Erisa Xhixho: Reforma në drejtësi në shina antiligjore, dëmton rëndë procesin e integrimit

Nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Erisa Xhixho, në një intervistë për ‘Ora News’, është shprehur se zgjedhja në mënyrë antikushtetuese e Kryeprokurores së Përgjithshme të përkohshme dhe ngërçi për ngritjen e KLP dhe KLGJ ka agravuar dialogun politik, që është pikë kyçe për procesin e integrimit. “Fakti që kemi një ngërç në implementimin e reformës në drejtësi dhe në atakimin që bëhet si një zgjedhje antikushtetuese e Kryeprokurores së përkohshme apo e KLP dhe KLGJ, si dy organe qeverisëse si në Prokurori, si në Gjyqësor ka agravuar situatën politike, dialogun politik që është një element kyç në procesin e integrimit”, shprehet Xhixho.

 

Këtë vit kemi pritshmëri të larta për hapjen e negociatave me BE. Ju si e keni parë këtë proces?

Padyshim që është një proces që e kemi ndjekur në vazhdimësi, si një forcë politike, e cila ka qenë logo në BE. Duke shërbyer dy vite si zv/ministre e Integrimit Evropian dua të sjell në vëmendje 5 prioritetet e famshme për hapjen e negociatave dhe një rekomandim pozitiv që ne kemi marrë nga KE, mos ta harrojmë. Pas kalimit me konsensus të reformës në drejtësi, 140 votat e famshme të korrikut, që i dhanë dritën jeshile dhe në njëfarë mënyre fituan një besueshmëri në Komitetit Evropian, për të propozuar më pas rekomandimin pozitiv Komisioni Evropian drejt Këshillit Evropian që e rrëzoi atë, duke menduar për avancime të mëtejshme, që ishin të domosdoshme për Shqipërinë për hapjen e negociatave. Padyshim, ne si LSI, por edhe opozita e bashkuar, jemi të interesuar për t’u hapur sa më shpejt këto negociata. Do të ishin një ogur i mirë për një monitorim akoma më të rreptë të implementimit të reformës në drejtësi, apo luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe gjithë shtetit të së drejtës që ne synojmë të arrijmë. Gjithë stimuli jonë është që këto negociata të hapen sa më shpejt.

 

Situata aktuale na favorizon, apo na dëmton?

Ne shpresojmë shumë që këto negociata të hapen. Dhjetori dhe zgjedhja e Kryeprokurores në mënyrë antikushtetuese, ndërkohë që Kushtetuta e shpreh shumë qartë votat që kërkohen për zgjedhjen e Kryeprokurorit, kalimin në veting e të gjitha me radhë, padyshim që ishte një ngërç që u krijua në implementimin e reformës në drejtësi, aq shumë të trumbetuar dhe si kushti kryesor për hapjen e negociatave. Konsensusi për ngritjen e KLP, KLGJ, SPAK duhet të vazhdonte në të mirë të implementimit sa më të plotë dhe që t’i shërbejë kjo reformë gjeneratave të tjera. Fakti që kemi një ngërç në implementimin e reformës në drejtësi dhe në atakimin që bëhet si një zgjedhje antikushtetuese e Kryeprokurores së përkohshme, apo e KLP dhe KLGJ, si dy organe qeverisëse, si në Prokurori, si në gjyqësor ka agravuar situatën politike, dialogun politik që është një element kyç në procesin e integrimit.

 

Ka një mungesë dialogu në politikën shqiptare. Opozita ka paralajmëruar protesta të tjera, na favorizon apo na dëmton?

Fakti që në një vend demokratik ka protesta nuk ka asgjë anormale, përkundrazi kjo i shërben ndërgjegjes qytetare, aksionit qytetar. Besoj që në çdo shtet demokratik sot ka protesta. I shërbejnë një shtet-formimi më të mirë të vendit tonë. Por mos të harrojmë që kjo situatë e tensionit politik nuk ka ardhur pa shkas. Vijmë nga zgjedhjet e 25 qershorit, të cilat janë anatemuar me të drejtë. Trishtimi më i madh i imi si një kandidate për deputet në Qarkun e Fierit, trishtimi më i madh i imi ishte që në këto zgjedhje të mos ishte më vullneti i qytetarëve për të shprehur votën e tyre, por të ishin presione nga më të ndryshme për vendin e punës, apo presione në këmbim të parave. Përgjimet e fundit të dosjes ‘Habilaj’ e dëshmojnë që kanë qenë zgjedhje problematike, nuk ishin vullnet i lirë i shqiptarëve. Sepse një nga damkat më të mëdha që iu bë procesit të 25 qershorit ishte edhe demoralizimi i gjithë njerëzve për të kandiduar në zgjedhje, sepse të gjithë e kuptuam që të jesh pjesë e kandidimit duhet të jesh pjesë e krimit të organizuar. Besueshmëria te procesi zgjedhor besoj që është kyç për reformën zgjedhore dhe është një nga rekomandimet e para të OSBE/ODIHR-it. Ne kemi qenë gjithmonë pro për një sistem sa më gjithëpërfshirës dhe këto rekomandime mjafton t’i implementojmë dhe të kemi vullnetin për t’i çuar përpara. Por, kjo mazhorancë nuk e ka aspak dëshirën dhe vullnetin për të bërë këtë reformë zgjedhore për t’u dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Debati politik ditët e fundit është orientuar te negociatat me Greqinë, sidomos për çështjen e ndjeshme të detit. A ka LSI një qëndrim konkret për këtë çështje?

