Dita e sotme pritet të jetë vendimtare për transferimin e mundshëm të Edin Dzekos te skuadra e Interit.

Administratori i deleguar sportiv i zikaltërve, Giussepe Marotta, pritet të vijë me një ofertë të re për skuadrën e Romës, prej 18 milionë eurosh.

Me Perisic që është pranë Bayern Munchen dhe Joao Mario gjithashtu me valixhe në duar, Marotta ka gjetur paratë shtesë për të bindur kryeqytetasit që të lënë të lirë sulmuesin, i cili edhe në ndeshjen e djeshme ndaj Realit të Madridit luajti si titullar, duke shënuar madje edhe një gol për Romën.

Gjithsesi, më shumë sesa për Edin Dzekon, dita e sotme mund të sjellë një kthesë të rëndësishme, pasi pjesë e kësaj tratative mund të bëhet edhe Mauro Icardi.

Ish-kapiteni zikaltër, i cili vazhdon që të zhvishet nga çdo “aset” që mund ta lidhë me Interin, kur së fundmi iu hoq edhe numri 9 (e mori Lukaku), sulmuesi mund të vendosë që të pranojë një transferim në radhët e Romës.

Verdhekuqtë tashmë janë shndërruar në një kandidat serioz për të blerë shërbimet e argjentinasit, aq sa sot do të provojnë të bindin fillimisht Interin me një ofertë prej 45 milionë eurosh, plus kartonin e Edin Dzekos dhe më pas do të nisin bisedimet për të gjetur edhe akordin ekonomik, për sa i përket pagës së futbollistit.

Nëse deri dje, objektivi kryesor i kryeqytetasve ishte juventini Gonzalo Higuain, për të cilin i ofruan 34 milionë euro, plus 5 milionë euro neto si rrogë në vit lojtarit, drejtuesit e Romës do të kërkojnë që ta mbyllin sa më shpejt me Mauro Icardin, duke provuar që ta bindin këtë të fundit me një pagë prej 9 milionësh neto në sezon, përfshirë bonuset.

Dhe ndoshta, me një lëvizje, si Interi ashtu sikurse edhe Roma do të zgjidhnin dy çështje që janë shndërruar në telenovela të gjata dhe të lodhshme këtë verë.