Drejtuesit e La Liga-s kanë kërkuar nga Real Madridi dhe Barcelona sugjerime të reja për datën e zhvillimit të ndeshjes së parë sezonale mes tyre (“El Classico”), përpara se të marrin vendimin përfundimtar. “Marca” ka pasur qasje në këto raporte të dërguara nga Komiteti i Konkurrencës për dy klubet. Propozimi i parë për zhvillimin e “El Classico”, për shkak të përshtatshmërisë, është 4 dhjetori. Kjo është një nga datat e lira, që mund të dakordohet mes palëve dhe është e pazënë në kalendar.

Në nenin 4 të rregullores së kompeticionit thuhet se, në rast shtyrjeje të një ndeshjeje, duhet shikuar data e parë e lirë në dispozicion, e cila nuk ndikon në konkurrencën profesionale (ose Kupën e Mbretit). La Liga dhe RFEF vendosën të propozojnë datën 4 dhjetor për çdo ndeshje që duhej të shtyhej për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme. Ky propozim është bërë me shkrim për të dyja klubet.

Për më tepër, data 18 dhjetor për “El Classico” do të kishte ndikim në sfidat e mëparshme dhe pasuese të La Liga-s. Më konkretisht, do të ketë ndeshje të martën e 17 dhjetorit dhe të enjten e 19 dhjetorit. Pra, më pak kohë pushimi, sepse duhet të luajnë të martën, pasi e kanë bërë këtë të dielën më parë. Dhe, nëse luajnë të enjten e 19 dhjetorit, nuk mund të luajnë edhe të shtunën vijuese të kësaj date.

Pretendimi i dytë: 18 dhjetori është datë e Botërorit për Klubet, që tashmë ka një mbivendosje edhe me Kupën e Mbretit. Kjo do të dëmtonte të drejtat televizive, që tashmë janë tregtuar për operatorët në të gjithë botën. Kujtojmë se “El Classico” e parë e sezonit, Barcelona-Real Madrid, ishte planifikuar të luhej më 26 tetor, por për shkak të protestave të ashpra në kryeqendrën e Katalonjës, kjo gjë u bë e pamundur.