Eriona Bixha: LSI forcë e parë, jo një slogan, por një mision për tu shërbyer qytetarëve me sinqeritet e përkushtim

LSI forcë e parë, nuk është vetëm një slogan por është një realitet i prekshëm për qindra e mijëra të rinj e të reja, anëtarë, mbështetës të saj dhe qytetarë të thjeshtë, pasi e shohin këtë forcë politike si siguri për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e vendit.

Me pozitivitetin, energjinë dhe dëshirën për të dhënë më të mirë për vendin por edhe për të përfaqësuar denjësisht brezin e ri, kandidatja për deputete e LSI, Eriona Bixha ndan me lexuesit e 360grade.al, detaje konkrete nga platforma qeverisëse e LSI ndërsa zbulon arësyet se përse në këto zgjedhje, LSI u besoi më shumë të rinjve të saj.

Që prej vitit 2011, vit në të cilin u bë pjesë e LRI, sikurse thotë ajo, një familje e madhe ku mbizotëron dashuria, harmonia dhe solidariteti, Eriona rrëfen rrugëtimin e saj por edhe ambiciet që ka për të ndryshuar realitetin që ne jetojmë.

“Unë jam e bindur që këto zgjedhje, janë zgjedhjet e të rinjve, ndaj vendimet dhe zgjedhjet që ne do të bëjmë duhet të jenë të matura, me këmbë në toke dhe mos të harrojmëe në asnjë moment që duhet ti shërbejmë qytetarëve ashtu siç ata e meritojnë me sinqeritet dhe përkushtim”, shprehet Eriona në intervistën në këtë intervistë.

Në vijim intervista e plotë e kandidates për deputete të LSI-së, Eriona Bixha:

Eriona, mund të ndani me lexuesit tanë eksperiencën tuaj gjatë gjithë këtyre viteve në LSI. Si do ta përshkruanit këtë udhëtim tuajin deri tani dhe arsyeja që ju e bëtë pjesë e kësaj force politike ?

Lëvizja Rinore për Integrim është forumi i shanseve të mëdha. Pikërisht, kjo familje e madhe që pikënisja ime për tu përfshirë në politikë. Në gusht të vitit 2011, kur sapo kisha mbyllur vitin e parë të universitetit, u bëra pjesë e LRI krejt rastësisht. Që nga ajo ditë, nuk kam rreshtur asnjë moment së qënuri pjesë aktive e politikës dhe kjo falë mbështetjes dhe hapësiravë që Lëvizja Socialiste për Integrim krijon për të rinjtë.
Në janar të vitit 2012, u zgjodha koordinatore e strukturës së studentëve të LRI, duke u bërë gjithmonë e më shumë aktive ndaj jetës dhe problemeve të studentëve e të bashkëmoshatarëve të mi. Falë iniciativës së studentëve të LRI, implementuam një program shumë të rëndësishëm në atë kohë “Praktika Pune”, ku shumë studentëve iu dha shansi për të qënë konkurrentë potenciale në tregun e punës. Kjo nisem shërbeu si shkëndijë edhe për hartimin e ligjit të Vullnetarizmit, ligj i propozuar nga bashkëmoshatarja jonë në parlament, Kejdi. Pikërisht, këto nisma e shumë të tjera më nxitën mua dhe miqtë e mi të kuptonim dhe besonim që një ‘frymë e re’ po futej në politikë , ku ne po na jepej mundësia të merrnim në dorën fatet tona.
Gjithashtu, prej vitit 2012, jam anëtare e kryesisë së LSI dhe anëtare e Komitetit Drejtues Kombëtar, së bashku me dhjetra të rinj të tjerë anëtar të LRI, kemi rritur gjithmonë e më shumë rolin në vendimmarrje brenda LSI dhe në politikë. Lëvizja Socialiste për Integrim beson se vetëm me të rinjtë në politik ,Shqipëria do të jetë pjesë e ndryshimeve të mëdha, ndaj në zgjedhjet lokale të vitit 2015 ajo ia besoi aksionin e saj politik pikërisht të rinjve. Unë jam njëra prej 10 të rinjve të LSI anëtare të Këshillit Bashkiak të Tiranës si dhe anëtare e Këshilli të Qarkut Tiranë.
Aktualisht, jam Sekretare Organizative e LSI, ku çdo ditë me qindra e mijëra anëtare punojmë fort për një LSI më të organizuar duke e parë atë si siguri për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e vendit.
Kandidimi im vjen pas një eksperience 6 vjeçare në jetën politike ku shkallët e karrierës politike i kam ngjitur hap pas hapi falë mbështetjes dhe inkurajimit të mikut më të mirë të të rinjve Ilir Metës dhe LSI.

