Intervista e deputetit të LSI-së, Edmond Panariti në emisionin “Ditë E Re” për Ora News

Sa e lartë është siguria për ushqimet që ne konsumojmë zoti Panariti?

Unë mendoj që shqiptarët janë më të sigurt nga ç’kanë qenë më përpara për sa i përket sigurisë ushqimore për të qenë objektiv dhe për të qenë realist. E para vetë zhvillimi i biznesit dhe krijimi i institucioneve tashmë të dedikuara ndaj sigurisë ushqimore sikundër është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i cili ka edhe filialet e tij në të gjitha qarqet. Por edhe ndërgjegjësimi i konsumatorëve është edhe shumë më i lartë nga çka qenë para 10 vitesh. Njëkohësisht edhe bizneset kanë më shumë mundësi për të investuar në infrastrukturën që garanton sigurinë dhe cilësinë e ushqimit. Pra për të qenë objektiv pavarësisht se jemi në opozitë kemi një rritje të sigurisë ushqimore. Sigurisht që në rrjetet sociale tashmë secili ka të drejtë të postojë dhe natyrisht një fotografi e një domateje me gjete të dala, një kastravec super gjigant, bëhen virale si informacion. Dhe për rrjedhojë , duke qenë se kanë akses tek një numër shumë i madh ndjekësish, krijojnë edhe një panik shumë më të madh se më përpara kur këto mundësi nuk ekzistonin. Por kjo nuk do të thotë që siguria ushqimore është në përkeqësim, përkundrazi është në përmirësim. Por ka gjithmonë dhe një por. Rreziku është që siguria ushqimore, standardet e cilësisë dhe sigurisë, ndonjëherë edhe përdoren ose keqpërdoren nga autoritetet që monitorojnë cilësinë dhe sigurinë, për të krijuar disbalanca në treg ose favorizime. Dhe kjo duket qartë veçanërisht në zellin që po tregohet për fat të keq nga disa segmente të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për të nxjerrë jashtë loje biznesin e vogël. Pra shkohet tipikisht nga inspektorët për të bërë kontroll dhe pa krijuar një raport miqësor me biznesin e vogël, pra t’i lihet atij një afat për t’u përmirësuar, për të vendosur standardet e cilësisë i vendoset shiriti i bllokimit dhe gjoba të rënda penalizuese. Dhe kjo dekurajon shumë biznese të vogla dhe unë e shikoj këtë dhe si një instrument për të favorizuar të mëdhenjtë. Pra të shtypim xhuxhët dhe të ushqejmë gjigandët. Por jo vetëm në ekonominë shqiptare por edhe në atë italiane, gjermane, greke, baza e zhvillimit ekonomik është biznesi i vogël, nuk është biznesi i madh. Pra strumbullari i ekonomisë së një vendi është biznesi i vogël. Pra në momentin që biznesin e vogël e shtyp nën emrin dhe pretendimin e standardeve të cilësisë dhe sigurisë duke mos i lënë atij shteg për t’u përmirësuar duket në njëfarë mënyre e dhunuar, të mos ë përkrahësh për të mos i vendosur ato investime në infrastrukturë që i garantojnë cilësi dhe siguri, sigurisht atë e dëshpëron dhe e bën që të mbyllë qepenat. Ai largohet dhe kemi atë fenomen që tashmë e njohim si braktisje,. Të super popullimit të qyteteve dhe të largimit nga fshati veçanërisht ku biznesi i vogël është baza e ekonomisë rurale.

Çfarë mendimi keni për skemat që po aplikohen tashmë nga Ministria e Bujqësisë?

