Erisa Xhixho: Protesta e 27 janarit e qetë, por me mesazhe të forta

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Erisa Xhixho, nëpërmjet një interviste në ‘Report Tv’, është shprehur se protesta e 27 janarit do të jetë e qetë, por me mesazhe të forta. Xhixho deklaron se e rëndësishme është që të thyhet frika që kanë njerëzit për të folur dhe për të protestuar, ndërsa sjell në vëmendje gjithë çfarë ndodhi në zgjedhjet e fundit të 25 qershorit, ku qytetarëve iu bëhej presion në këmbim të votave. “Për mua është e rëndësishme që në këtë protestë të thyhet frika e njerëzve që kanë për të folur dhe për të protestuar. Është një frikë që është akumuluar në zgjedhjet e fundit. Unë kam qenë vet një nga personat që ka kandiduar në një qark goxha të vështirë, siç ishte ai i Fierit dhe një nga zhgënjimet e mëdha të atyre zgjedhjeve ishte presioni i madh që iu bëhej njerëzve për votën”, është shprehur Xhixho.

Cili është roli i LSI në protestën e 27 janarit?

Padyshim që kjo është një protestë e opozitës së bashkuar dhe e frontit të bashkuar opozitar. Fillon që në organizimin teknik të njerëzve dhe mobilizimin e tyre për të qenë një protestë sa më paqësore. Besoj që mesazhi do të jetë i fortë. Gjithmonë LSI ka motivuar protesta paqësore. Kështu ka qenë dhe në opozitën e parë dhe besoj se mesazhi do të jetë goxha i fortë. Nga ana tjetër dhe organizimi do të jetë për mesazhet që do të jepen, për forcën e tyre të argumentit dhe të gjitha detajet e një proteste sa më masive dhe sa më të qetë.

Duke pasur parasysh dhe deklaratën që ka bërë znj. Kryemadhi, ku tha që Policia të mos provokojë protestuesit. Ka ndonjë sinjal që mund të ketë përshkallëzim?

Znj. Kryemadhi i është referuar protestës së fundit të dhjetorit. Të gjitha direktivat tona që kemi dhënë dhe në bazë, kemi thënë që në protestën e dhjetorit, që protesta të jetë sa më paqësore përpara Kuvendit, qytetarët të jenë aty. Dhe ashtu ishte, unë isha vetë e pranishme aty, deri në momentin që u provokua dhe u dhunua një deputete dhe padyshim që kjo solli reagimin që ju keni parë në Kuvend dhe ishte normale. Padyshim që qetësia duhet të ruhet nga të dyja anët, qoftë nga policia që është aty për të kryer detyrën dhe që paguhet nga taksat tona për të ruajtur rendin publik, qoftë dhe ne si organizator që kemi motivuar të gjithë njerëzit tanë që kjo protestë është paqësore, por mesazhin e ka shumë të fortë.

Në protestën e dhjetorit u tentua të hyhej brenda Kuvendit të Shqipërisë. E keni planifikuar skenarin, do ketë një tentativë të tillë?

Absolutisht. Aty do ketë fjalime, do ketë mesazhe politike, të cilët për mua në bazë dhe në themel duhet të kenë ekonominë, sepse ajo është një nga shqetësimet më të mëdha të shqiptarëve sot, mungesa e të ardhurave për të shtyrë ditët, apo konsumi, i cili ka rënë shumë. Vetëm nga statistikat e fundit, për loton amerikane kanë aplikuar mbi 270 mijë shqiptarë, ndërkohë një vit më përpara 200 mijë shqiptarë. Për mua është e frikshme kjo shifër. Apo 400 mijë shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria, ku 90% e tyre janë forcë punëtore. Pra, mungesa e shpresës, e një depresioni ekonomik, ku vetëm në statistikat e fundit të raportit të ekonomisë, u raportua që ne jemi ndër 10 vendet e fundit për fuqi prodhuese, duke u renditur krahë Azerbajxhanit, apo vendeve afrikane. Besoj që shqetësimi më i madh ekonomik, por dhe i ndërtimit të shtetit, flasim për një shtet ligjor, flasim për reformë në drejtësi, ku 140 deputetë, me një investim të jashtëzakonshëm të LSI, ju e mbani mend se si në atë kohë Kryeparlamentari Meta dhe LSI u investuan me të gjithë votat e veta dhe me vullnetin politik që ajo të arrinte në një konsensus. Prej asaj reforme ne arritëm të marrim një rekomandim pozitiv të negociatave nga Komisioni që i drejtohej Këshillit të BE. Pra, gjithë ajo frymë e reformës në drejtësi, opozita kërkon që të vazhdohet në atë frymë, në gjithë rrjedhën kushtetuese dhe ligjore, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të formojmë shtetin ligjor dhe të ndërtojmë një vend demokratik, si e meritojnë shqiptarët.

