Intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj: Detyra jonë së pari është të rikthejmë dëshirën për të jetuar në Shqipëri dhe besimin se demokracia nuk do të vdesë

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Pse nuk e kanë bërë detyrën e tyre Oficerët e Policisë, po kënaqen me fotografitë e sajuara për portale, duke shoqëruar fëmijët të kapërcejnë rrugën”? Është pyetja që shtron deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, pas vendimit të qeverisë për vendosjen e 150 oficerëve të sigurisë në shkolla.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mehmetaj flet edhe për vendimin e qeverisë për mbylljen e basteve dhe kazinove, ku shtron disa pyetje që ende nuk kanë marrë përgjigje nga Kryeministri.

“Nga vijnë paratë e investuara në këtë biznes dhe kush është përgjegjës për dyfishimin e pikave të basteve gjatë viteve të fundit? Pse nuk ka asnjë kontroll të moshës që ka frekuentuar këto qëndra dhe pse nuk e thotë Kryeministri publikisht sa para kanë humbur shqiptarët në baste”.

E ndërsa për protestat, deputetja thotë se: “Fundi i kësaj qeverie është shumë afër dhe kjo jo vetëm prej reagimeve të opozitës, të çfarëdo lloji qofshin ato por sepse qytetarët nuk e pranojnë më këtë situatë dhe janë ata që do e shtyjnë Kryeministrin drejt greminës”.

LSI-ja pak ditë më parë bëri thirrje për një aksion kombëtar, për të shpëtuar shkollën dhe fëmijët nga hashashi. Këtij shqetësimi, duket sikur ju përgjigjet qeveria me vendimin e fundit për vendosjen e 150 oficerëve të sigurisë në shkolla. E shihni si një projekt të mirë dhe çfarë do të bëhet me qëndrimin e LSI-së?

Kryeministri sa herë është në vështirësi të madhe, për të shpërqëndruar opinioni publik, sajon disa pseudo-reforma të cilat i pagëzon me ndonjë emër të bukur dhe i shet për shfajësim. Edhe këtë ”aksion” e shoh si një qëndrim hipokrit të Kryeministrit, i cili pasi lejoi që shkollat të ktheheshin në tregje të drogërave të ndryshme dhe adoleshentët në viktima të bandave kriminale.

Me deklaratat e fundit, po përpiqet tu fshihet përgjegjësive. Policia është e vendosur në shkolla prej vitesh tashmë, po ashtu si edhe kamerat e sigurisë. Këtu nuk ka asgjë të re, përkundrazi vetëm përforcohen argumentat që Policia e Shtetit dhe organet e tjera përgjegjëse për sigurinë në shkolla, janë të dështuara në detyrën e tyre.

Nuk po marr asnjë rast tjetër, veç atij të ditëve të provimeve të maturës. U mbushën televizionet e portalet me policë që ruanin si xhandarë maturantët të mos kopjonin, ndërkohë që shpërndarësit e drogërave as nuk i evidentojnë e jo më ti kapin. Pse nuk e kanë bërë detyrën e tyre Oficerët e Policisë, po kënaqen me fotografitë e sajuara për portale, duke shoqëruar fëmijët të kapërcejnë rrugën? Pse nuk i ka siguruar policia pamjet e kamerave të sigurisë nëpër gjimnazet e Tiranës pas denoncimeve që janë bërë nga emisionet investigative për shpërndarjen dhe konsumin e lëndëve narkotike nëpër shkolla.

Për të luftuar fenomenin e konsumit të lëndëve narkotike në mosha të reja, së pari duhen luftuar kultivuesit e shpërndarësit, pra bandat e krimit të organizuar, të cilët Kryeministri as si emra nuk i përmend dot për shkak të lidhjeve e varësisë që ka me ta. LSI-ja ka punuar një plan konkret për çlirimin e shkollave nga droga dhe rehabilitimin e të rinjeve të përfshirë në vepra penale, ku padyshim hapi i parë është të çlirojmë shtetin dhe institucionet nga bandat e krimit të organizuar.

Si e lexuat vendimin e qeverisë për heqjen e kazinove elektronike dhe të basteve në qendrat e banuara? Ju si LSI e keni kërkuar prej kohësh por a besoni se Rama do t’i rezistojë mafias së lojërave të fatit?

