Floida Kërpaçi: Çështjet e rinisë nga ana e qeverise janë trajtuar në mënyrën më përbuzëse, pa interes dhe pa seriozitetin e nevojshëm

Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi

Dua ta nis fjalën time duke përshëndetur e shprehur mirënjohjen për qeverinë Gjermane për këtë marrëveshje për shtimin e fondeve të Projektit të Zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, i cili synon nxitjen e punësimit dhe arsimit profesional.

Me bindjen se çfarëdo investimi që i shërben punësimit është tej mase i nevojshëm për Shqipërinë e varfër e të papunë, e shpresoj që ky projekt, i cili do të implementohet falë GIZ, të japi rezultatet e parashikuara.

Por krahas efekteve pozitive të të tilla projekteve ndërkombëtare, të cilat na ndihmojnë të gjejmë zgjidhje për një numër të kufizuar problemesh, besoj se është me shumë rëndësi që qeveria të angazhohet e të gjejë zgjidhje funksionale ndaj situatës së papunësisë e të aftësimit profesional të brezit të ri në tërësi.

Ndërtimi i shoqërisë së dijes, është një nevojë për të gjitha vendet të cilat synojnë një zhvilllim të qëndrueshëm ekonomik, kulturor e social.

Arsimi është formues i karakterit të çdo qytetari dhe një arsim i mire përkthehet në një popullsi të aftë për të marr vendimet e duhura, të aftë për të ndarë të mirën nga e keqja, të aftë për tu përshtatur me tregun e punës, e kur nuk ka një të tillë ta krijojë atë.

Aftësimi profesional është faktor kyç në sektorin e arsimit që përgatit nxënësit për tregun e punës. Dhe dua të përmend faktin se janë bërë me dhjetëra premtime për një rikonceptim të arsimit profesional ashtu siç e quante Rilindja, procesin e reformave tani më të venitura,  e duke vazhduar me dhjetra premtime të tjera për krijimin e një infrastrukture me standardet europiane.

Po ku ndyshojnë faktet dhe shifrat nga fotot e bukura që bëhen në një cep ndërtese të restauruar?

Realiteti është tjetër, ku shifrat e shprehin qartë se nga gati 19 mijë regjistrime në vitin 2012 në shkollat profesionale, në vitin 2016-2017 pati vetëm 10 mijë regjistrime. Pra gjysma e nxënësve krahasuar me vitin 2012.

Fatkeqësisht edhe ky pseudo arsim profesional që ekziston në Shqipëri nuk ka një lidhje efiçente me tregun e punës.

  • Sipas Bankës Botërore Shqipëria ka numrin më të lartë të firmave në vendet e Europës Juglindore(36%), që raportojnë se forca e punës nuk zotëron aftësinë që ato kërkojnë.
  • Ndërsa statistikat kombëtare të tregut të punës tregojnë se 14% e të punësuarve nuk u përputhet profesioni me arsimimin.

Ateherë pyetjet që shtrohen normalisht, janë: Pse nuk ka një studim të qartë, apo edhe një mirëorientim për ti drejtuar nxënësit, drejt tregut të punës? Çfarë e ka penguar qeverinë që ta bëjë më funksional sistemin e arsimit profesional? Dhe Qeveria duhet të jetë transparente e të tregojë pse politika e tyre për arsimin profesional në 5 vjet nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e bëra nga ta!

Shqipërisë iu bë kohë tashmë që pret për ndryshime jo vetëm në këtë sektor por dhe në shumë të tjerë, por asgjë nuk duket në horizont.

Shqiptarët duan punë, të punojnë e të fitojnë me nder atë që I takon, nuk kanë luksin të presin që ndryshimi i këtij sistemi primitiv që koha e ka lënë pas, të vijë me mikrohapa dhe premtime boshe.

Qeveria ka folur shumë për vënien e arsimit profesional në krye të prioriteteve të sektorit arsimor, por në realitet struktura e shpërndarjes së shkollave është gati e njëjtë me atë të kohës së komunizmit.

Trupa mësimore nuk është e kualifikuar me nevojat e kohës, ambientet dhe laboratorët e praktikave mësimore janë krejt të vjetruara, e ndërkohë vërehet se nuk është bërë mjaftueshëm për të bindur brezin e ri, sidomos atë me rezultate e prirje për këto degë për ta parë arsimin profesional si alternative.

Një sistem arsimi profesional që nuk ka lidhje direkte me tregun e punës do të thotë nxënës të diplomuar të cilët me shumë mundësi nuk kanë përfituar dijet e nevojshme, e si pasojë nuk do të jenë te aftë të jenë konkurues në këtë treg pune që ështe çdo ditë në ndryshim e sipër.

