Edmond Panariti: Fondet e bujqësisë, mjerane në krahasim me shtetet fqinjë

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Edmond Panariti, në një intervistë për ‘TV SCAN’, ka deklaruar se bujqësia është i vetmi sektor, që krijon profilin autentik prodhues për vendin. Sipas Panaritit, nëse Shqipëria do të ketë ndonjëherë shansin për të ndërtuar një ekonomi prodhuese, këtë mund ta ndërtojë vetëm në bujqësi. “Bujqësia e mbyll ciklin, pra prodhon, grumbullon, përpunon, paketon, ambalazhon dhe eksporton. Është i vetmi sektor që krijon profilin autentik prodhues për sektorin e vendit”, thotë Panariti, ndërsa shton se duhet parë me një vëmendje të veçantë lidhja e bujqësisë me turizmin.

Çfarë duhet bërë për çështjen e formalizmit në bujqësi? A i përballojnë dot fermerët taksat?

Procesi për fermerët duhet të jetë miqësor. Fermerët tanë nuk janë fermerë holandezë e as francezë, të cilët kanë tashmë një përvojë të konsoliduar. Kanë natyrisht edhe nivelin e duhur për të aplikuar dhe për të qenë të suksesshëm. Fermeri jonë është në atë nivel që është, prandaj unë kam insistuar që procedurat e aplikimit dhe të para-kualifikimit të fermerëve të jenë miqësore. Madje, është një periudhe parapërgatitore tanimë, ku ti mëson gjatë procesit të aplikimit. Natyrisht, nuk mund të aplikohen standarde shumë strikte, sepse fermerët tanë nuk i plotësojnë këto standarde, jo për faj të tyre, por për faj të shumë handikapëve si informalitetit në bujqësi, mungesë e certifikatës së tokës, apo dhe të njohurit e procesit të aplikimit, mundet që mos t’i plotësojë këto kërkesa. Prandaj, në qoftë se duam që këto para’ t’ia japim bujkut dhe fermerit shqiptar, duhet të jemi me këmbë në tokë. Unë këtë apel ia kam bërë edhe strukturave në Bashkimin Evropian, por në radhë të parë ne duhet të jemi miqësor me fermerin. Ne nuk jemi miqësor me fermerin në fondet që japim nga agjencia e pagesave. Pse duhet të jemi miqësor? Sepse përpara se të aplikojë një fermer shqiptar, duhet të bëjë parapagim. Të paguajë një vit sigurime shoqërore, por ndërkohë ai këto para’ nuk i ka. E dyta, nuk ka garanci që në procesin e prodhimit, do krijohen të ardhura që të justifikojë këto me parapagim. Pra, edhe me ato pak fonde të buxhetit të shtetit, ti nuk tregohesh miqësor. Kjo i dekurajon fermerët dhe një pjesë e tyre natyrisht që nuk afrohen më. Prandaj, ky proces duhet lehtësuar dhe afruar tek fermerët, në mënyrë që ata ta ndiejnë që po ofrohen fonde për ta. Unë kam thënë që është më mirë t’u thuash realisht fermerëve që këto janë fondet se sa t’i ftosh e pastaj mos t’i paguash. Prandaj, them që fondet e bujqësisë janë tërësisht të pamjaftueshme, apo mjerane në krahasim me shtetet fqinjë.

Ka pasur kritika në fakt për skemat e mbështetjes dhe është akuzuar AZHBR e mëparshme, se ka pasur një financim jo të drejtë të fermerëve. Si i shikoni këto akuza dhe mendoni se do ndryshohet kjo situatë?

