Edmond Panariti: Përmbytjet, vendi ka nevojë për një filozofi të investimeve për zhvillim të qëndrueshëm

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Edmond Panariti nga foltorja e Kuvendit sot, ka ngritur problematikat që po hasin qytetarët shqiptarë pas përmbytjeve të disa ditëve më parë. Sipas z. Panariti buxheti i miratuar për Ministrinë e Bujqësisë është i pamjaftueshëm dhe se vendi ka nevojë për një filozofi të investimeve për zhvillim të qëndrueshëm.

Më poshtë keni fjalën e plotë të z. Panariti:

Modeli i një zhvillimi të paqëndrueshëm është mënyra se si ne e përballojmë situatën, tashmë kronike, të përmbytjeve ciklike që po prekin vendin tonë. Mjerisht jemi futur në një cikël vicioz, një cikël vesesh, madje është një terminologji gjermane që është ‘cikli i djallit’, që është një cikël humbësish, humbësish në mënyrë të vazhdueshme, ku jemi futur në një model që tashmë e njohin të gjithë, bëjmë vlerësim të shkallës së dëmit, kërko para’ andej këtej për të paguar dhe dëmshpërblyer aq sa mundemi dhe të presim pastaj përmbytjen e radhës e cila na fut përsëri në të njëjtin cikël, në të njëjtin avaz. Dhe ku është zhvillimi i qëndrueshëm këtu? Nuk ka zhvillim të qëndrueshëm, sepse nuk mund të zhvillosh në një mjedis, i cili në mënyrë sistematike është i kërcënuar nga përmbytjet, nga degradimi i tokës, nga degradimi i mjedisit dhe që nuk garanton dhe nuk jep shpresë për ata banorë të cilët e kanë lidhur jetën e tyre me fshatin, e kanë lidhur jetën e tyre me bujqësinë, dhe e kanë lidhur jetën e tyre me blegtorinë.

Ndodhemi në një situatë ku me qindra e mijëra familje fermerësh, biznesesh janë të dëmtuara rëndë dhe që me të drejtë i kanë sytë nga qeveria për të dalë nga kjo situatë e pashpresë. Dhe u tha me të drejtë, por në mënyrë evazive nga Kryeministri, që ne do t’u dëmshpërblejmë. Kur ne në vitin 2015 iu thamë atyre që do t’iu dëmshpërblejmë ne i kishim të garantuara fondet. Ne kishim negociuar me BE dhe kishim siguruar 6 milionë euro që ua ndamë sipas kritereve të përcaktuara rreth 2 mijë fermerëve dhe 2 milionë euro shkuan për investime si mbështetje indirekte. Ku janë këto para’ që nuk po i shohim? Do të ishte më e ndershme t’u thuhet fermerëve: po ne do t’iu dëmshpërblejmë dhe për këtë kemi alokuar këtë fond që vjen nga buxheti i shtetit, vjen nga skema e subvencioneve. Madje unë do t’ua propozoja qeverisë, ministrit të Bujqësisë, që për sa kohë ne nuk kemi burime të tjera financiare për t’u ardhur në ndihmë të gjithë atyre fermerëve, atyre familjeve që janë dëmtuar rëndë, le të mobilizohen fondet e subvencioneve shtetërore.

U tha dhe unë kam dëshirë ta përshëndes këtë nismë. Ai propozoi një model që në këndvështrimin tim është një model i qëndrueshëm i përballimit të situatës së përmbytjeve. Kush është ky model? Propozoi kalimin së shpejti të një draft ligji që ta bëj të detyrueshëm sigurimin e familjeve të fermerëve, biznesit bujqësor. Keni gjithë mbështetjen e grupit tonë, por më gjeni mua një agjenci sigurimi, që e merr përsipër sigurimin e fermerëve, të cilët kanë ndërtuar bizneset bujqësore, kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, buzë lumit, buzë digave. Sigurisht nuk ka sepse, se janë faktorë risku të lartë që e bëjnë të pamundur që kompanitë e sigurimit të marrin përsipër sigurime me risk të lartë. Ne kemi një propozim tjetër. Nuk i largohemi konceptit të sigurimit se dhe vetë për sa kohë kemi qenë në qeverisje, kemi siguruar jo pak, por 1 mijë fermerë, pikërisht me këtë logjikë, por me fonde shtetërore. Prandaj propozimi është ky: pasi të bëjmë një vlerësim të shkallës së riskut të bizneseve bujqësore, të atyre familjeve që kanë ndërtuar banesat dhe zhvillojnë aktivitetin bujqësor, ne të veprojmë të spostojmë ato familje që nuk ka kompani sigurimi që merr përsipër sigurimin e banesës, të bizneseve të tyre apo të fermave të tyre dhe t’u japim një perspektivë të re, duke i vendosur buzë kodrave, lart zonës së riskut. Dhe për ato biznese që kanë një risk të moderuar, po ne t’i sigurojmë. Por ato biznese, ato familje fermere nuk e kanë mundësinë për të paguar primet e sigurimit. Dhe për këtë primet e sigurimit t’i paguajë qeveria shqiptare me fonde dhe subvencione. E bëni dot? Kjo është zgjidhja e qëndrueshme. Nëse nuk e bëni, më mirë mos e thoni, sepse mbetet një retorikë, e cila nuk ka asnjë lloj perspektive për t’u zbatuar.