Të gjithë e kemi parë protestën e zhvilluar këtë të shtunë të shoqërisë civile përballë Kryeministrisë. Është një çështje shumë e ndjeshme ndaj qytetarëve shqiptarë. Ne kemi vetëm një deklaratë të ministrit grek, i cili ka qenë tepër transparent përballë popullit të tij, por nuk kemi asnjë deklaratë të ministrit tonë të Jashtëm për mënyrën se si po negociohet, çfarë po negociohet. Këtu më shumë po flasin politikanët sesa ekspertët. Duhen dëgjuar ekspertët dhe politikanët duhet të heshtin, sepse kemi të bëjmë me një interes kombëtar shumë të ndjeshëm ndaj qytetarëve shqiptarë dhe mbi të gjithë me një fqinj, me të cilin ne duam të kemi marrëdhënie shumë të konsoliduar. LSI e ka synuar gjithmonë këtë gjë. Le të mos harrojmë edhe rolin e vetë z. Meta edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe si kreu i LSI-së, por edhe tani si President i Republikës, rolin e tij për një fqinjësi sa më të mirë. Pra, transparenca duhet të jetë e para.

 

Ndërkohë, PD dhe LSI duket sikur e kanë përshkallëzuar aksionin e tyre opozitar. Cili është synimi i këtij bashkëpunimi?

Sot kemi një front opozitar, një front kundër krimit të organizuar. Ka shumë gjëra që mund të na ndajnë me Partinë Demokratike, në ideologji, në programet ekonomike, por na bashkon krijimi i një fronti që lufton krimin e organizuar. Këtë gjë e tregoi më së miri edhe më 27 janar, ku u përcoll zëri i çdo qytetari, me të gjithë problemet që ata kanë si: ekonomia, varfëria, ulja e konsumit, rritja e taksave, tatimeve, drejtësi e pabarabartë etj. Nga njëra anë janë mbi 700 mijë shqiptarë që kanë lënë vendin dhe kanë emigruar. Nga ana tjetër kemi mbi 200 mijë të tjerë, të cilët kanë aplikuar për Lotarinë Amerikane. Edhe fjalimet në protestë ishin kryesisht të përqendruara tek ekonomia, si një nga plagët kryesore, që prek sot çdo familje shqiptare.

 

PS dhe LSI duket se e kanë shumë të thjeshtë që të tregojnë me gisht armikun e tyre të përbashkët, që është Edi Rama, megjithatë ka një farë skepticizmi, kur flitet për një bashkëpunim të mundshëm në zgjedhje. Përse ndodh kjo?

Jemi ende herët për këtë gjë. Sot më shumë se kurrë kërkohet largimi i Kryeministrit Rama, i cili është shkaktari kryesor i gjithë këtyre problematikave që ne denoncojmë vazhdimisht. Prandaj është artikuluar gjithmonë krijimi i një qeveria anti-mafia, e cila pavarësisht se kush e drejton, çon përpara reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe kalon ngërçin në të cilin ndodhet vendi. Më pas do të jenë ditët në vijim që do të konsolidojnë edhe aleancat në zgjedhjet vendore, apo në zgjedhjet e parakohshme, që mendoj se do të ishte zgjidhja e duhur.

 

Mendoni se do të kemi një lajm pozitiv për integrimin këtë vit?

Shpresoj shumë si një garanci më shumë për qytetarët shqiptarë, për institucionet shqiptare, të cilat janë të monitoruara e të vëzhguara nga ndërkombëtarët edhe si një ogur i mirë për të dalë nga harta e kanabisit. Një imazh dhe një damkë që e kemi tashmë të trashëguar nga kjo qeveri. Dhe padyshim hapja e negociatave do të ishte një ogur i mirë që situata të ndryshojë.

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al