Brazili ka regjistruar një rekord të numrit ditor të viktimave prej koronavirusit. Vendi tashmë renditet i treti në botë për nga rastet e konfirmuara. Presidenti i vendit vazhdon t’i minimizojë pasojat e pandemisë.

Brazili ka regjistruar ditën më të zezë me pandeminë.

1,179 persona humbën jetën të martën pas infektimit me koronavirus, bilanc ditor që për herë të parë kaloi shifrën 1 mijë për vendin latinoamerikan, duke e çuar në afro 18 mijë numrin e përgjithshëm të viktimave.

Autoritetet vërejnë një përshpejtim të krizës ndërsa presin që kulmi i sëmundjes të arrihet në qershor.

Me mbi 270 mijë të infektuar në mbarë vendin, në tri ditët e fundit Brazili u ngjit me tri vende në listën globale për rastet e konfirmuara, duke u renditur menjëherë pas SHBA-së dhe Rusisë.

“Po e humbasim betejën me virusin, ky është realiteti. Pushimet që po vijnë unë nuk i shoh si të tilla por si ditë beteje, më kryesoret kundër virusit,” shprehet drejtori i qendrës për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në qytetin e San-Paolos.

Spitalet aty dhe në shumë qytete të tjera të vendit janë mbingarkuar me pacientë dhe parashikohet të hyjnë në krizë brenda pak ditëve.