Dëshiroj të mbështes atë që tha pak më përpara profesor Spaho. Shumë e drejtë. Unë këtë e kam thënë kur kam qenë pjesë e qeverisë, e jo tani që jam në opozitë. Nuk mund të transferosh kompetenca që janë mbarëkombëtare në administrim e baseneve ujore, rezervuarve, digat, të cilat i ka shteti shqiptar t’ua lësh nën administrim pushtetit lokal. Këto nuk kanë as mundësitë e as fondet. Madje, do thosha që nuk është as prioritet për një kryetar bashkie, i cili në mënyrë normale rend kryesisht ndaj investimeve në qytet, në ndriçim, gjelbërim, në menaxhim të mbetjeve, dhe nuk është i prirur që të investojë në një rezervuar, i cili ndodhet me dhjetëra kilometra larg qendrave të qyteteve. Prandaj, u bë një nxitim dhe një veprim i pamenduar që këto asete që duhet të ishin nën administrimin e pushtetit qendror, të Ministrisë të Bujqësisë, u kaluan nën administrimin e pushtetit lokal. Sigurisht që kjo skemë cedon në të gjitha aspektet. Kush do t’i riparojë ato diga apo argjinatura të dëmtuara? U tha me të drejtë që rezervuari i Kasharit është në rrezik shpërthimi. Unë po ju them se është në rrezik të madh rezervuari i Manskurisë, i cili po u ça, e mori përpara të gjithë Golemin, investimet që janë bërë atje dhe atraksioni i saj turistik. Kush ta bëjë atë? Bashkia e Kavajës? Bashkia e Kavajës. Këto duhet të jenë përgjegjësi shtetërore, administrimi i këtyre trupave ujore në të gjithë investimet që ato kërkojnë.

Të mos flasim për fondet pastaj. Nuk bëhet me atë buxhet që ka Ministria e Bujqësisë për administrimin e argjinaturave apo shtretërve të lumenjve etj. Ajo që duhet bërë dhe që unë e kam propozim konkret është që duhen larguar me çdo kusht firmat e inerteve nga shtretërit e lumenjve. Duhen larguar me çdo kusht. Ato shkatërrojnë. Në fakt ishte një përqasje që u duk se mund të funksiononte por nuk funksionoi, që të krijonim partneritet me ta. Ata zotërinjtë nuk thellojnë shtretërit e lumenjve në mënyrë që t’i fusin ujërat e lumenjve brenda fshatit. Por ata kafshojnë majtas dhe djathtas. I kanë bërë shtretërit e lumenjve zgavra të vërteta. Kafshojnë nëpër këmbët e urave, në fundin e digave, duke u bërë një rrezik i madh për katastrofat natyrore. Prandaj unë firmosa si ministër i Bujqësisë për ndalimin e shfrytëzimit të inerteve nga këto firmave. Duhet ndërhyrë, përndryshe ne do futemi në zgjedhje të paqëndrueshme. Ne do jemi të rriskuar, të kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme nga përmbytjet.

Për një zhvillim të qëndrueshëm në menaxhimin e situatës të përmbytjes dhe kthimin e gjithë atyre aseteve në asete produktive, në radhë të parë ne duhet të investojmë shumë edhe në pyllëzimin e gjithë atyre kodrave të cilat janë të zhveshura. Ju e dini që pemët janë prita natyrore, por përveç kësaj të investojmë siç kemi investuar dikur edhe në prita artificiale të cilët mbajnë vërshimet e përrenjve të cilët japin kontributi kryesor në vëllimin e madh të ujërave që krijojnë lumenjtë në kohën e përmbytjeve. Pra, nëse duam ta kapim problemin tek rrënja këto janë propozimet tona. Në radhë të parë të s’postojmë ato biznese dhe ato familje të cilët janë të rrezikuar. E dyta, të sigurojmë biznesin me fondet shtetërore dhe fermerët, në mënyrë që ata të jenë të qetë e të mbrojtur nga kërcënimet e rrebesheve, të jenë të garantuar për zhvillimin e një biznesi të qëndrueshëm e me perspektivë. Nëse vazhdojmë me mënyrën se si po administrojmë problemin, ne thjeshtë e mjekojmë një çështje me aspirina dhe nuk jemi të prirur për të bërë ato ndërhyrjet të karakterit kirurgjikal për t’i garantuar një zhvillim të qëndrueshëm bujqësisë dhe blegtorisë.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al