Përdorimi i ushqimeve të shpejta është pa dyshim në majat më të larta. Ushqimi i shpejtë pa dyshim që është dhe shumë i shijshëm, por jo me vlera të larta ushqyese. Edhe pse konsumatorët janë të ndërgjegjshëm që ai është i dëmshëm për organizmin, përsëri duket se nuk i rezistojnë dot një sufllaqeje me salcë të kuqe dhe mustardë. Mjafton të kesh dëshirë për të konsumuar një sanduiç, sufllaqe apo picë dhe shërbimi taksi ta siguron atë kudo që të jesh, brenda pak minutave. Moshat e reja janë konsumatorët më të rregullt të kësaj menyje.

Qytetarët theksojnë se i dinë pasojat e përdorimit të këtij ushqimi, por shpesh detyrohen nga rrethanat, që të përfundojnë duke ngrënë në Fast Food-e. “Ushqim i shpejtë, një vrasës i heshtur”, ky është mendimi i bluzave të bardha. Mjeku Ramazan Buçi tha se ushqimet e shpejta kanë një ndikim mjaft negativ në shëndetin e fëmijëve, sidomos të atyre që nuk hanë mëngjes në shtëpi. Buçi thekson se fast food-et konsiderohen si vrasës të heshtur. Sipas mjekut, ushqim i shpejtë përkthehet në obezitet të shpejtë, çka do të thotë se konsumatori është i ekspozuar ndaj sëmundjeve të rrezikshme. “Obeziteti favorizon aksidentet vaskulare të trurit dhe zemrës dhe njëkohësisht të veshkave”, tregon mjeku.