Të gjithë e dimë që javën e parë të qeverisjes, kryeministri e nisi me aksionin kundër lojrave të fatit të quajtur ”Fundi i Marrëzisë” dhe ja ku jemi sot, duke dëgjuar përsëri marrëzinë e radhës, gënjeshtrën e radhës dhe këtë e bën thjeshtë për të tërhequr vëmendjen nga skandalet që e kanë kapluar gjithë qeverisjen. Unë e përmenda edhe në një reagim të timin, në Shqipëri më lehtë të zë syri pika bastesh e llotosh, se ushqimore. Edhe në zonat më të thella rurale, ku varfëria po rrënon shtëpitë, gjen pika bastesh që shkëlqejnë nga lluksi.

Nga vijnë paratë e investuara në këtë biznes dhe kush është përgjegjës për dyfishimin e pikave të basteve gjatë viteve të fundit? Pse nuk ka asnjë kontroll të moshës që ka frekuentuar këto qëndra dhe pse nuk e thotë Kryeministri publikisht sa para kanë humbur shqiptarët në baste. E gjithë shqipëria flet për lidhjet e këtij biznesi me Kryeministrin dhe krimin e organizuar. Nuk besoj të kenë mbetur ndonjë Shqiptarë naiv që i beson deklaratat kryeministrore mbi luftën ndaj “lojërave të fatit”.

Para nisjes së vitit për arsimin e lartë, u bë me dije mbyllja e 41 degë në universitete. Çfarë do të thotë kjo për rininë shqiptare?

Ky është një ndër rastet kur ndihem shumë e dëshpëruar, të them se e kishim paralajmëruar një situatë të tillë. Që me miratimin e ligjit të ri për Arsimin e Lartë, kemi thënë se nëse nuk zbatohet me përgjegjshmëri do rrezikojmë mbylljen e universitetve dhe degradimin e Arsimit të Lartë. Disa herë kemi kërkuar me forcë të ndryshojë metoda e përdorur për regjistrimin e studentëve në degët që meritojnë dhe preferojnë por Ministrja e Arsimit me kokëfortësi vazhdoi me zbatimin e këtij projekti që synon shkatërrimin e Arsimi të Lartë Publik në vend.

Presim ndërkohë të shohim sa janë plotësuar kuotat e Universiteteve Private dhe a po e zëvendësojnë ato Universitetin Shtetëror? Gradualisht po vërtetohet dëshira e madhe e kësaj mazhorance për ta lënë vendin pa dije, pa arisim. Fundja një popull i paditur mbahet lehtësisht nën sundim. Nga ana tjetër një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare po largohet nga vendi dhe studentët janë të parët që përpiqen me çdo mjet të shkollohen diku në shtetet Europiane apo në USA për të ndërtuar kështu edhe të ardhmen e tyre jashtë. Me trshtim po bëhemi dëshmitar të një eksodi të madh dhe fatkeqësia është se të parët që po largohen janë edhe më të mirët.

Xhisiela Maloku nga viktimë, del në mbrojtje të djalit të deputetit të PS-së. Madje, ajo ju ka bërë thirrje ju si opozitë, që ta lini të qetë atë dhe familjes së saj, pasi sipas saj historia është përdorur politikisht. Çfarë komenti keni?

Unë ndjej keqardhje për vajzën dhe situatën në të cilën ajo ndodhet. Nuk ka asnjë habi për mua ta shoh atë në krah të dhunuesit, apo dhunuesve (qeveria), pasi ashtu e vetme dhe e pambrojtur nuk e shoh të zonjën ti bëjë ballë presionit dhe kërcënimeve të dhunuesit dhe pushtetit politik që është pas tij.

Por më shumë se vetë Xhisiela, më trishton mendimi se në Shqipëri ka plot vajza që vuajnë të njëjtin fat me të dhe nuk gjejnë guximin dhe sigurinë të denoncojnë. Dhe nuk kanë faj. Të gjithë u bënë dëshmitarë se si vetë kryeministri por edhe i gjithë aparati shetetëror, ju vu këmba-këmbës asaj dhe denoncuesit tjetër dhe mbrojtën djalin dhunues të babait deputet, i cili ndër të tjera merr guximin të kërcënojë publikisht opozitën.

