FJALA E PLOTË/ Përparim Spahiu: Spahiu: Të mos presim qeverinë, por të bëhemi bashkë për Statusin e Minatorit

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Përparim Spahiu gjatë fjalës së mbajtur në seancën plenare është shprehur se qeveria po fut dorën thellë edhe në xhepat e qytetarëve duke u rritur taksat e bizneseve të vogla dhe duke u vendosur taksim progresiv edhe mbi pagat. Ai foli gjithashtu edhe për projektligjin e minatorëve për të cilin z. Spahiu u shpreh se nuk ka më kohë të presim për qeverinë, por ka ftuar kolegët që të bëhen bashkë për Statusin e Minatorit.

Më poshtë keni fjalën e plotë të z. Spahiu:

Të nderuar kolegë deputetë!

Diskutimet e gjata dhe të përvitshme në parlament, për buxhetin dhe paketën fiskale, janë të vlefshme për një mazhorancë që ka dëshirën e mirë për të dëgjuar. Megjithatë, uroj që nga ky diskutim i rëndësishëm, të ketë reflektime, sepse po shoh dita-ditës, që kjo mazhorancë po krijon një distancë jo vetëm me qytetarët e thjeshtë po e po, por edhe me biznesin.

Nëse flasim në vija të përgjithshme, është e qartë se ekonomia e vendit sot nuk është ashtu siç propagandohet, por me rritje imagjinare apo suksese të paqena. Mjafton të dalësh pak kilometra jashtë Tiranës, dhe mund të hasësh drama sociale, papunësi, mungesë shprese e besimi te kjo qeveri, te ky parlament, te ky vend.

Mediat italiane flasin për të mitur që mbledhin krom, ato tonat, që për kryeministrin vazhdojnë të ken kazan, gra në muajin e shtatë të shtatzanisë që bëjnë të mjëjtën gjë,  por ju sërish mbyllini sytë duke e mohuar. Dhe meqë jemi te kjo pikë, ju keni në tryezën tuaj që nga legjislacioni i kaluar, projektligjin për “statusin e minatorit” dhe jo vetëm që nuk e keni futur në buxhetin e 2018, por as merrni mundimin që ta lexoni dhe ta hidhni për debat në parlament. Vijojmë më tej…Mijëra të rinj aplikojnë për Lotarinë Amerikane, e shumë të tjerë po ndjekin kurse të gjuhës gjermane, me shpresën se do të gjejnë një vend pune në Gjermani. Por ju sërish mbyllni sytë. E rëndë është situata edhe për të moshuarit, të cilët rreken për të marrë një pension që as për ilaçe nuk iu del. Por as këtë nuk e shihni.

Por le te kthehemi te nismat e qeverisë për biznesin dhe punësimin e të rinjve. Sa e vështirë është sot për të të hapur një biznes, nga një i ri… Qera, taksa, ujë, drita, korrupsion, gjoba tatimore, sigurime shoqërore e shëndetësore, janë disa nga faktorët që frenojnë nismat e çdo të riu. Natyrisht, nuk jemi kundër zbatimit të rregullave e kërkesave që janë të domosdoshme në këto raste, por, po të jesh djali i ndonjë politikani, këto pengesa janë artificiale, janë të pandjeshme dhe bëhen të padukshme.

Kjo mazhorancë ka arritur sot një rekord me vetveten (jo me rajonin), atë të mbledhjes së të ardhurave nga bizneset dhe individët përmes taksave të larta që ata paguajnë në buxhet. Ju krenoheni me rezultatet e aksionit antiinformalitet, e theksoj, ju mburreni realisht, ku thoni kemi vënë kaq gjoba dhe janë mbyllur kaq biznese. Por asnjëherë të vetme nuk keni analizuar faktet dhe problemet që ka një biznes, i cili dëshpërimisht refuzon të paguajë detyrimet.

Për të kuptuar më mirë problemet e biznesit, më lejoni që të bëj të njohura për ata që nuk i kanë parasysh dhe për publikun e gjerë që na ndjek, disa të dhëna të raportit “Doing Buisness 2018” të Bankës Botërore, i cili thotë se Shqipëria renditet në vendet me nivelet më të larta të taksave në rajon për vitin 2017. Po sipas këtij raporti, bizneset shqiptare paguajnë si taksë 37.3% të fitimit, ndërkohë që në Maqedoni bizneset paguajnë 13.2% dhe në Kosovë 15%. Vijojmë më tej me raportin. Kontributet e sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi janë sërish më të lartat në Shqipëri dhe Serbi, përkatësisht me 15% dhe 17.9%. Shqipëria renditet në shtetet me TVSh-në më të lartë prej 20%, jo vetëm në rajon por edhe në Europë. Në Mal të Zi TVSh-ja është 19%, në Maqedoni dhe Kosovë 18%, në Bosnjë 17%. Ndërkohë që Gjermania, shteti që merret si shembull nga çdo kryeministër që vjen në pushtet, e ka TVSh-në 19%.