– Ju tashmë jeni edhe kandidate për deputete dhe më shumë gjasa mund t’ju shohim në parlamentin e ardhshëm. Çfarë do të thotë ky hap i ri për ju ?
Mbështetja dhe përkrahja që Kryesia e LSI, Kryetari i saj Petrit Vasili dhe miku më i mirë i të rinjve Ilir Meta, dhanë ndaj meje si dhe ndaj 18 të rinjve të tjerë në qarkun e Tiranës, edhe shumë e shumë të rinjve në të gjithë vendin është një shans i vërtetë. Kjo përgjegjësi është një vlerësim maksimal për të rinjtë, ndaj detyra jonë është të punojmë më përgjegjshmëri, devotshmëri dhe thjeshtësi. Unë jam e bindur që këto zgjedhje, janë zgjedhjet e të rinjve, ndaj vendimet dhe zgjedhjet që ne do të bëjmë duhet të jenë të matura, me këmbë në toke dhe mos të harrojmë asnjë moment që duhet ti shërbejmë qytetarëve ashtu siç ata e meritojnë me sinqeritet dhe përkushtim.
Unë, familja ime, bashkëmoshatarët e mi dhe të gjithë shqiptarët, jemi të lodhur nga politika e vjetër, arrogante, mendjemadhe dhe aspak në shërbim të qytetarëve. Unë kam dëshirën, energjinë dhe vullnetin për të punuar dhe mësuar në mënyrë që të ofrojmë shanse në arsim, punësim, shëndetësi, turizëm etj.
100.000 vende pune vetëm për të rinjtë, është plani i punësimit për të rinjtë, është plani i parë që ne si deputet të rinj, do i japim jetë në parlamentin e ardhshëm duke rikthyer shpresën dhe motivimin tek të rinjtë.

– Cilat janë qëllimet e Erionës si e përfshirë në politik ?

Përfshirja ime në politik është një angazhim serioz dhe i përditshëm. Pasioni dhe dëshira me të cilën e kam nisur këtë rrugë më bën që çdo ditë të jap më të mirën time për të merituar besimin e të rinjve dhe qytetarëve të Tiranës në veçanti, për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme që na japin.
Përfaqësimi i lartë i të rinjve të LRI në Këshillin Bashkiak të Tiranës e transformoi këtë këshill në një arenë diskutimesh dhe debatesh duke përcjellur shqetësimet e banorëve të Tiranës.
Do të përmendja konsultimet e vazhdueshme publike që ne kemi realizuar nëpër zona të ndryshme të Tiranës, sidomos përpara shqyrtimit të buxhetit vjetor , ku jemi përpjekur që më paketën tonë të propozimeve, të përfshijmë jo vetëm problematika e të rinjve por edhe grupeve të tjera të shoqërisë. Miratimi i projektit të ‘Fuqizimit të grave sipërmarrëse’, ka qënë një nevojë emergjente promovuese dhe mbështetëse për nënat tona, ku së bashku me Erisën si anëtare të Bordit të Aleancës së Grave Këshilltare, kemi punuar fort për implementimin e tij dhe dhënien e një shansi për zhvillimin ekonomik të grave, me Floidën e cila është Kryetare e Aleancës së të Rinjve Këshilltarë, kemi vënë në zbatim programin e ‘Nxitjes së biznesit tek të rinjtë’ duke iu dhënë atyre një shans për të qënë sipërmarrës të suksesshëm.
Gjithashtu, si anëtare e këshillit bashkiak përfaqësoj Njësinë Administrative nr.9, kam patur detyrën dhe përgjegjësinë për të ngritur zërin në Këshillin Bashkiak për problemet e ndryshme të kësaj zone, si ndërhyrja në infrastrukturë sidomos në zonën e Don Boskos, ndërtimin e një qendre komunitare (kopesht- shkolle) e cila është shumë e nevojshme në zonën informale tek shinat e trenit etj, duke iu dhënë një shans qytetarëve të asaj zone për zhvillim dhe lehtësi shërbimesh.
Qytetarët e Tiranës meritojnë shumë e më shumë shanse për një jetë më të qetë, për shërbime më cilësore dhe për punë e mirëpaguara me qëllim rritjen e standardit të jetesës për një të ardhme të sigurt. Unë jam e bindur që përfshirja e të rinjve në politikë është një avantazh për realizimin e këtyre objektivave. Me vullnetin dhe thjeshtësinë e tyre për të dëgjuar dhe mësuar nga eksperiencat e mira duke i ndërthurur me pjekurinë, energjinë dhe pasionin e tyre për të punuar jam e sigurt që shanset për një Shqipëri Europiane do jenë të mëdha.