E çfarëdo të thotë Xhisiela sot, vet fakti se ligji nuk ka vepruar njësoj për djalin e deputetit si ndaj çdo qytetari tjetër, qartazi tregon që insitucionet janë të kapura dhe të kërcënuara nga krimi. Megjithatë, unë dua të bëj edhe njëherë thirrje publike, ndaj kujtdo që është nën kërcënime dhe terror, që të ngrihen e të denoncojnë. Rasti Xhisiela duhet të na japë kurajo, e jo të na frikësojë më shumë si shpreson Kryeministri.

Në shtator u tha se do të kishim një opozitë të flaktë por asgjë nuk ndodhi. LSI vijon konferencat për shtyp, denoncimet në facebook, e kështu me radhë. A mundet që kjo qeveri, e cilësuar nga ju si e lidhur me bandat, të rrëzohet me konferenca dhe statuse në facebook?

Unë mendoj se aksioni opozitar është forcuar dhe ashpërsuar prej shtatorit. Tashmë fronti opozitar është zgjeruar dhe përveçse janë bërë bashkë të gjithë partitë politike, përtej spektrit të tyre ideologjik, tashmë në aksion janë bashkuar edhe grupet e interesit. Që në fillim të shtatorit opozita ka prezantuar Platformën e saj. Janë 4 nisma konkrete të cilat ne i kemi ndërmarrë, duke filluar me Vetting-un në Politikë, Pastrimin e Biznesit nga Krimi, Çlirimin e Zgjedhjeve nga shitblerja e votes, krimi dhe presioni shtetëror dhe Rikthimi i Reformës në drejtësi ne hullitë e konsensusit të qershorit 2016.

Nga ana tjetër, kemi denoncuar me zë të frotë e të lartë lidhjet e qeverisë me krimin, duke treguar përgjegjësit dhe duke sjellë fakte në tryezë. Nuk ka munguar as reagimi qytetar që ka mbështetur opozitën. Tashmë të gjitha partitë opozitare po takohen më qytetarët, përkrahës ose jo të tyre për të përcaktuar edhe hapat që do ndërrmerren në vazhdim.

Fundi i kësaj qeverie është shumë afër dhe kjo jo vetëm prej reagimeve të opozitës, të çfarëdo lloji qofshin ato por sepse qytetarët nuk e pranojnë më këtë situatë dhe janë ata që do e shtyjnë Kryeministrin drejt greminës.

LSI-ja ka nisur takimet në të gjitha degët në vend, çfarë synohet me këtë proces? Janë sinjale të një rruge që të çon në zgjedhje të parakohshme apo fuqizimin për zgjedhjet lokale?

LSI-ja është një parti që dallohet për lidhjen e drejtëpërdrejtë që ka me bazën dhe votuesit e saj. Ne vazhdimisht jemi në takime me strukturat tona për çështje të organizimit por edhe për të dëgjuar prej tyre problemet dhe pritshmëritë ndaj punës tonë. Gjatë kësaj kohe takimet janë edhe më intensive për të konsultuar platformën opozitare dhe për të vendosur bashkë me ta hapat e rradhës. Shqetësimi im kryesor në këto momente nuk janë zgjedhjet por mungesa e sigurisë dhe shpresës në vend. Detyra jonë së pari është të rikthejmë dëshirën për të jetuar në Shqipëri dhe besimin se demokracia nuk do të vdesë.

Për tu përqëndruar tek zgjedhjet e ardhshme. Është përfolur se kandidati i opozitës në Tiranë mund të jetë nga LSI-ja. Keni ju një emër?

E përmenda edhe më sipër. Në një vend që po humbet demokracia nuk mund të ketë zgjedhje normale, ndaj puna jonë së pari është të kthejmë normalitetin, e më pas të mendojmë për zgjedhjet. Ne po flasim me qytetarët, po shkojmë krahas kërkesave të tyre dhe kemi prezantuar platformën e masave emergjente për ta rikthyer vendin në rrugën e zhvillimit dhe proçeseve integruese. Është detyra jonë në këto momente, si përfaqësues të popullit të denoncojmë të gjithë aktet korruptive dhe lidhjet që qeveria ka me krimin dhe padyshim të luftojmë për zhbërjen e këtyre lidhjeve. Kur vendi të jetë gati për zgjedhje demokratike, të lira dhe të ndershme, pa dyshim edhe LSI-ja do të jetë gati me përfaqësuesit e saj.