Çfarë prisni të ndodhë pas protestës?

Për mua është e rëndësishme që në këtë protestë të thyhet frika e njerëzve që kanë për të folur dhe për të protestuar. Është një frikë që është akumuluar në zgjedhjet e fundit. Unë kam qenë vet një nga personat që ka kandiduar në një qark goxha të vështirë, si ai i Fierit dhe një nga zhgënjimet e mëdha të atyre zgjedhjeve ishte presioni i madh që iu bëhej njerëzve për votën në 2017, ku pretendojmë të jemi vend i NATO-s, dhe të kemi marrë statusin e vendit kandidat, pretendojmë për t’u bërë anëtar të BE dhe të mos kemi dhe të mos arrijmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ku njerëzit me vullnetin e tyre dhe jo nëpërmjet frikës apo parave, të detyrohen të votojnë një subjekt, apo një tjetër.

Kjo është e papranueshme, kështu që edhe protestat demokratike ndodhin në të gjitha vendet.

Për mua është në të mirë të demokracisë pasja e sa më shumë protestave. Pra, ky do jetë hapi i parë i protestave, sepse ato do vazhdojnë.

Pra, ju po i bëni trysni Kryeministrit Rama  me protestat

Unë mendoj që Kryeministri Rama duhet të ndërgjegjësohet për atë që po ndodh sot në Shqipëri, qoftë në aspektin ekonomik. Ti në fund fare ke marrë mandatit për të mirëqeverisur dhe për të zhvilluar ekonominë. Nga ana tjetër, të mos marrësh peng asnjë nga institucionet, apo të mos bësh pronarin e një reforme në drejtësi, që i takon të gjithë shqiptarëve. Pra, duhet një ndërgjegjësim të z. Rama, por edhe atyre që qeverisin, sepse situata sot është shumë e rëndë dhe në qoftë se ne nuk çojmë zgjedhjen e prokurorit në shinat kushtetuese, atëherë asgjë nuk bëhet. Janë disa arsye që shqiptarët do protestojnë, ku mund të vijnë të gjithë. Për shembull, një student mund të protestojë për tarifën e shkollës, një i papunë për pamundësinë e gjetjes së një vendi pune. Protestat i shërbejnë demokracisë dhe shtetit ligjor absolutisht.

Ka një përgjegjësi shumë të madhe të gjithë politikës së krijuar në Shqipëri, pra jo vetëm të z. Rama, apo të kësaj qeverie.

Në qoftë se do pyesësh shqiptarët, nëse ndihen më të varfër se para 4 vitesh, padyshim që përgjigjja do jetë po. Arsyet ekonomike janë pikërisht ato që çojnë një person, apo një familje për të emigruar jashtë vendit. Unë nuk i shmangem as përgjegjësive të LSI-së. Por një nga objektivat që ne diskutojmë në mbledhjet tona të kryesisë, por edhe në tryezën e opozitës është se si ne do rikthejmë shpresën dhe alternativën në vend. Gjithashtu, ne mendojmë se si të bëjmë një opozitë që të ofrojmë zgjidhje. Në seancën e fundit plenare, opozita e bashkuar ka propozuar amendamentet kushtetuese që zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm ta vendosë në rrënjët kushtetuese dhe Kuvendit t’i kthejë legjitimitetin. Pra, ky është një hap përpara, që mos të ngelim vetëm në rolin e fjalëve, por dhe të veprave, ose aksioneve konkrete në mënyrë që të japim alternativë. Pra mos të jemi vetëm opozitë për opozitën, por të japim një alternative dhe një zgjidhje.

Ç’mund të thoni për xhelozitë e partive të tjera opozitare për marrëdhënien Basha-Kryemadhi?

Unë mendoj që ne sot na nevojitet bashkimi dhe një konsolidim i frontit dhe kalimi drejt një dimensioni të ri. Me dimension të ri, dua të them edhe çështjet organizative, por edhe ato programore e qasjen që duhet të kemi në publik për alternativat që japim dhe për rilindjen e shpresës. Ky është qëllimi i vetëm dhe mundësia që si ne mund të luftojmë politikisht z. Rama dhe këtë keqqeverisje. Pastaj xhelozi, debate, opinione gjithmonë do ketë. LSI-a gjithmonë ka garuar me votat e saj dhe nuk ka pretenduar të jetë pjesë e listave të asnjë partie tjetër. Debati kontribuon dhe nuk na shqetëson, por për ne është e rëndësishme që ky front opozitar të marrë një dimension shumë më të organizuar dhe strategjik.

 Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al