– Nga viti në vit LRI është rritur duke u bërë një familje e madhe për shumë të rinj. Cila është arsyeja apo mesazhi që LRI përcjell duke u bërë mjaft e dashur dhe shpresëdhënëse për brezin e ri ?

Lëvizja Rinore për Integrim është forumi rinor më i madh dhe më i dashur për të rinjtë në vend. Në radhë të parë sepse LRI është ka një traditë suksesi për të rinjtë. Të rinjtë në LRI vlerësohen, mbështeten dhe motivohen.
Aksesi që ju jepet atyre në vendimmarrje nis që në instancat drejtuese të partisë, ku në vitin 2012, LSI që partia e parë që vendosi kuotën prej 30% të përfaqësimit të të rinjve. Sot ky përfaqësim është tejkaluar.
Në vitin 2015, janë zgjedhur nga radhët e LRI 80 këshilltarë të rinj në të gjithë vendin, duke i shndërruar Këshillat Bashkiak në Këshilla ku debatohet dhe përfaqësohen interesat e çdo grup moshe të shoqërisë.
Në këto zgjedhje, aksionin politik LSI i është besuar përsëri të rinjve. Në qarkun Tiranës ne jemi 19 të rinj që kandidojmë për deputet në Kuvendin e ardhshëm.
LRI është familje e madhe ku mbizotëron dashuria, harmonia dhe solidariteti. Këto vlera kaq të rëndësishme për jetët tona, të cilët të rinjtë në LRI i përhapin kudo në mjediset ku ata jetojnë, shkollohen etj.
Të jesh pjesë e LRI do të thotë të kesh një shans. Një shans për tu dëgjuar zëri, për të ndryshuar realitete dhe për të përmirësuar jetën tonë të përditshme.
Të rinjtë në LSI janë shpresë dhe potencial për ta ndryshuar vendin dhe për të bërë një klasë politike të re dhe të përgjegjshme.

-Nga buron gjithë kjo energji dhe pozitivitet i juaji por edhe i të rinjve të LRI që LSI do të jetë forcë e parë në këto zgjedhje, apo është thjesht një slogan ?