E para unë do të thoja që skemat nuk janë të prekshme. Po mbyllet viti bujqësor dhe deri tani ne kemi listën e fituesve të shpallur sipas programit të subvencionit, të skemave të shpallura dhe deri tani nuk kemi asnjë lloj pagese. Pra praktikisht fermerët po futen në ciklin e ri të prodhimit, gjë që kërkon para. Pre supozohet që të kishin marrë paratë, në mënyrë që të fillojnë ciklin e ri të prodhimit, por realisht nuk janë paguar. Nuk e kuptoj pse Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Pagesave deri tani nuk kanë qenë në gjendje për të paguar përkundrejt aplikimeve që ata kanë bërë. Ekziston dhe një rrezik tjetër që për hir të së vërtetës e kam kaluar dhe unë kur kam qenë ministër. Në momenti që nuk kryhen pagesat, për vonesa burokratike për çështje të thesarit, ndodh rishikimi i buxhetit gjë që e bëri Qeveria para një muaji. Dhe tendenca është për të futur dorën tek thesi i bujqësisë. Ato janë para të dedikuara në fakt sepse janë kontrata të mbyllura me fermerët dhe që presin natyrisht pagesat në konto natyrisht tek biznesi, tek agrobiznesi fermerët. Dhe qeveria papritmas bën rishikim të buxhetit, i shikon ato para të lira dhe i merr e i çon pastaj për investime jo prodhuese. Kjo e fut pastaj të gjithë procesin në një cikël vicioz. Sepse fermerët thonë që gjithë ky mund dhe sakrificë që bëmë ne për të aplikuar, u shpallëm fitues dhe paratë nuk na i jepni. Pastaj me ç’ sy e faqe do t’i ri ftosh ata për të aplikuar vitin tjetër. Nuk do të besojë më njeri, edhe sikur t’i thjeshtosh procedurat gjë që është shpallur me të madhe nga Ministria e Bujqësisë që tashmë mund të aplikohen me një kartë identiteti dhe nuk ka nevojë të plotësoni formularë. Prapë është kohë që ai harxhon dhe në momentin që ti e shpall fitues dhe i thua më fal por nuk ka para mbaruan kuptohet dhe kjo rrit pastaj koston e prodhimit. Në të gjithë botën veçanërisht në Bashkimin Evropian, bujqësia subvencionohet shumë fort. 70% e fondeve të Bashkimit Evropian shkojnë për subvencionimin e fermerëve dhe të bujqësisë. Tek ne nuk subvencionohen. Dhe jo vetëm kaq por janë të ngrirë edhe fondet e Bashkimit Evropian, IPA.  Duhet të ishte hapur thirrja. U tha që do të hapej në fillim të shtatorit, tani jemi në tetor dhe nuk ka asnjë shenjë që kjo thirrje do të hapet. Ajo është një tjetër mundësi që iu vihet në dispozicion fermerëve apo agro punuesve për të fituar para, janë paratë e Evropës. Dhe tashmë Agjencia e Pagesave është e akredituar dhe e njohur nga Bashkimi Evropian. Ato para mund t’ia vërë në dispozicion fermerëve. Sigurisht unë ia kam thënë edhe Zonjës Vlahutin që në aplikimet që fermerët tanë do të bëjnë për të përfituar nga fondet e Bashkimit Evropian, ju duhet të jeni fleksibël. Fermeri shqiptar nuk është fermeri danez, as fermeri gjerman, as fermeri italian. Dhe ti e skualifikon atë dhe ka pasur raste kur fermerë të dëshpëruar që ti e skualifikon  sepse ai në formularin e aplikimit ai në vend që të kryqëzojë kutinë për të përfituar fonde për blegtorinë ka kryqëzuar kutinë për frutikulturën. Por kjo nuk është bazë për t’u skualifikuar. Sepse përkundrazi duhet ri ftuar për ta plotësuar edhe njëherë, korrigjohet dhe mos u tregoni kaq strikt dhe kaq të ftohtë burokratikisht duke e skartuar atë. Sepse ky është edhe një proces që ai mëson sepse është hera e parë. Fermeri i parë nuk ka aplikuar ndonjëherë për fonde të Bashkimit Evropian. Prandaj duhet më miqësor. I kam thënë edhe XHIZ-it që është Agjencia Ekzekutuese e fondeve të Bashkimit Evropian, mos u tregoni kaq puritan. Mos u tregoni kaq të ftohtë. Fermeri shqiptar është në proces mësimi. Pra e pe që ka plotësuar gabimisht mos e skualifiko. Sqaroje dhe instruktoje. Dhe shërbimin e konsulencës për këtë punë e kanë, të ketë një person që ta ndihmojë kur ta plotësojë. Pra duke futur të gjithë këto mekanizma krijojmë atë raport miqësor të fondeve që buxheti i shtetit alokon për fermerin dhe agro biznesin, por dhe fondet evropiane sepse është një proces edhe të mësuari dhe të adoptuari me këto mundësi që ai si ka pasur më përpara. Por në këto momente që flasim për fat të keq nuk ka para ende në xhepat e fermerëve shqiptarë, gjë që i bën ata më pak konkurrues  në raport me importin, se nuk është se prodhon vetëm Shqipëria, bujqësia shqiptare, prodhohet në të gjithë botën edhe për të qëndruar në treg duhet të jesh konkurrues. Për sa kohë që nuk je konkurrues, sepse nuk ke elementët e subvencionit, mbështetjes financiare, të del kosto e lartë dhe kjo është shumë evidente në qarkun e Korçës. Do ti kthehemi më pas kësaj historie.

