Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho ishte e ftuar ditën e sotme në një intervistë në News 24.

E pyetur mbi situatën e krijuar nga ndërhyrja e forcave policore në fakultetet e vendit dhe dhunës së ushtruar ndaj studentëve, ajo u shpreh se pushtimi i fakulteteve nga Policia është antiligjor, pasi vetëm titullari i institucionit Rektori ose Dekani mund të kërkojnë ndërhyrjen e policisë në raste të caktuara.

Gjithashtu Xhixho komentoi edhe letrën e Administratorit të UT të cilën e cilësoi si të paligjshme, pasi ai nuk ka kompetenca të tilla sipas statutit dhe ligjit, ai përgjigjet për logjistikën e fakulteteve për karriget e tavolinat jo për studentët dhe veprimtarinë e tyre.

“Kush ka dhënë Urdhër për futjen e policisë në auditore të ndiqet penalisht dhe të mbajë përgjegjësi për këtë veprim antiligjor.Gjithashtu policët që kanë dhunuar studentët në mënyrë të turpshme të filloj menjëherë procedimi penal dhe largimi nga uniformat blu.” – theksoi Nënkryetarja e LSI-së.

“Studentët janë në të drejtën e tyre për të protestuar në ambientet e tyre universitare, kjo është pjesë e lirisë akademike të fituar me gjak në 1968 nga studentët francez kur Presidenti i asaj kohe De Gol futi ushtrinë në universitete. Që nga ajo kohë u sanksionua në gjithë ligjet e statutet e Universiteteve europiane se në ambientet e tyre policia mund të hyjë vetëm me lejen e titullarit.
Kryeministri Rama si urdhëruesi i futjes së policisë në Universitete dhe dhunimin e studentëve do mbajë përgjegjësi , ai duhet urgjentisht të plotësojë kërkesat e studentëve në mënyrë që të rifillojë jeta akademike normalisht. Arroganca e tij po degjeneron me veprimin e fundit, futjen e policisë dhe dhunimin e studentëve që është e dënueshme dhe e turpshme.” –
u shpreh Xhixho në intervistën e saj për News 24.

E pyetur gjithashtu mbi rolin e pedagogëve në këtë protestë ajo theksoi se: Rama është përgjegjësi kryesor i kësaj situate pasi edhe VKM që ka nxjerr nuk plotëson kërkesat e studentëve, cënon autonominë universitare dhe synon me një lojë të pisët të vendosë kundër studentët me pedagogët. Por ta ketë të qartë ai e kushdo që pedagogët kanë qenë krah studentëve që ditën e parë dhe do vazhdojnë deri në fund.”