Edmond Panariti: Fermerët shqiptarë tre herë më shumë kosto për plugimin. Qeveria spo bën asgjë për lehtësimin e tyre.

Deputeti i LSI-së, Edmond Panariti ka reaguar me anë të një statusi në Facebook ku shprehet se në Shqipëri duhen rreth 3 herë më shumë shpenzime për kostot e plugimit të tokës sesa në vendet e Bashkimit Europian. Gjithashtu ai shprehet se bujku duhet të ndihmohet që në fillim të mbjelljes së tokës në mënyrë që të qëndrojë në këmbë pa ja ndërlikuar jetën me sofizma e stërkëmbësha fiskalë.

Më poshtë statusi i plotë:

Me çfarë leverdie prodhon fermeri ynë? Në vendet e Bashkimit Europian, kostoja mesatare e plugimit të çdo hektari tokë bujqësore është 27 litra naftë për ha. Po te ne? Te ne duhen plot 70 litra naftë për hektar. Pra, rreth tre herë më shumë shpenzime dhe tre herë më pak të ardhura për njësi sipërfaqe. Rrugëdalja ?! Fermeri i kthehet parmendës për të ulur shpenzimet dhe për të mos e lënë tokën djerrë. Por, nëse tokën mund ta punojë edhe duke u sfilitur si në mesjetë mbi parmendë, ku do ti gjejë paratë për të blerë 30% më shtrenjtë se në Evropë plehrat kimike, insekticidet, farat dhe fidanet? Prandaj zgjedha tatimore dhe tarifore mbi shpinën e bujqësisë është mbytëse dhe e pashoq në kontinent… Buçet përditë agro – propaganda: Ti rimbursohet TVSH, fermerit!! Pajisuni me NIPT e fatura shitje për të përfituar!!.. Ngatërresa, ndërlikime pa anë e fund. Po përse nuk i bie shkurt dhe thjesht o zotëri, duke ja hequr këtë barrë tatimore dhe tarifore që në burim?! Që në blerje! Lehtësoja barrën, që kur bujku fillon ta punojë dhe ta mbjellë tokën! Ndihmoje që të qëndrojë në këmbë dhe mos ja ndërliko jetën me sofizma e stërkëmbësha fiskalë.. Bëja të thjeshtë dhe të prekshme ndihmën të cilën ende nuk e ka prekur! E sidomos, uleni stekën e përfitimit të fondeve shtetërore për fermerët e vegjël sepse ata nuk janë aq shtatlartë sa për të mbërritur deri aty!!

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al