Unë jam e bindur që LSI do të dali forcë e parë pasi ajo është e vetmja forcë politike në vend me rritje progresive që nga themelimi e deri më sot.
Programi i LSI është një plan konkret i cili do të jap shanse të vërteta për të rinjtë dhe shqiptarët. Arsimi është primar për ne, pasi ai edukon dhe përgatit brezat e ardhshëm për të marrë në dorë fatet e vendit. Programi jonë përfshin një ndryshim rrënjësor duke nisur nga çerdhet, kopshtet, shkollat dhe universitet. Qëllimi ynë do të jetë “Edukim cilësor për familje të shëndetshme”. Unifikimi dhe përmirësimi kurrikulave, nxitja e mendimit kritik, cilësia e mësimdhënies është një tjetër prioritet i yni.
Pak dite më parë, ne prezantuam Planin e Punësimit të të Rinjve, ku 100.000 vende pune do të hapen vetëm për të rinjtë në sektor prioritar si bujqësia dhe turizmi, si dhe në sektor dytësor si industria, infrastruktura, energjia , sektori i shërbimeve profesionale. 100.000 vende pune, janë 100.000 të rinj të cilëve iu realizohen ëndërrat, dëshirat dhe iu sigurohet një e ardhme e sigurt në vendin e tyre.
“Arsim për Punësim” është kryefjala jonë. Çdo i ri duhet të punoj në profesionin e tij, një i ri që punon jashtë profilit të tij, është i dekurajuar. Të rinjtë duhet të jenë të aftë për të vënë në praktike njohuritë e tyre akademike dhe për këtë do të vijnë në ndihmë Praktikat e Punës. Arsimi profesional është një tjetër prioritet në programin tonë, duke besuar se ai do shërbejë si katalizator për hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë, kryesisht në sektorin e shërbimeve. Ne duhet t’iu rikthejmë shanse dhe shprese të rinjve për të gjetur veten në shtëpinë e tyre, në vendin e tyre.
Krijimi i një klime mbështetëse dhe pozitive për zhvillimin e biznesit është pika kryesore për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe mbështetjen e atyre vendasve. Bizneset që do të punësojnë të rinjtë do të mbështeten më subvencione, grante dhe kredi të buta. Ata do të kenë lehtësira fiskale. Shqipëria është një vend me bukuri natyrore të shumta, ku zhvillimi i llojeve të ndryshme të turizmit është një asset i yni.
Lëvizja Socialiste për Integrim duke e patur kredon e vet politike integrimin evropian të vendit në të gjitha qëndrimet e veta, do të orientohet vetëm nga interesi i qytetarëve dhe nga interesi i integrimit evropian të vendit.
Alternativa që LSI përfaqëson, alternativa e të rinjve, e bën të pandalshme rritjen e LSI.
Grate dhe vajzat e reja janë siguria që LSI do të dal forcë e parë, sepse ne besojmë që një shans për gruan është një shans për familjen.
LSI do të dal forcë e parë sepse Integrimi Europian është prosperiteti ynë dhe e shohim atë si një element thelbësor në programin tonë të punësimit.

-Mendoni që në parlamentin e ardhshëm do të kemi më shumë të rinj?
Unë mendoj që grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jetë grupi më i madh, rrjedhimisht si forcë e parë, ku të rinjtë do të jenë pjesa thelbësore e tij. Të rinjtë e çdo bashkie dhe qarku, do të kenë mundësinë të përfaqësohen me bashkëmoshatarët e tyre në Kuvend, si një shans për të bërë një politik të vërtet dhe në shërbim të plotë të qytetarëve. Unë mendoj që politika ka nevoje për njerëz të vërtetë, që vijnë nga familjet e thjeshta shqiptare duke mos i kushtuar rëndësi moshës. Një shans për një të ri, është një shans për gjithë brezin dhe vendin.

Çfarë konsiderate keni në tërësi për klasën aktuale politike shqiptare ?
Unë mendoj që detyra e politikës është që ti shërbejë vendit dhe qytetarëve të saj. Nuk duhet të harxhojmë energji duke nxitur konflikt dhe duke mbajtur ‘peng’ reformat në vend. Shqiptarët kanë nevojë për një mesazh të paqtë social që t’iu ofrojë siguri, stabilitet dhe zhvillim. Të rinjtë duhet të nxisin një klimë pozitive dhe bashkëpunuese në vend duke ofruar shanse për zhvillim ekonomik me qëllim që investitorët e huaj ta shohin Shqipërinë si një vend të sigurt ku mund të investojnë, të nxisim një klimë konstruktive dhe bashkëpunuese në mënyrë që brezat e rinj të mos shohin emigrimin si mundësi të vetme për të ecur përpara, të vëmë në zbatim plane që ofrojnë hapësira punësimi konkrete, t’i kushtojmë rëndësinë e duhur bujqësisë dhe turizmit si asete të vendit tonë

(Burimi:360Gradë.al/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al