Ndryshime të rëndësishme në temperaturat pritet të ndodhin ditën e dielë, e cila do të përpiqet të harmonizohet me standardet e dimrit, ku nga kalendari dhe nga pikëpamja meteorologjike fillon më 1 dhjetor.

Sipas Shërbimit Meterologjik Ushtarak, për ditën e nesërme vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike me motin i cili pritet të jetë i kthjellët në të gjithë territorin përjashtuar vranësirat e pakta kalimtare.

Era do të fryjë me shpejtësi mesatare 3-8m/s me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut por përgjatë vijës bregdetare, zonat luginore të vendit si dhe zonat fushore ajo hera herës do të fitojë itensitet deri në 15-20m/s.

Për shkak të masave ajrore të ftohta me origjinë veriore temperaturat e mëngjesit pritet të kenë një rënie të ndjeshme duke prekur vlerat nga 0ºC në relievet malore deri në 6ºC në ato bregdetare. Në vlerat e mesditës temperaturat në zonat malore nuk pritet ti kalojnë 8ºC ndërsa ato në zonat bregdetare dhe ato të ulta 19ºC.