Edmond Panariti: Qeveria qëndrime arrogante dhe të papërgjegjshme në raport me interesin qytetar.

Deklarata  e Deputetit të LSI-së, Edmond Panariti pas mbledhjes së Kryesisë së LSI

Në mbledhjen e sotme  të Kryesisë LSI diskutoi për një sërë problemesh. Duke filluar që nga problemet e organizimit të saj, të kompaksimit të strukturave të saj në rrethe dhe në përgatitjen që gjithë partia me strukturat e saj kombëtare do të ketë për sfidat e saj në të ardhmen. Por ajo që mbizotëroi në diskutimet e Kryesisë së LSI, të cilat do të formalizohen edhe në trajtë propozimesh që do ti kalojnë për miratim edhe Komitetit Drejtues Kombëtar ishte analiza e situatës së rëndë në të cilën po kalon vendi, qëndrimet e papërgjegjshme dhe arrogante të qeverisë në raport me ndjesitë publike, me interesin qytetar, të fermerëve, të profesoratit, të akademikëve, të njerëzve të kulturës të cilët ishin thelbi i formësimit të qëndrimit tonë në raport me këto shqetësime shumë evidente. Duke filluar natyrisht me qëndrimet e sotme të qeverisë në raport me shqetësimet e grupeve të interesit natyrisht ne diskutuam me përgjegjshmëri, jo thjesht duke mbajtur një qëndrim reaktiv ndaj atyre që u thanë nga kryeministri apo nga përfaqësues të tjerë të qeverisë në raport me shqetësimet e ligjshme të profesoratit të universiteteve. Të universitetit të Tiranës apo të UBT, por sigurisht edhe për të paraqitur alternativën tonë për tu ardhur në ndihmë shqetësimeve konkrete që e paraqet trupa e profesoratit. Natyrisht nuk mundet tu drejtohesh eks katedra në mënyrë të imponuar një stafi akademik i cili karakterizohet nga element me integritet profesional dhe moral. Me element të karrierës tashmë të formësuar si dhe tu servirësh zgjidhje eks katedra, tu japësh sloganin “ O ha supën time ose përjashta” . Natyrisht këtë lloj gjuhe nuk mund ta pranojë stafi akademik. Dhe në këtë drejtim LSI, ka qenë dhe mbetet pro profesoratit dhe stafit akademik , pro studentëve, pro artistëve, pro akademikëve të cilët janë krenaria, substrati dhe vlera  e vërtetë e këtij kombi. Dhe sigurisht mendimi i tyre duhet të reflektohet në çdo nismë ligjore dhe paketë ligjore e cila kalon dhe miratohet nga qeveria dhe nga Parlamenti i Shqipërisë. Dhe nuk ka tabu këtu, nëse ka nevojë të rishikohet ligji për Arsimin e Lartë kjo nuk mund të bëhet në mënyrë ultimative duke iu drejtuar stafit akademik duke thënë që ky ligj është për tu zbatuar. Sigurisht ky ligj duhet zbatuar por në rast se duhet rishikuar, duhet rishikuar me kurajo, vendosmëri dhe sigurisht duhet dëgjuar zëri i pedagogëve, i kërkuesve dhe studentëve të cilët janë subjekte të veprimit të këtij ligji.

Natyrisht nuk mund ti drejtohesh fermerëve të Shqipërisë, të qarkut të Korçës me një thirrje që nuk jemi ne qeveria që do u blejmë juve produktet që nuk ju shiten. Sigurisht është shumë kollaj të shprehesh në mënyrë të tillë po kush është mesazhi që iu çohet fermerëve? Mos prodhoni? Sigurisht bujqësia është për të prodhuar dhe prodhon në bazën e traditës dhe hartës së rajonalizimit që tashmë është krijuar dhe është në veprim. Dhe është e zbatueshme edhe nga fermerët. Por ata nuk mund të lihen thjesht në mëshirë dhe në kapriço të tregut. Momentin kur patatja nuk tërhiqet ka një arsye. Dhe arsyet janë në rradhë të parë se patatja e vendit pavarësisht se është shumë cilësore nuk është e çertifikuar. Pikërisht nga një absurditet që unë habitem pse po insistohet që të finalizohet deri në fund, i shkrirjes së drejtorive të bujqësisë. Të cilët kontrollojnë shërbimin e kontrollit të bimëve dhe që garantojnë që patatja jonë të plotësojë standardet që do të bënin të mundur natyrisht eksportin e saj sepse kërkesa për eksport për pataten natyrisht është prezente në shumë vende të BE dhe më gjerë.

