Intervista e Deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari për emisionin 7pa5 në Vizion Plus

Si do të jetë aksioni i LSI apo dhe opozitës në nivel makro në këtë vit të ri?

LSI është në axhendën e saj përsa i përket opozitës. Ne kurrsesi nuk është se kemi ndonjë ndryshim në raport me 2018. Ne jemi në vazhdimësi të aksionit tonë, filozofisë sonë politike. Jemi duke bërë opozitë me këtë qeveri dhe këtë kryeministër sepse për këtë dhe jemi mandatar. Por ajo çka duhet të theksoj në këtë vit të ri të 2019, nuk është se ka sjellë ndonjë ndryshim nisja e këtij viti në raport me qeverinë apo me qeverisjen e vendit.

Ka sjellë ndryshime në qeveri të cilat nuk janë dekretuar të gjitha nga Presidenti Meta por i kemi këto ndryshime…

Ndryshimet në qeveri nuk sjellin ndonjë risi për qeverisje  e vendit sepse është e njëjta filozofi hajdutërie e Edi Ramës. Është e njëjta filozofi e centralizimit të kabinetit, e njëjta filozofi ku është një person në krye që drejton gjithçka sipas skenës së tij. Dhe të jeni të bindur që vendos disa kukulla në drejtim të institucionet për t’i marrë në qafë sepse i duhen disa firma për të bërë disa koncesione dhe për të vjedhur dhe qindarkën e fundit  që kanë mbetur në arkat e shtetit për shqiptarët.

Nuk i bënte dot me ministrat e vjetër se ishin dhe të sprovuar?

Sigurisht që ishin më të sprovuar, por hoqi disa noter dhe po vendos disa noter të rinj.

Nuk e shikoni si impuls të ri, si pozitive?

Nuk,është impuls i ri sepse kur ti ndryshon mbi 50% të kabinetit dhe ai që drejton është në krye përsëri të qeverisë, nuk ka ça impulsi të ri të sjellë. I kanë rënë impulset Edi Ramës.

Ai është mandatar për të qenë Kryeministër…

Është mandatar për të qenë Kryeministër, po i referohem fjalës suaj, sepse për ne nuk ka marrë besimin e shqiptarëve, sepse ai e deformoi vullnetin e shqiptarëve.. por nuk do të ndalem në këtë gjë. Dhe nëse është mandatuar, është mandatuar për të qeverisur vendin. Për ta nxjerrë vendin nga varfëria. Për të hapur vende të reja pune. Për të krijuar mundësi për të rinjutë në këtë vend dhe jo për të larguar 79% të të rinjve nga vendi. Ku sipas të gjitha sondazheve por edhe institucioneve të huaja, 70% e të rinjve të këtij vendi kërkojnë të largohen. Pse? Sepse nuk ka shpresë, nuk ka vende pune, nuk ka mundësi arsimi. Shikoni se çfarë ndodh me studentët.

Kemi parë në fakt një LSI në këto ditë të para të 2019 por dhe gjatë 2018, në aksion të vazhdueshëm, në takime me strukturat edhe në mbështetje të protestës së studentëve. Duket si një ndezje motorësh për zgjedhjet elektorale apo mbështeteni te kauza e studentëve?

E kam thënë dhe herë të tjera që LSI, nuk i fik ndonjëherë motorët. Nuk e ndan vit elektoral apo vit jo elektoral. Ne jemi gjithmonë në aksion sepse kjo është dhe filozofia jonë. Ndaj dhe LSI është kjo forcë politike që është. Ndaj dhe LSI-ja është forcë politike që është pranë qytetarëve. Ju e shikoni që Kryetarja e LSI-së është në takime në të gjithë vendin me të rinjtë, me gratë, me anëtarët e partisë, me qytetarët. Jo vetëm thjesht për të karikuar strukturat dhe për të organizuar LSI-në, por për të komunikuar drejtpërdrejtë me qytetarët e këtij vendi, me qëllim që mesazhet tona politike që japim, por edhe alternativa jonë e qeverisjes së nesërme të jetë një alternativë që buron nga kërkesat dhe nevojat që sot kanë qytetarët e këtij vendi. Dhe është e qartë. Qytetarët e këtij vendi kërkojnë që Shqipëria të dalë nga varfëria. Qytetarët e këtij vendi kërkojnë hapjen e vendeve të reja të punës. Qytetarët e këtij vendi kërkojnë që të rinjtë dhe të rejat të mos largohen nga vendi, por të qëndrojnë këtu. Por nga ana tjetër qytetarët kërkojnë që studentët dhe nxënësit të kenë një sistem arsimor që t’i shërbejë atyre, por edhe tregut të punës së të nesërmes. Sepse e gjithë kjo revoltë studentore nuk ka vetëm një fillesë po themi tarifën, por ka një mllef të akumuluar ndër vite. Ka një kërkesë ekonomike të familjarëve dhe prindërve të tyre. Prindërit e tyre jetojnë në kushte shumë të vështira. Nuk kanë mundësi të paguajnë biletën e fugonit apo të autobusit që vijnë fëmijët në Tiranë, dhe jo më tarifat e larta dhe klienteliste të kësaj qeverie.

Cilat do të jetë marrëdhënia që do të ketë LSI-ja, por edhe opozita me Parlamentin? Do të jetë një marrëdhënie e kushtëzuar, ku ju do të ktheheni herë pas here për çështje të ndryshme, apo do të jetë një marrëdhënie që ju do të vazhdoni të shkoni në Parlament dhe ndërkohë do të vazhdoni aksionin tuaj në mbështetje të qytetarëve?

Ne asnjëherë nuk kemi bojkotuar Parlamentin.

Keni pasur një marrëdhënie të kushtëzuar…

Po kemi pasur një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës. Dhe në atë mënyrë sesi Edi Rama e përdor Parlamentin. Parlamenti nuk mund të jetë një vend ky hyjnë kriminelët. Parlamenti nuk mund të jetë një vend thjesht që voton projektligjet e Edi Ramë pa u certifikuar nga Gjykata Kushtetuese. Sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Edi Rama e ka shkatërruar Gjykatën Kushtetuese në vend. Pra nuk ka sistem që të certifikojë. Edi Rama është mjeshtër i heqjes së përgjegjësisë nga vetja e tij. Gjithmonë thotë që fajin e ka opozita, thotë që fajin e ka qytetarët, thotë që fajin e kanë anëtarët e partisë e të tjerë me radhë. I vetmi person që ka përgjegjësi konkrete për shkatërrimin e vendit, për shkatërrimin e Gjykatës Kushtetuese është Edi Rama. I vetmi person që ka përgjegjësi konkrete për varfërinë që po kalojnë shqiptarët është Edi Rama, sepse ai e drejton këtë qeveri. Dhe nuk mund ti ikë kësaj përgjegjësie. Dhe jo të heqë 7 ministra ai, po sikur dhe të gjithë kabinetin ta largojë, të heqë dhe ministrat e fundit që i kanë mbetur, duhet të iki Edi Rama. Sepse ai është përgjegjësi kryesor që Shqipëria është në këtë situatë.