Nuk janë destinacione turistike të preferuara, por vende që në dukje kanë probleme për sigurinë e jetës

14 mijë persona nga nacionalitete të ndryshme të botës, kanë qenë pjesë e një studimi mbi aspektet e ndryshme të jetesës në vendbanimin, apo shtetin e tyre të ri. A keni menduar ndonjëherë të emigroni apo të zgjidhni një vend tjetër, veç atij të lindjes, për të punuar e jetuar? Nuk bëhet fjalë për destinacione turistike të preferuara, kjo është e qartë, pasi do të kishte shumë përputhje e madje do të shpërthenin shpalosjet plot mburrje të njohurive që do të ofronin vende tropikale plot ngjyra e ishuj ekzotikë. Por, renditja e mëposhtme nuk ka të bëjë fare me to dhe për shumëkënd mund të duket e habitshme të gjejë në të shtete si Meksika, apo Ekuadori, të cilat në shumë aspekte përmenden apriori si shtete problematike e të pasigurta, ku askush nuk do donte të “digjte” vite të vlefshme të jetës së vet. Pjesëmarrësit në studim iu përgjigjën pyetjeve rreth aspekteve të ndryshme të jetesës në vendbanimin, ose shtetin e tyre të ri, në lidhje me punën e tyre, familjen ose dhe situatën financiare.

Ekuadori

Ekuadori është shpallur për herë të dytë në fakt, fitues i listës me një distancë të qartë, duke u perceptuar si më i preferuari për ata që dëshirojnë të braktisin vendin e tyre e të jetojnë diku gjetkë. Në këtë rast, gjinia e pjesëmarrësve në sondazh, nuk luan kurrfarë roli: vendi shumëngjyrësh në Amerikën Jugore, është i preferuar, si nga meshkujt, ashtu dhe nga femrat.

Meksika

Me të gjitha shqetësimet për çështjen e sigurisë, Meksika ia ka dalë të kapë vendin e dytë në renditje. Më shumë se katër nga pesë të pyeturit, thanë se ishte e lehtë të mësoheshin me kulturën meksikane, dhe se më shumë se 90 për qind e tyre e pëlqejnë mënyrën e përzemërt të sjelljes së meksikanëve.

Malta

Pjesëmarrësit në studimin e “Expat Insider”, kanë pohuar se Malta është dhe vendi më i mirë për të punuar e jetuar jashtë vendit tënd. Kënaqësia e përgjithshme në punë është disi e lartë dhe më shumë se dy të tretat e të pyeturve janë të kënaqur me shanset e tyre për të bërë karrierë, balancën mes jetesës dhe punës dhe në veçanti javën e tyre të punës.

Singapori

Tigri i Azinë juglindore, është një vend atraktiv, që ofron shumë mikpritje për të gjithë ata që janë në kërkim të një pune të mirëpaguar. Cilësia e shkëlqyer e jetës, kujdesi i mirë shëndetësor, një infrastrukturë moderne, si dhe anglishtja si gjuhë zyrtare, tërheqin shumë të huaj nga e gjithë bota.

Luksemburgu

Dy të tretat e të huajve që punojnë atje, shprehen shumë të kënaqur me vendin e tyre të punës në Luksemburg. Edhe shanset për karrierë apo t’u ndier mirë me vendin e punës, janë pika të tjera plus për vendin e vogël me karakteristika të forta financiare.

Zelanda e Re

Një shumicë e qartë ndër të huajt, është e kënaqur nga mundësitë e shumta të kalimit të kohës së lirë, por edhe prej kulisave mbresëlënëse natyrore, si dhe nga kultura relaksuese e “Kiwi”-t, që ndihmon për t’u ndier si në shtëpi.

Tajlanda

Me gjithë taksat e larta studimore e universitare, që aplikohen për shkollat ndërkombëtare, kostot e jetesës në Tajlandë janë ato që balancojnë panoramën. Situata financiare, banorët mikpritës dhe moti përrallor, janë edhe disa prej arsyeve, se përse 87 për qind e të huajve që jetojnë atje, e duan jetën në Tajlandë.

Panamaja

“O sa e bukur është Panamaja”: kështu thonë të huajt në Panama, që pohojnë se ata qysh prej largimit nga shtëpia e ardhja në dhe të huaj, në Panama, janë tashmë shumë më të kënaqur. Në fakt, 14 për qind e të pyeturve pohojnë se, kërkimi për një jetë më të mirë, ka qenë edhe arsyeja kryesore për lëvizjen e tyre drejt atij vendi.

Kanadaja

Katër nga pesë të huaj, e vlerësojnë mikpritjen e popullsisë kanadeze: ata ndihen të pritur mirë në Kanada. Shumë syresh vlerësojnë edhe organizimin e mirë të kohës së lirë atje dhe familjet me fëmijë mendojnë se qëndrimi i tyre në Kanada, ndikon më së miri në mirëqenien e tyre personale, e të jetesës së tyre familjare.

Australia

Të huajt në këtë vend nuk duan vetëm motin e mrekullueshëm, panoramat e ndryshme shumëngjyrëshe që të ofron me shumicë dhe ofertën për kalimin sa më të mirë të kohës së lirë: edhe vetë natyra e veçantë e australianëve, u shkon më së miri për shtat të huajve që vendosin të jetojnë atje. Rreth 80 për qind e të huajve, thonë se australianët i përthithin shpejt ata në shoqërinë e tyre dhe ata ndihen më pas si në shtëpi.