Megjithëse fitoi betejën me FIFA-n, duke hedhur poshtë vendimin që e ndalonte të bënte merkato, Chelsea vendosi të mos shpenzojë gjatë janarit. Blutë e Londrës po mendojnë për sezonin e ardhshëm, duke bërë edhe goditjen e parë në tregun e transferimeve. Mediat holandeze bëjnë të ditur se është arritur marrëveshja me Ajax për blerjen e kartonit të Hakim Ziyech. Bashkë me De Ligt dhe De Jong, futbollisti maroken ishte një nga yjet e skuadrës së Amsterdamit në ecurinë fantastike gjatë edicionit të shkuar në Champions League.

Hakim Ziyech

Duke qëndruar në atë që raporton e përditëshmja “De Telegraff”, Chelsea dhe Ajax kanë arritur akordin që parashikon transferimin e 27 vjeçarit në Premier League për 45 milion euro. Kjo marrëveshje në merkato nuk e ka zbutur aspak raportin e tendosur gjatë ditëve të fundit mes dy klubeve. Në fakt, Ajax kërkon një dëmshpërblim 12 milion euro nga UEFA pas gabimeve arbitrare në përballjen direkte kundër Chelsea në ndeshjen e Champions League të luajtur në muajin nëntor.