Dervishaj-Bersin ndjekin nga afër zbatimin e masave të sigurisë dhe kontrollet në Portin e Durrësit

unnamed-1

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Sokol Dervishaj, së bashku me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, z. Alan Bersin, kanë zhvilluar një vizitë në Portin e Durrësit, duke parë nga afër zbatimin e elementeve të sigurisë nga agjencitë. Ministri Dervishaj dhe z. Bersin, panë mënyrat e funksionimit të sistemeve të sigurisë në Port, një pjesë e të cilave janë dhënë nga autoritetet amerikane. Ministri Dervishaj tha se prania dhe vizita e zotit Bersin, është shenjë e qartë e bashkëpunimit të ngushtë që kemi me partnerin tonë strategjik SHBA. Ministri theksoi se falë edhe ndihmës dhe mbështetjes së SHBA-ve, siguria në porte dhe facilitete të tjera do të jetë e lartë dhe do të përmirësohet akoma më shumë. Dervishaj tha se pala shqiptare është e angazhuar maksimalisht, për të përmbushur sfidat e sigurisë.

Jemi shumë të privilegjuar, që jemi sot për një inspektim në Portin e Durrësit, me një nga përfaqësuesit më të lartë të Qeverisë Amerikane në Çështjet e Sigurisë, veçanërisht të sigurisë kombëtare, të sigurisë së faciliteteve siç janë portet dhe aeroportet, me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, z. Alan Bersin. Kjo është një shenjë e qartë e një bashkëpunimi të ngushtë që ne kemi me një partner strategjik, siç është SHBA. Një bashkëpunim që ka një funksionim të shkëlqyer, por për shkak se ne jemi në parametra përmirësimi kemi nevojë për të rritur kapacitetet tona, për të rritur mënyrën e koordinimit, veçanërisht mes agjencive të zbatimit të ligjit që kanë përgjegjësi direkte mbi administrimin, monitorimin dhe operimin e porteve dhe aeroporteve, pra pikave hyrëse më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë. Për këtë kërkohet koordinim, për këtë kërkohet bashkëpunim, për këtë kërkohet rritje e kapaciteteve, dhe kjo është ajo që ne po bëjmë së bashku me partnerët tanë amerikanë. Besojmë që ky bashkëpunim i shkëlqyer do të vazhdojë me të njëjtën mënyrë, me njëjtat ritme dhe me të njëjtat parametra edhe në të ardhmen. Besojmë që edhe rezultatet e përmirësimit të dukshëm të administrimit dhe të operimit do të jenë akoma dhe me të lartë në të ardhmen në interesin e qytetarëve shqiptarë, sigurisht të Republikës së Shqipërisë, por edhe në interes të përbashkët me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me partnerin tonë kryesor strategji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua të falënderoj edhe një herë z. Bersin për vizitën e tij në Shqipëri dhe për angazhimin në emër të Qeverisë së SHBA-ve për të vazhduar këtë marrëdhënie të shkëlqyer që ne kemi”, – tha z, Dervishaj në prononcimin e dhënë për median.

Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, z. Alan Bersin, falënderoi Ministrin Dervishaj për pritjen dhe vullnetin për të përmirësuar nivelin e sigurisë. Z. Bersin tha se bashkëpunimi mes vendeve është i lartë, dhe u shpreh besimplotë se ky bashkëpunim do të vazhdojë të jetë i ngushtë edhe me administratën e re.

“Ndodhem në Portin e Durrësit, bashkë me Ministrin e Transportit Sokol Dervishaj dhe përfaqësues të forcave të sigurisë. Dua të falënderoj kolegun tim Ministrin Dervishaj, për pritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin që kemi, dhe pres që ky bashkëpunim të forcohet dhe përmirësohet më tej. Ishte kënaqësi për mua që ndoqa nga afër si funksionon siguria në Portin e Durrësit, veçanërisht infrastruktura e sigurisë detare. Gjatë vizitës time në Shqipëri, konstatoj me kënaqësi se bashkëpunimi në aspektet e sigurisë është i fortë, dhe do të bëhet akoma dhe më i fortë në vazhdimësi. Duke pasur parasysh sfidat globale dhe mundësitë, është e rëndësishme që dy vendet tona, të vazhdojnë bashkëpunimin në sigurinë kufitare. Në këtë kontekst ne ndajmë dhe shkëmbejmë praktikat më të mira, informacionin, por japim edhe eksperiencën tonë dhe mësojmë nga kolegët tanë shqiptare, si është siguria këtu. Mbeta shumë i kënaqur me sistemin e informimit që është vendosur këtu në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, ose siç njihet ndryshe sistemi “TIM-S”. Gjithashtu mbeta i kënaqur me kapacitet e kontrolleve fizike dhe me anë të skanerit. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Qeverinë e Shqipërisë, dhe jam besimplotë se administrata e re amerikane, do të vazhdojnë bashkëpunimin me Shqipërinë. Bashkëpunimi ndërmjet agjencive, mes policisë, Ministrisë së Transportit dhe agjencive të tjera është shumë i rëndësishëm. Për shembull, në Portin e Durrësit, Ministria e Transportit është duke punuar me agjenci të tjera, si me policinë kufitare dhe doganat, për të pasur parametra të lartë të sigurisë dhe monitorimit, por edhe që gjithçka të kryet në mënyrë profesionale dhe të ndershme. Nga takimet e zhvilluara, dua të them se bashkëpunimi është i lartë. Bashkëpunimi për sigurinë është shumë i mirë dhe ka dëshirë për ta përmirësuar edhe më shumë. E di edhe nga miku im i mirë Ministri Dervishaj, se ka determinim dhe vullnet maksimal për të vazhduar përmirësimin”, tha z. Bersin. 

Gjatë vizitës i pranishëm ishte Zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Bahri Shaqiri dhe përfaqësues nga Policia Kufitare dhe të Autoritetit Portual Durrës.

(Burimi:Integrimi.al/Xh.N)

 

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al