Një gjë e tillë do të bëhet shkak i rritjes së papunësisë në Shqipëri, në rritjen e atyre që zgjedhin rruge alternative si krimi për të siguar të ardhurat, ne rritjen e të varfërve dhe të personave që do të kërkojnë ndihma nga shteti, por për më tepër në rritjen e largimit të Shqiptarëve.

Problemet janë të shumta dhe ato mund të rikuperohen nëse ndryshon qasja e institucioneve ndaj arsimit të brezit të ri, nxitja e shkollimit profesional e me njohuri praktike. Por kjo normalisht kërkon vizion e vullnet, të cilat qeveria ka treguar tashmë se nuk i ka.

  1. Një ndër problemet më kryesore është që deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë analizë sistematike e tregut të punës për të vlerësuar se cilat janë kualifikimet e kërkuara dhe se si mund të bëhet përshtatja dhe planifikimi i kurseve në të ardhmen.
  2. Një tjetër problem është ai që shumë pak biznese bashkëpunojnë me shkollat për organizimin e orëve të praktikës për nxënësit. Në të gjitha rastet, drejtorët e shkollave pohojnë se bordet janë thjesht organe shumë formale, duke pasur parasysh mënyrën se si janë krijuar dhe se si e ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Qëndrimi i bizneseve larg shkollave të arsimit profesional dhe e anasjellta është padyshim rrjedhshmëri problematikash.
  3. Por një tjetër alarm kumbues është infrastruktura primitive.

Përvojat ndërkombëtare tregojnë se infrastruktura e praktikave në shkollat profesionale duhet të jetë më e përparuar se zhvillimet e kohës. Një nxënës që nis studimet për elektronikë përgatitet për nevojat që tregu i punës do të ketë së paku pas pesë vitesh. Në kohët e sotme, teknologjia përparon me ditë, ndërsa ndër vite ndryshimet janë të mëdha.

Kjo është vështirësia më e madhe e shkollave profesionale me drejtim në teknologji, shpjegojnë dhe ekspertët.
Për të pasur një funksion të përshtatshëm të kurrikulave mësimore, shkollat e arsimit profesional kërkojnë fonde të mëdha në dispozicion.

Dhe për asnjërën nga sa më sipër qeveria nuk ka krijuar zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, sepse nuk e ka krijuar me seriozitet dhe me vizion modelin e zhvillimit të arsimit profesional në vend.

Gjykoj që çështjet e rinisë nga ana e qeverise jane trajtuar në mënyrën më përbuzëse, pa interes dhe pa seriozitetin e nevojshem. Të jemi realist, rinia sot jeton në një udhëkryq për të ardhmen e tyre. E them udhëkryq sepse të jetosh dhe mbijetosh në Shqipëri nuk është e lehtë. Sfidat dhe problemet që kalojnë të rinjtë sot janë të mëdha.
Duke filluar arsimi, punësimi, problemet sociale në shoqëri, përdorimi dhe varësia nga drogat, mungesën e vizionit për jetën, mospërshtatjen e sistemit arsimor me tregun e punës, mungesën e informacionit rreth këtij tregut të punës, si dhe paragjykimin dhe diskriminimin ndërmjet të rinjve janë sot probleme me të cilat jetojnë të rinjtë dhe familjet e tyre.

Papunësia mes të rinjëve është mbi 30% dhe rritet vit pas viti, problemet janë në themel të çdo institucioni dhe në qoftë se nuk reagojmë tani për të bërë ndryshim atëherë do të jetë shumë vonë në një kohë tjetër.

Ajo që dëgjojmë sot në vendin tonë është drogë drogë drogë; vrasje; njerëz që vdesin rrugëve, pasiguri për shëndetin, pasiguri për të ardhmen, një çmenduri që të çmend.

Dhe nga ana tjetër kemi qeverinë që bën shoën e saj a thua se situata është normale! Jo, nuk është! Sepse sot I pafajshmi vritet në mes të rruges , I riu merr shembullin e të droguarit të suksseshëm dhe kriminel, shoqëria po shkon drejt sjelljeve jo të kontrolluara dhe jemi sot në një këmbanë alarmi në një vend të pasigurtë për vajza e gra, burra e djem, familjarë e të moshuar.

E përsëris edhe njëherë se marrëveshje të tilla si kjo që po kalojmë janë pozitive e të mirëpritura, por sistemi ynë i kalbur ka nevojë për ndërhyrje serioze në tërësinë e tij.

Nuk mund të presim më për fasada, fjalime të bukura dhe foto që marrin shumë pëlqime, zhvillimi i vertetë do të vijë në momentin që qeveria jonë do të heqi dorë nga mashtrimet e do të investojë realisht në arsimin dhe punësimin e qytetarëve, e sidomos të brezit të ri, që është dhe e ardhmja e vendit tonë.

Faleminderit!

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al