur me fshatin, ku krahas veprimtarive argëtuese turistike, zhvillohen edhe veprimtari të tjera karakteristike të zonës si, korrje, vjelja e frutave, përgatitja e ushqimeve, ëmbëlsira të veçanta, punime artizanale etj. Pushimi nëpërmjet agroturizmit nuk përfshin vetëm momentin e pushimit apo një argëtim të thjeshtë, por paraqet mundësi për t’ju përkushtuar veprimtarive që synojnë të pasurojnë personalitetin e turistit. Pra, bëhet fjalë që të praktikohen pushime inteligjente, të stimuluara në mënyrë të kulturuar, ku koha kalohet sipas dëshirave të vizitorit. Format e agroturizmit janë të shumta. Ato ndryshojnë sipas vendeve dhe brenda vendit, sipas rajoneve për nga karakteristikat e pritjes, shërbimeve të afruara, mjedisi, kushtet natyrore etj. Agroturizmi ose turizmi rural, është motivi më tërheqës. Ekoturizmi është destinacioni final i kësaj zone. Ai fillon me një shëtitje të zakonshme përmes një pylli të qetë, deri në eksplorimin dhe studimin e karakteristikave natyrore origjinale të viseve të largëta. Parqet natyrore, rezervatet e gjuetisë, peizazhet e mbrojtura etj, janë rajone ekoturistike, që tërheqin vëmendjen e për vlerat rekreative, edukuese dhe estetike të tyre.

Ekoturizmi

Shërbimet bazë për zhvillimin ekoturizmit, për ta bërë atë një faktor të rëndësishëm ekonomik në rajon, janë sigurimi i transportit dhe infrastruktura, ndërkohë që për kushtet e sistemimit dhe të ushqimit kërkesat mund të jenë shumë modeste. Ndërtimet në këto qendra turistike janë të kontrolluara dhe në harmoni të plotë me mjedisin për rreth. Qendrat turistike të ekoturizmit janë mjedise të mbrojtura, të cilat janë të vendosura në relieve dhe kushte klimaterike të ndryshme. Këtu mund të shfrytëzohet edhe turizmi i gojëdhënës apo mitit, i kuriozitetit dhe ngjarjeve e historive të ndodhura.