Nuk kemi shumë kohë në fakt, se kemi vetëm 6 minuta për të shkuar drejt fundit. Do të doja shumë shkurt ta preknim qarkun e Korçës, që vëmendjen që ka qeveria atje, niveli i papunësisë në Korçë. Edhe në Shqipëri, se ju në të vërtetë jeni deputet në Korçë, por është e gjithë Shqipëria.

Po ju mund ta shikoni qarkun e Korçës edhe si një fotografi të gjendjes në Shqipëri, pak a shumë, sado që ka edhe qarqe më të varfra se sa qarku i Korçës, i cili shqyhet për njerëz punëtorë.

Çfarë ndodh në Korçë? Nëse ju do të shkoni tani në  Korçë, ju do të shikoni një superprodhim mollësh, mollë të prodhuara nga prodhimi i bollshëm, sepse nuk u prek këtë vit as nga ngricat për fat të mirë dhe toka është mbuluar me mollë, rënduar degët dhe plot me mollë. Ky prodhim pret që të shkojë në treg dhe unë po shikoj që ka një interes të ulët nga importuesit për ta importuar atë dhe jam munduar të kuptoj pse, kur është mollë cilësore, për arsye se del me kosto të lartë. Del me kosto të lartë se ti i ke futur 20% TVSH në prodhim, i fut dhe 20% në grumbullim në frigorifer dhe del me 40%, ndërkohë që maqedonasi e ka me 5% TVSH, Kosova e ka 5%.

Pra një ngarkesë shumë e lartë fiskale, gjë që e bën që të rritet kostoja e prodhimit dhe për kosto transporti. Normalisht tani çfarë do të ndodhë, si do të evadohet kjo? 60 mijë tonë llogaritet të jetë prodhimi i mollëve këtë vit në Korçë, ndoshta dhe më tepër, por minimalisht 60 mijë tonë. Kapacitetet e ruajtjes frigoriferike janë diku të 14 mijë tonë. Ç’do ndodhë me pjesën tjetër? Pjesa tjetër do të evadohet, ose edhe nëse do të përpunohet, do të bëhet lëng molle që edhe këtu kapacitetet i kemi shumë të ulëta, ose të shkojë për eksport.

Pra mund të kemi firo të rënda dhe është moment për të dhënë alarmin. Molla e Korçës duhet të tërhiqet, pemët janë super të rënduara, sheshi është mbushur me mollë, ajo mollë duhet evaduar. Si do të bëhet? Në radhë të parë, duke krijuar akses në treg, duke ulur elementin e kostos, pra ta subvencionosh, ti ulësh TVSH -në, hiqja TVSH-në. Që bujqësia shqiptare të ngrihet në këmbë, që të marrë frymë, duhet një bujqësi taks-free. Le ta bëjë këtë sakrificë buxheti i shtetit. Të ngrihet në këmbë dhe pastaj natyrisht ti vjelësh tatimet dhe të ardhurat. Port ë ngrihet në këmbë. Në momentin që nuk i jep mundësi të ngrihet në këmbë, e penalizon me TVS, me tatime, me taksa, e paralizon dhe do të jetë një dramë e madhe që ai superprodhim të shkojë dëm.

Është moment për të dhënë alarmin. Meqenëse ju më thatë për papunësinë, Korça do të thoja ndodhet përballë një situate aspak të këndshme, sepse i vetmi gjenerim i huaj, i cili krijoi shumë vende pune që ishte “Trans Adriatiku”, që kalonte në Korçë, gazsjellësi dhe punësoi shumë njerëz, mbaroi. Ai në fakt qe një investim i huaj që filloi në qeverinë e kaluar, që gjeneroi shumë vende pune me mijëra e me mijëra, veçanërisht nga zonat e varfra dhe zonat rurale që ishin në kushtet e mbijetesës, e panë si një mundësi shumë të mirë. U punësuan atje, me mijëra.