E pra, këto janë mjaftueshëm disa arsye për të kuptuar se biznesi i vogël në Shqipëri është pothuajse i fundosur. Por, ju po tentoni t’ua ngushtoni edhe më shumë lakun qytetarëve, me propozimi për uljen e kufirit të TVSh-së nga 5 milionë në 2 milionë për biznesin e vogël, pavarësisht se Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur kategorikisht kundër. Ministria e Financave e argumenton këtë me faktin se ulja e kufirit të TVSh-së do të ulë edhe informalitetin, por FMN-ja pohon të kundërtën. “Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe efektiviteti i administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë.”- pohon FMN-ja. Por kë të besojnë qytetarët, propogandën e qeverisë apo FMN?

Pra nga sa përmenda më sipër, shanset që një i ri të hapë një biznes të vogël, janë pothuajse minimale. Po ju tregoj të dhënat e një sondazhi interesant, të realizuar nga apo shoqata e biznesit te vogel:

 

Në të thuhet se 68% e personave që kanë një biznes të vogël duan të largohen nga Shqipëria, ndërkohë që 79 % e tyre e shohin të zymtë të ardhmen në vendin tonë. Ata e konsiderojnë veten njësoj si me të papunët, pasi të ardhurat që marrin nga biznesi janë qesharake.

Tronditëse është fakti se rreth 74 % e bizneseve të vogla kanë gjoba nga tatimet, OSHE-ja, Ujësjellësi apo njësitë vendore, 83 % mendojnë se ka selektivitet në aksionet antinformalitet, ndërsa 89 % prej tyre kanë paguar të paktën njëherë ryshfet. Sondazhi vijon me të dhënat se 64 % e bizneseve të vogla duan të shkurtojnë numrin e punonjësve, për shkak të pamundësisë, duke u kthyer kështu në biznese familjare.

Prandaj, Lëvizja Socialiste për Integrim i bën thirrje Ministri të Financave, qeverisë, që të reflektojnë dhe të lënë TVSh-në në kufirin aktual, prej 5 milionë lekësh. Mos rëndoni xhepat e të pamundurve, sepse do t’ju kthehet në bumerang. Shkoni në dyqanet periferike, dhe do të shihni se çfarë situate ekonomike të rënduar po përjetojnë bizneset e vogla.

Por nuk është vetëm kjo. Qeveria po fut dorën thellë edhe në xhepat e qytetarëve. Tashmë me Paketën e re Fiskale do të kemi taksim progresiv jo vetëm mbi pagat, siç është aktualisht, por mbi të gjitha llojet e të ardhurave. Sipas skemës së re, për të gjitha të ardhurat, përfshirë edhe profesionet e lira, do të zbatohet taksa progresive nga 13 deri në 23%, në vartësi të nivelit të të ardhurave. Pra, të njëjtën taksë do ketë edhe një infermier, një mësues, një dentist, një noter apo një drejtor korporate.

Në 2013, kur kjo mazhorancë erdhi në pushtet, premtoi se do të ulte TVSh-në për ushqimet bazë. Po kjo jo vetëm që nuk është mbajtur si premtim, por nga ana tjetër sot e kësaj dite, as nuk po e merrni nismën për ta futur në Paketën Fiskale të vitit 2018. Ju po ndillni një antipati te qytetarët, pasi, duke ndjekur politika me fasada dhe premtime të pambajtura, keni rrënuar besimin e njerëzve në proceset e zhvillimit të vendit. A e dini sesa familje përfitojnë nga ulja e TVSh-së për çmimet bazë? Nëse i referohemi vetëm shifrave të INSTAT-it, janë plot 78 mijë familje, me rreth 350-400 mijë që marrin ndihmë ekonomike. Pra të gjithë këto familje kanë nevojë jo vetëm për ushqime më të lira, por edhe për rimbursimin për blerjen e ushqimeve bazë, pa llogaritur edhe pensionistët.

Ne kemi TVSh-n- më të lartë në Europë për ushqimet bazë. Ushqimet bazë janë shumë më lirë në Gjermani me 5% TVSh, Francë 5.5%, Kroaci 5% apo në Angli që e kanë TVSh-në 0%.  Ne si forcë politike propozojmë që të ulet TVSh-ja për ushqimet bazë të shportës deri në 5 %. Vetëm kështu mund të rrisim konsumin dhe t’i japim një impuls ekonomik edhe biznesit të vogël.

