Thatësira që vazhdon prej vitesh në rajonet lindore të Australisë ka ndihmuar përhapjen e zjarreve që tani kërcënojnë banesat dhe popullsinë. Autoritetet thonë se situata është serioze ndërsa evakuimi i banorëve po kryhet me vështirësi.

Autoritetet australiane po përballen me vatra zjarri të rrezikshme që po djegin mbi 570 mijë hektarë tokë.

Zjarret e përhapura nga pyjet dhe shkurrishtet kanë shkrumbuar disa shtëpi, kanë bllokuar rrugët ndërsa banorëve të shtetit juglindor të Nju-Sauth-Uellsit u është thënë se nuk mund të ikin në këto kushte.

Më shumë se 100 vatra zjarri u raportuan ditën e premte, kryesisht në zonat e thata.

Gjysma e tyre nuk janë kontrolluar ende nga mbi 1 mijë forcat zjarrfikëse që i luftojnë prej muajit shtator.

Flakët krijuan fenomene të veçanta atmosferike duke formuar re portokalli në gjithë rajonin, që frynin hirin e zjarrit disa kilometra më tej.

Pasojave nuk i shpëtoi as një rezervat me gjitarët karakteristikë të vendit, koalat.

Nga rreth 600 kafshë që ndodheshin në zonën e ruajtur, më shumë se gjysma ngordhën nga zjarret.

Sipas stafit mjekësor, do të duhen të paktën 10 ditë për të vlerësuar dëmet në popullatën e tyre.

Qeveria australiane u ka ofruar fermerëve të zonave bregdetare lindore rreth 700 milionë dollarë kredi të buta për të shmangur falimentimin e tyre, për shkak të thatësirës por edhe mungesës së ujit të pijshëm që vazhdon prej tri vitesh.

Shkencëtarët thonë se situata do të përsëritet dhe zgjatet në kohë me ardhjen e ndryshimeve klimatike.