Poezia e ndjerë e Luan Ramës si një dedikim mirënjohjeje dhe dashurie për mjekët në keto ditë që kanë ndryshuar botën.

Mjekët janë sot heronjtë e botës. Dhe për Luan Ramën, janë Kengët e Beatriçes së poetit të madh italian Dante Aligieri që simbolizojnë kënget për jetën, metafora e mirënjohjes ndaj tyre, te cilet autori i quan “Engjej të Botës” dhe që e kanë mbështjellë botën me dritën e syrit të tyre.

POEZIA

ENGJËJT E BOTËS

( Dedikim mjekëve)

Kapluar në ethe,
Prej ashtit të vet
Bota rënkon dhembjen e njeriut!

Ngrijnë retë nëpër qiell
Prej piskamës së shpirtit,
E dhembja në dhembje mpihet!

Yjet – kristale gjaku,
Rrugën e Qumështit gjakojnë,
Ndërsa bota pezmon në detin e dhembjes së vet!

Mes Skillës dhe Karibdës,
Flama – kurorë,
Luan me fatin e saj!

Rrugët e botës,
Si damarë të zbrazur,
Presin të ndjejnë prapë
Vlagën e jetës.

Qytetet e botës
të ndalur në bosh,
Presin këngën e njeriut,
që të mos ngjajnë më si arkëmorte ëndrrash të vrara!

Shpirti i Dantes,
Më dha këngët e Beatriçes,
T’ju falem mjekëve – engjëj të botës,
Që jetën kanë mbështjellë me dritën e syrit,
Dhe e ruajnë si amanetin e brengës së madhe të Hipokratit!

Asnjë të mos harrojë se është njeri!