Një tjetër pikë ku dua të ndalem, është taksa e banesës. Vitin e ardhshëm ju po u ngarkoni shqiptarëve një tjetër barrë, duke vendosur 0.05 % tatimin mbi pronën. Është e vërtetë që Shqipëria ka rendimentin më të ulët në rajon për tatimin e pronës. Por me propozimin tuaj, nëse marrim si shembull një familjeje pensionistësh të cilët banojnë në një apartament të kohës së Komunizmit në qendër të Tiranës, mund t’i kërkohet të paguajnë gjysmë pensioni deri në një pension mujor taksë prone në vit. Kjo është e rëndë. Ne propozojmë që kjo taksë të jetë zero për banesën e parë, dhe për banesën e dytë le të vendosë qeveria. Pra, nëse ecim në një logjikë të thjeshtë, për një qytetar që ka vetëm një banesë dhe jeton në kufirin e mbijetesës, kjo taksë do të jetë dërrmuese për të. Por nëse një qytetar ka 2 ose më shumë banesa, atëherë qeveria le të vendosë një taksë që do të mbulojë edhe humbjet që mund të vijnë nga mostaksimi i banesës së parë.

Ndryshe nga qasja e kësaj qeverie që refuzon të ulë taksa, në rajon kjo ka sjellë një ndryshim rrënjësor. Le të marrim rastin e Maqedonisë pasi e kam përsëritur disa herë në qëndrimet e mia. Raporti i Bankës Botërore, thotë se Shqipëria ka nivelin e tatim-fitimit tepër të lartë prej 15%, ndërsa Maqedonia, Bosnja dhe Kosova e kanë 10%, Mali i Zi 9%. Por çfarë ndodh? Në Maqedoni ulja e taksave ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e bazës së tatimpaguesve. Kjo ka bërë gjithashtu që disa nga bizneset më të mëdha si qendra tregtare, fasoneri apo fabrika industriale në Shqipëri të transferohen në vendin fqinj. Pra, Maqedonia po kthehet në një atraksion për investitorët e huaj. Ndërsa ju në Shqipëri, nuk mund t’u tregoni shqiptarëve, se cili sipërmarrës i huaj ka ardhur në vendin tonë këto 3-4 vitet e fundit dhe ka investuar 30-40 milionë euro. Banka Botërore ka prezantuar gjatë ditës së sotme Raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor. E dini çfarë thotë për Shqipërinë? Vendi ynë ka një ngadalësim të rritjes ekonomike, për shkak të mungesës së investimeve të huaja.

Le të vijojmë me një tjetër propozim të qeverisë për Paketën Fiskale, atë të uljes së TVSh-së në 6 % për hotelet luksoze. Ju po favorizoni hotelet me 4-5 yje, të cilat zotërohen nga një grup klientësh pranë qeverisë. Si ka mundësi që bëni një ligj për të lehtësuar taksat për miliarderët. Për ta kuptuar më mirë qytetarët, nëse ha drekë apo darkë në një hotel pa yje, atëherë ky hotel do të paguajë 20 % TVSh, ndërsa dreka në një hotel me 4 apo 5 yje tatohet me 6%. Kjo është qesharake, dhe duket qartë se bëhet për të favorizuar edhe një rrjet hotelesh të reja që priten të ndërtohen në Tiranë ose diku tjetër në bregdet. Po në të njëjtin ligj qeveria ka propozuar që në ndihmë të hoteleve me 4 dhe 5 yje, taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa që ndërtesat e reja e paguajnë te bashkitë në shkëmbim të shërbimeve publike bazë, përfshirë furnizimin me ujë dhe heqjen e ujërave të zeza, nuk do të paguhet nga këto biznese. Ju pretendoni të bëni turizëm elitar në vendin tonë, duke favorizuar vetëm një grup klientësh, në një kohë që vendit i mungojnë aeroportet, infrastruktura, shërbimet, transporti publik e shumë të tjera.

Të nderuar deputetë, mendoj se jemi në një situatë ku hendeku mes të pasurve dhe të varfërve po vazhdon të thellohet, ku të pasurit janë pasuruar edhe më shumë, kurse të varfrit kanë vijuar në ekstremin tjetër. Ju keni ndërtuar një Paketë Fiskale, që nuk do të nxisë ekonominë, por dëshpërimin dhe dëshirën për të lënë këtë vend. Ju po fundosni çdo shpresë, çdo ëndërr për të ecur përpara. Prandaj, është koha për reflektim, është koha që njerëzit të reagojnë dhe të mos lënë një grusht deputetësh të shkatërrojnë jetën e qytetarëve.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

 

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al