Akuzat bëhen në Prokurori dhe jo nëpër media. Nëse ke fakte për abuzim, shko në Hetuesi apo në Prokurori. AZHBR-ia thjesht nuk ka pasur para dhe kjo ka qenë fakt. Në fund fare, kur ne kishim lidhur kontrata me fermerët, kishim proces pagesash, bëhej rishikimi i buxhetit dhe kur merrnin para’, merrnin nga bujqësia. Pra, siç thashë për mua kjo nuk qëndron. AZHBR ka bërë më të mirën e mundshme me ato pak para’ që ka pasur. Megjithatë, nëse dikush mendon se ka pasur abuzime, mos të lodhet t’i bëjë në media, por t’i drejtohet organit të akuzës. Nuk ka para për bujqësinë, por për gjëra të tjera të cilat për mua janë të parëndësishme.                                             

Sipas projektbuxhetit të 2018, në skemat mbështetëse parashikohet një vlerë prej 918 milionë lekësh. Si e shikoni këtë gjë?

Unë në këtë pikëpamje nuk kam ç’të them, thjesht se ta përshëndes, por është shumë larg pritshmërive të fermerëve të agrobizneseve. Ne nënshkruam një marrëveshje me Bankën Evropiane për Zhvillim dhe qeverinë, pikërisht për fondin e garancisë, e cila do shërbente si katalizator për sistemin bankar të nivelit të dytë për të akredituar bujqësinë. Pa akreditim agrar, askush nuk mund të marrë një sipërmarrje bujqësore apo të investojë për ndërtimin e një sere. Unë mendoj që me ato pak fonde që patëm në dispozicion, nuk i targetuam në mënyrë të zgjuar si fonde për investime. Unë përsëri i mbetem përqasje, që paratë për bujqësi duhet të jenë para për investime, jo në trajtën e asistencës sociale. Familjet fermerë kanë shumë probleme. Prandaj ne jemi të prirur që paratë për bujqësinë, të jepen si mbështetje direkte për aplikime. Natyrisht duke mos hequr dorë edhe nga komponenti mbështetjes direkte për numër krerësh, pra të shikosh që atë para janë përdorur për diçka, që është investuar dhe është ngritur një infrastrukturë, dhe që mund të jetë serë, një stallë, një pikë grumbullimi. Apo e shikon realisht që është shtuar numrit i krerëve dhe jo si para në trajtën e asistencës sociale. Unë nuk jam kundër që fermerit ti jepet asistencë sociale. Madje, fondet për asistencë sociale përballë sfidës së varfërisë, duhet të jenë disa fish më të mëdha. Por këto para’ nuk shpërndahen nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë. Ka ministri tjetër qeveria, që shpërndan paratë për asistencë sociale. Fondet për bujqësinë duhet të jenë fonde për investime, aty ku ato ofrojnë më tepër perspektivë. Një pikë grumbullimi ua blen produktin fermerëve. Nderi më i madh që mund t’u bëhet fermerëve është t’u blejmë produktin.

Në fakt ka një rritje për fondin e investimeve me 40%.

Të shohim. Kur kam filluar si ministër kemi pasur 53 qendra, pika grumbullimi. Tani janë 156. Kemi pasur 1 mijë hektarë serra pjellorë, tani janë mbi 3000. Këto kanë çuar që bujqësia të ketë një hov të madh, të eksportojë. Dhe eksportet në tërësi në katër vitet e bujqësisë janë rritur me 60%.

Çfarë duhet bërë për të rritur këto vlera?