Por ndërkohë që jemi në këtë ngërç sigurisht qeveria mund të ndërhyjë dhe të blejë prodhimin e fermerëve. Natyrisht gjithë ato nevoja të rrjetit të brendshëm të konsumit të institucioneve publike siç janë spitalet, mensat, ushtria, burgjet natyrisht se nuk ka pse të plotësohen me procedura tenderimi që synojnë të blejnë nga jashtë. Por mund të blehet produkti i mundit të fermerëve të Korçës, të Dibrës apo të Divjakës. Pra për këtë është qeveria, që me ndërhyrjen e saj të mund të zbus sadopak, këtë bilanc negativ dhe këtë presion të pamerituar që prodhuesit vendas kanë në raport me prodhimet e importit. Unë mendoja që ky do të ishte dhe mesazhi që do të kishte prevaluar edhe me personelin e Universitetit të Bujqësorit të Tiranës, me stafin akademik, me studentët. Të cilët pikërisht duhet të ishin dëgjuar më tepër sesi e mendojnë ata kapërcimin e këtij ngërçi.  Çfarë kërkojnë fermerët? Fermerët prodhojnë, kërkojnë akses  në treg dhe të gjitha politikat qeveritare duhet të synojnë pikërisht që prodhimin ta çojnë në treg në mënyrë sa më të shpejtë, efiçente me sa më pak firo dhe paratë në vend që të ndahen si asistencë sociale të ndihmojnë blerjen e produktit, lidhjen e tij e tregun dhe sigurisht të kthehen në instrument zhvillimi, inkurajimi për ata fermerë të cilët me mundin dhe sakrificat e tyre bëjnë ç’është e mundur që të mbijetojnë dhe natyrisht të krijojnë të ardhura për ekonomitë e tyre familjare, por sigurisht edhe të ardhura për ekonominë kombëtare.

Pra një dialog më modest, i drejtpërdrejt dhe jo imponues dhe irritues me stafin akademik, me personelin kërkimor shkencor, me studentët me fermerët. Me natyrisht përfaqësuesit e kulturës, të botës së teatrit, të botës së spektaklit të cilët janë një vlerë e shtuar por edhe i japin vlera vetë kulturës sonë kombëtare. Dhe unë mendoj që duhen dëgjuar dhe të gjitha kërkesat, sugjerimet dhe propozimet e tyre duhet të kthehen në nisma qeveritare dhe nuk duhet vënë përpara ky komunitet, zgjidhjeve të gatshme, zgjidhjeve të imponuara. Të cilët nuk janë të qëndrueshme dhe janë baza e një konflikti dhe një ngërçi të cilin nuk  e dëshiron askush.

Këto ishin në tërësi thelbi i diskutimeve në mbledhjen e sotme të Kryesisë. Të cilat sigurisht nuk do të ngelen në këtë nivel por do të kthehen në dokumente, në nisma që ne do të marrim përsipër, për tu qëndruar në krah kërkesave të drejta të komunitetit të pedagogëve, të studentëve për të riparë edhe njëherë ndoshta ligje të imponuara jashtë vullnetit të pedagogëve, të stafit akademik, të studentëve si pjesë e Reformës së Arsimit të Lartë. Pjesë e Reformës për autonominë financiare për të riparë edhe njëherë mënyrën sesi fondet shtetërore apo edhe fondet e tjera nga donatorë të ndryshëm përdoren dhe vihen në dispozicion të fermerit, të bujkut, të agrobiznesit. Sepse ka ardhur koha që ne të ndihmojmë një ekonomi, një fermer. Të ndihmojmë natyrisht studentët përballë sfidave të vështira që po kalon vendi. Natyrisht me nisma konkrete duke qenë dashamirës, të përulur,modest dhe duke reflektuar me kujdes dhe me vëmendje të gjithë shqetësimet që ato kanë dhe jo duke tentuar që të imponojmë ndonjëherë edhe në mënyrë autokrate dhe të papërgjegjshme zgjidhje të cilat janë dhe bien ndesh me interesat e tyre të përditshme.

Burimi:(integrimi.al/E.P)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al