Studentja e mjekësisë bimore, Elida Jahja ka denoncuar ditën e sotme institucionin e Shërbimit Pyjor Shqiptar, duke shkruar se ai i bën propagandë punës së kryebashkiakut Veliaj, në vend që të merret me luftën kundër procesionares së pishës, një nga dëmtuesit e pishave që po përhapet me shpejtësi në Shqipëri.

Ja çfarë shkruan ajo:

Institucioni i Shërbimit Pyjor Shqiptar për 97-vjetorin e themelimit të tij, në vend që të merret me luftën kundër procesionares së pishës bën propagandë për Erion Veliajn.

Sot në mediat online shohim që Institucioni i Shërbimit Pyjor Shqiptar merret me mbjelljen e fidanëve të rinj në Vaqarr dhe anashkalon problemin më të madh që po hasin pyjet e pishave në vendin tonë.
Procesionarja është një dëmtues biologjik tepër i rëndë për pyjet me pisha, që çon deri në tharje të plotë të pemës.

Shërbimi Pyjor Shqiptar në vend që të hartojë plane për masat mbrojtëse ndaj këtij dëmtuesi merret me propagandën që bën kryebashkiaku i Tiranës.

Procesionaren e pishave mund ta luftojmë me disa mënyra:

Mënyra mekanike e luftimit është duke i prerë degët e infektuara nga larvat dhe duke i djegur ato.
Mënyrë tjetër është ajo me anë të insekticideve duke përdorur si tretës vajrat e naftës ose vajra vegjetalë e cila është një mënyrë tepër efikase, gjithashtu kemi dhe luftimin me një lloj insekti i quajtur Calosoma sycophanta.

Larvat e Procesionares, përveç dëmit të shkaktuar në bimë duke ngrënë halat, përbëjnë rrezik edhe për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve. Pas moshës së 3-të larvave, ato kanë në trupin e tyre dy lloj qimesh: qime të gjata që dalin në tufa në pjesën kurrizore dhe shërbejnë si ndjesorë që kapin ngacmimet e jashtme; dhe qime të shkurtra të cilat, në rast ngacmimi, shkëputen nga trupi i larvës dhe, bashkë me një lëng që përmban substancën Instaminë, shpërndahen në ajër. Nëse ne prekim një larvë me duar, ngacmimi merret nga qimet e gjata dhe larva reagon duke aktivizuar gjëndrat që sprucojnë lëngun irritues bashkë me qimet e shkurtra. Këto të fundit, të lagura nga lëngu, ngulen në lëkurën tonë duke rritur efektin e lëngut irritues. Kjo shkakton irritim dhe kruajtje në lëkurë. Në rast se ato bien në syrin tonë, mund të shkaktojnë deri në humbje të shikimit.