Duhet punuar në dy drejtime. Nuk mund të shtosh ofertën pa garantuar tregun. Nëse ke prodhim, por nuk ke treg, do kesh firo, dëshpërim etj. Duhet që prodhimit t’i ofrosh perspektivë. Të investosh dhe në pikat e grumbullimit, magazinat frigoriferike, që prodhimi menjëherë të evadohet dhe të depozitohet në këto pika grumbullimi në frigoriferë. Dhe më pas të shiten në mënyrë sistematike sepse ato janë produkte që prishen shpejt. Në rast se nuk kanë destinacion të menjëhershëm prishen, kalben dhe për rrjedhojë humbin vlerën. Prandaj investimi në pikat e grumbullimit, magazinat frigoriferike duhet të shkojnë paralel me investimin për rritjen e prodhimit. Nga ana tjetër, prodhimi duhet të jetë konkurrues duke ulur koston. Duhet lehtësuar bujqësia nga barra fiskale, nga TVSH përpos faktit që edhe nuk është rimbursuar TVSH te grumbulluesit. Nuk ka rimbursim të pikave të grumbullimit. Ata janë në borxhe të mëdha që shkojnë në disa qindra mijëra euro. Dhe këtë TVSH të parimbursuar dhe këtë normë fitimi të parimbursuar tentojnë t’ia shkarkojnë fermerit. Ia blejnë atij më shtrenjtë sepse normalisht ai do të qëndrojë në këmbë. I vetmi sektor prodhues, nëse Shqipëria do ketë ndonjëherë shansin për të ndërtuar një ekonomi prodhuese, këtë mund ta ndërtojë vetëm në bujqësi. Bujqësia e mbyll ciklin, pra prodhon, grumbullon, përpunon, paketon, ambalazhon dhe eksporton. Është i vetmi sektor që krijon profilin autentik prodhues për sektorin e vendit. Ne kemi bërë mirë që kemi drejtuar bujqësinë drejt eksportit por mendoj se duhet të shohim me vëmendje të rritur dhe lidhjen e bujqësisë me turizmin. Kjo është perspektiva reale e bujqësisë shqiptare, që të furnizojë turistët në rritje.

Është një program i lançuar nga ministri Peleshi për agroturizmin dhe krijimin e një rrjeti fshatrash, që do orientohen drejt kësaj që ju po thoni. Si e shihni?

Mendoj se është drejtimi i duhur. Ne e patëm filluar këtë, nëpërmjet programit SARED, që ishte një marrëveshje, që unë pata nënshkruar me qeverinë daneze, për të mbështetur me një fond prej 13 milionë euro krijimin e qendrave agro-turistike, veçanërisht në vendet e paavantazhuara, pra që kanë pak tokë dhe janë zona kodrinore. Aty është vështirë të konkurrohet me prodhim masiv, por mund të konkurrohet shumë mirë duke kombinuar prodhimin, ofertën lokale me turizmin.

Ka një problem me çështjen e çmimeve. Ka një fitim marramendës nga tregtarët dhe në fund fermeri pak fiton. Si mund të rregullohet kjo pjesë? Ka pasur një iniciativë në fakt për ngritjen e Bursës, e cila në fakt nuk është konkretizuar.

Unë e mora këtë iniciativë, duke qenë i bindur që i vetmi mekanizëm që e rregullon kërkesën dhe ofertën, në mënyrë të balancuar, duke nxjerrë jashtë lojës spekulantët të dorës së dytë dhe të tretë që fitojnë 5-fishin e asaj që fiton fermeri, është ngritja e një Bursë Bujqësore. Emri bursë është një cik i madh por ajo më tepër është treg i përbashkët, ku normalisht prodhuesit bien dakord për një çmim, të përcaktuar nëpërmjet ankandeve, për çdo prodhim bujqësor për një periudhë të caktuar. Ky është çmim i referencës. Duke e bërë publik atëherë kuptohet që qendrat e grumbullimit e kanë të vështirë të abuzojnë. Madje ky çmim mund të jetë subjekt edhe i organeve tatimore të cilat mund të shkojnë në pikat e grumbullimit në rast se ata bien poshtë këtij çmimi të rakorduar edhe me ata. Kjo do të lehtësonte edhe barrën e abuzimeve edhe në tregun me pakicë, pasi në rast se bëhet publik çmimi i referencës gjithsecili do ta shikonte dhe kjo do të ishte një ndihmë edhe për konsumatorët. Prandaj ky mekanizëm rregullator duhet bërë. Në fakt nuk është detyrë e Ministrisë së Bujqësisë por e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, e cila duhet të stabilizojë tregjet.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al