Edmond Panariti: Programi i LSI për bujqësinë analitik, jo elektoral

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Edmond Panariti, gjatë fjalës së tij në tryezën e diskutimit në lidhje me buxhetin e vitit 2018 të organizuar nga LSI, shprehet se buxheti i qeverisë për sektorin e bujqësisë është mjeran. Panariti sqaroi se programi i LSI për bujqësinë është analitik dhe jo elektoral, ndërsa shton se është një program me këmbë në tokë.

Deputeti i LSI thekson se nuk ka sektor tjetër në ekonominë e vendit që të ketë kontribut në PPB sikurse e bën bujqësia. “Nuk ka sektor tjetër në ekonominë e vendit që të ketë këtë kontribut në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto, sikurse e bën bujqësia. Madje, po ta shikosh që nga periudha 2013-2017, kontributin më të lartë nga të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit, një rritje e GDP, e ka dhënë bujqësia. Të gjithë forcat politike në vend nuk reshtin së thëni që bujqësia është një sektor prioritar, por kur vjen puna për ta mbështetur këtë sektor, kuptohet, shikojmë që jemi poshtë pritshmërive të mbështetjes së këtij sektori. Siç u tha dhe pak më parë, ky sektor kontribuon në PPB me plot 2 miliardë euro dhe merr në raport me PPB, 0.3%. Nuk mund të vazhdohet me këtë masë financimi, sepse kjo mbështet vetëm bujqësinë e mbijetesës, e mjerimit”, ka thënë Panariti.
Deputeti shprehet se edhe zhvillimi rural është në një mjerim të pashembullt. Ajo që u shpall si rilindje, thotë Panariti, veçse e tillë nuk ishte. “Është bujqësi dhe zhvillimi rural, dhe po të shohësh, zhvillimi rural është në një mjerim të pashembullt. Fshatra pa rrugë, pa rrugë që shkojnë në parcela, pa ujësjellës, pa kanalizime, pa qendra shëndetësore. Ajo që u shpall me të madhe si Rilindje, ishte vetëm rilindje e pedonaleve, e ndriçimeve, e fasadës dhe mungoi si një rilindje e vërtetë e vendit, që duhet të fillonte padyshim te fshati. Gjysma e popullsisë së vendit sot jetojnë në fshat dhe 47% e fuqisë punëtore vjen nga fshati. LSI e ka shumë të qartë që me një masë të tillë financimi të tillë mjerane, ku buxheti i 2018 në raport me atë të vitit 2017 ka një rritje vetëm prej 8%. Totalisht e pamjaftueshme për të realizuar pritshmëritë e fermerëve. Programi jonë për bujqësinë është një program analitik, nuk është program elektoral. Është një program me këmbë në tokë”, thekson deputeti i LSI. Panariti sqaron se LSI kërkoi që bujqësia shqiptare të financohej me 250 milionë euro në vit. “Ne kërkuam që bujqësia shqiptare të financohet me 250 milionë euro në vit. Pse? Sepse kontribuon me 2 miliardë euro në PPB. Pra, ka kontributin më të lartë në rajon dhe në të gjithë vendet e BE. Nuk ka vend që kontribuon në PPB më shumë se Shqipëria në bujqësinë e vendeve të BE dhe në bujqësinë e vendeve të rajonit. Dhe i mbetet vetëm të marrë një pjesë të vogël mbrapsht nga ky kontribut që bën, në trajtën e mbështetjes buxhetore. Për fat të keq, kjo nuk po ndodh’, tha ai.

Deputeti i LSI vijon më tej duke thënë se programi i propozuar nga LSI është një program realist, konkret, që mbështet prodhuesin, agro-përpunuesin dhe eksportuesin. Gjithashtu ai shton se është një program që konsolidon zinxhirin e vlerave të një bujqësie që ndihmon në të gjitha dimensionet e saj. Së fundmi, Panariti thotë se bujqësia ndodhet përpara sfidave të mëdha dhe është një sektor në zhvillim. “Fermerët nuk kanë nevojë t’i shpërndash para, por për t’i mbështetur që t’i ulësh koston e prodhimit, të zgjerojnë sipërfaqet e mbjella dhe t’i lehtësosh nga barra fiskale. Janë politika që synojnë të mbështesin një target grup klientele dhe të penalizojnë me qindra familje fermerësh, të cilët kanë sot sfidë mbijetesën dhe ne me fondet e bujqësisë, duhet t’i mbështesim, t’i ngremë në këmbë, t’i bëjmë konkurrues dhe fitues. E gjithë kjo që po ndodh është një kundër tendencë. Kjo do çojë në efekte negative. Ne bëmë një hap shumë pozitiv. Për herë të parë ngushtuam raportin import-eksport që e morëm me 1,7 dhe e çuam në 3”, thekson Panariti.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi se LSI nuk do të pajtohet kurrë me mënyrën e të drejtuarit dhe të konceptuarit të bujqësisë sikurse po vepron qeveria. Problemi, thotë Panariti, është që po krijove rrjete klienteliste, nuk blen më qengjat e blegtorëve, por ato të stallave të ushqyera në mënyra të dyshimta. “Problemi është që po krijove rrjete klienteliste, nuk blenë qengjat e blegtorëve tanë që janë bio, sepse mbahen në kullota dhe nuk mbahen në stalla, por blenë qengjat e stallave të ushqyera në mënyra të dyshimta, sepse duhet të favorizosh një rrjet klientele. Ne nuk mund të pajtohemi kurrsesi me këtë mënyrë të drejtuari dhe konceptuari të bujqësisë. Prandaj, programi ynë i bujqësisë është një program realist, konkret, që mbështet prodhuesin, agro-përpunuesin dhe eksportuesin. Është një program që konsolidon zinxhirin e vlerave të një bujqësie që ndihmon në të gjitha dimensionet e saj”, ka thënë ndër të tjera deputeti i LSI.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al