Ndërkohë ai bëri dhe investimin në infrastrukturë që nuk i bënte dot buxheti i shtetit, shtroi rrugë përveç korsisë ku u shtrua tubacioni, bëri investime në infrastrukturë, në rrugë, çoi rrugë edhe në zonat malore, sidomos në zonën e Vithkuqit andej nga e ka origjinën unë deri në Panarit. I bëri TAP-i, nuk i bëri shteti, por ky u mbyll dhe për sa kohë që ne nuk do kemi investime të huaja dhe nuk duken në horizont investimet e huaja, ne do ta kemi shumë të vështirë për të garantuar punësimin e popullatës, sepse nuk ka investime prodhuese.

Nuk mbahet punësimi vetëm me punë në shtet apo në kafene. Pra po qe se nuk ka investime prodhuese, fronte pune që të gjenerojnë vende pune, qofshin këto në infrastrukturë siç ishte TAP-i, qofshin këto në bujqësi, fabrika agro përpunimi, në të cilat faktikisht ajo mollë që bie në tokë, dakord nuk shkon në treg, por shtrydhet lëng frutash, pse ti importojmë lëngjet e frutave. Mund ti prodhojmë në vend. Duhen natyrisht investime prodhuese, duhen fabrika përpunimi, inbotinimi dhe prandaj nuk ka vëmendje te bujqësia. Për fat të keq edhe gjatë kohës që kam qenë unë ministër, vazhdon përsëri  kjo mungesë vëmendje, pavarësisht se shpallet me të madhe se është prioritet bujqësia dhe turizmi. Po ç’prioritet është kur ti jep 20 milion euro buxhet, që është sa 1/3 e buxhetit që jep Kosova dhe është 1/5 e buxhetit që jep Maqedonia. Pa folur pastaj për buxhetin që jep BE-ja, sepse aty nuk ka bazë krahasimi.

Nuk jemi ne z. Panariti si Gjermania?

Ka pasur gjithmonë tendencën për të na krahasuar me Gjermaninë, kjo është një tallje jashtëzakonisht e madhe që vazhdon e bëhet, se s’mund ta ngrenë stekën deri të Gjermania ose BE.

Por ti tento të krahasohesh me fqinjët tanë, me vëllezërit tanë të një gjaku me Kosovën. Me një fjalë, ti nuk jep 1/3 e buxhetit të tij dhe pafolur për Maqedoninë që je sa 1/10 e buxhetit për bujqësinë.  Pra jepini bujqësisë, sepse i jepni fshatit, i jepni ekonomisë së vendit, i jep normalisht edhe njerëzve që e kanë lidhur jetën e tyre normalisht me fshatin. Sepse po ndodh ajo që besoj se e keni ndjekur, 76 veta vijnë në ditë në Tiranë nga zonat rurale, e lëmë fshatin. 76 nga 365 i bien 25 mijë veta që e lenë fshatin dhe vijnë në qytet, po krijohet mega polisi. Gjithë Shqipëria do të vijë në Tiranë. Po kush do ti punojë ato toka? Plus që do të humbin edhe emërtesat, por do kthehen në emërtesa gjeografike edhe fshatrat se nuk do të jenë më të banuara. Shqipëria nuk mund të jetë as Tirana, as Durrësi, as Vlora. Shqipëria është qyteti është dhe fshati.

Natyrisht edhe ato kanë kapacitete, por nëse nuk i ndihmojmë me para, me investime, kryetarët e bashkive e kanë harruar që nuk kanë administrim vetëm qytetin, por kanë edhe fshatin. Reforma administrative këtë punë bëri.  Pra Bashkia e Korçës ka harruar se nuk është vetëm pedonalja, nuk është vetëm parku, nuk është vetëm ndriçimi, nuk është vetëm Pazari i Ri në administrim, por janë edhe të gjithë fshatrat dhe komunat. Nuk ka pikë investimi, sepse këto kompetenca i ka marrë tashmë kryetari i Bashkisë. Pra investimet për infrastrukturë nuk i meriton vetëm Korça, por i meriton dhe fshati i Korçës. Por investimin për grumbullimin dhe menaxhimin e plehrave nuk i meriton vetëm qyteti, por edhe fshatrat.

Atëherë ato janë braktisur, biles në kohën e ish-komunave zgjidhnim ndonjë punë te kryetari i komunës, por tani jo më. Kështu që duhet me patjetër një   vëmendje e madhe.