Floida Kërpaçi: Ekonomia dhe përfshirja social-politike, objektivi ynë për të rinjtë


14424762_1291571850856070_6188921357738377445_o“Të rinjtë duhet ta duan vendin, pasi ai ka nevojë për talentin e tyre. Ne do të punojmë fort që ata të mos t’i kenë sytë nga emigracioni, por nga vendi i tyre”

 Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi, thekson se aspektet e ekonomisë dhe përfshirja social-politike janë në objektivat e këtij forumi politik. Në një intervistë për “Channel One”, Kërpaçi vuri në dukje se arritja e vërtetë e LRI-së do të jetë kur të jenë arritur rezultatet dhe bilancet pozitive për të rinjtë. Ajo theksoi se kjo kërkon përgjegjshmëri dhe për t’i përfaqësuar denjësisht ata. Sipas saj, të rinjtë duhet ta duan vendin e tyre, ai ka nevojë për talentin e tyre. Për këtë arsye, ajo theksoi se LRI do të punojë fort, që ata të mos t’i kenë sytë nga emigracioni, por nga vendi i tyre.

Ka përfunduar Kampingu i Jalës. Si u ndjetë në këtë provë tuajën të parë si kryetare e LRI?

Ishte prova e parë për të gjithë ekipin e LRI, sepse ashtu siç ju e dini janë zhvilluar zgjedhje dhe Konventa në të gjithë Shqipërinë. Kështu që ishte prova e parë mund të themi e suksesshme për të gjithë ekipin e ri të LRI në të gjithë Shqipërinë, kështu që besoj se e filluam me këmbë të mbarë.

Çfarë kishte ndryshe këtë vit në Kampingun e Jalës krahasuar me vitet e tjera?

Për ne këtë vit ishte shumë ndryshe. Kishim shumë përgjegjësi. Duhet të them të vërtetën, unë kam që në 2013 që jam pjesë e Kampit të Jalës dhe gjithmonë ka mbizotëruar perfektja në Kampin e Jalës. Këtë vit ne e ndjemë më shumë, sepse kishim edhe më shumë përgjegjësi. Por mbizotëroi ajo që mbizotëron gjithmonë në familjen e madhe të LSI dhe LRI, mbizotëroi solidariteti, bashkëpunimi, punë në grup, harmonia, mirësia dhe këto të gjitha bashkë bënë që të kalonim 5 ditë vërtet të mrekullueshme me LRI. Jemi rritur me frymën që të kemi përgjegjësinë, ashtu siç kemi drejtuar atë kamp për pesë ditë. Sepse për ne nuk është vetëm një kamp, e imagjinojmë bregdetin e Jalës si Shqipërinë e madhe dhe shpeshherë të gjithë çuditen me ne, kemi parë dhe shumë artikuj që të rinjtë aty gatuajnë, pastrojnë tualetet, servirin ushqimet. Për ne Jala është si Shqipëria e madhe dhe ne tregojmë aty kujdesin për çdo detaj, tregojmë kujdesin për Shqipërinë tonë, për vendin tonë.

 Në Kampingun e Jalës është vënë re prania e madhe e personaliteteve të huaja…

Kishim shumë të ftuar të huaj dhe në fakt kemi mësuar shumë. Dua t’i falënderoj shumë publikisht që pranuan ftesën tonë dhe ishin aty me ne. Kishim ambasadorin e Sllovakisë, z. Milan Cigánik, kishim dy deputetë të Portugalisë, Joao Torres dhe Ivan Gonçalves, mikun tonë shumë të mirë, kishim deputetin e Suedisë z. Adnan Dibrani dhe dua të përmend një shprehje të tij, që vërtet më ka ngelur në mendje dhe më ka frymëzuar. Ai ka thënë: ‘Kur unë shkova në Suedi isha refugjat dhe arrita të bëhesha deputet, arrita të bëhesha pjesë e vendimmarrjeve në një vend si Suedia. Ju jeni në Shqipëri, tha, dhe me një lider si Ilir Meta dhe me kaq mundësi sa keni, imagjino çfarë mund të bëni’. Dhe është e vërtetë që mundësitë janë shumë të mëdha. Përveç tyre kishim dhe të ftuar shumë të rëndësishëm, kishim prof. dr. Friedberg, që është drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Sigurinë Energjetike, i cili ka qenë dhe ish-kryetar i çështjeve evropiane në Bundestag dhe ish-sekretar i shtetit. Kishim gjithashtu edhe shumë të ftuar shqiptarë, kishim znj. Arta Dade, kishim z. Namik Dokle, Majlinda Ketën, Erjon Veliajn etj. Ne kemi zhvilluar shumë diskutime, kemi ndenjur për orë e orë të tërë me ta, ku jo vetëm kemi diskutuar për tematika të ndryshme, por kemi shkëmbyer dhe eksperienca, për të mësuar më shumë.

Çfarë u diskutua në mbledhjen e Kryesisë së LSI?

Ajo që u diskutua në mbledhjen e Kryesisë së LSI, ashtu siç dhe u tha paraprakisht, ishte për zgjedhjet brenda partisë, ku dolën dy kandidaturat për kryetarë. Është konfirmuar kandidatura e kryetarit Ilir Meta dhe gjithashtu u aprovua dhe kandidatura e profesor Shezai Rrokaj. Më datë 6 nëntor do të mbahet konventa, ku do të zgjidhet kryetari i partisë.

Cili është çelësi i suksesit të LRI?

LRI është krijuar në 2004. Ajo që kam gjetur personalisht, por që besoj se është dhe motivi i të rinjve dhe motori i suksesit dhe i rritjes së LRI është dashuria. Shumë të rinj që angazhohen me LRI e ndjejnë dashurinë, respektin për njëri-tjetrin, ndihen të lirë, punojnë për komunitetin, punojnë për sfidat rinore. Të qenit përfaqësues i rinisë dhe secili prej anëtarëve të LRI që është përfaqësues i rinisë, është një përgjegjësi e madhe dhe LRI ka qenë ndër vite krah të rinjve, krah kauzave të tyre, krah shqetësimeve dhe problematikave për të gjetur zgjidhje. Ky është misioni i LRI dhe arseja e krijimit të saj.

Çfarë përfitoi LRI gjatë kampingut të fundit në Jalë?

Në fakt për LRI është i nënti vit që zhvillohet kampingu i Jalës. Kur përmendet fjala kamping të gjithë mund të mendojnë për pushime, argëtim, por realisht janë pesë ditë të cilat janë të mbushura me trajnime, bashkëbisedime, leksione. Janë pesë ditë, në të cilat ne kemi diskutuar për rolin dhe fuqizimin e të rinjve në shoqëri, për parimet e social-demokracisë dhe demokracinë në Shqipëri. Kemi folur për ekonominë e familjeve të thjeshta, për problemet dhe shqetësimet e të rinjve. Kemi pasur shumë të ftuar vendas dhe të huaj dhe kanë qenë pesë ditë nga të cilat kemi mësuar shumë. Unë kam bindjen që çdo i ri që ka qenë në kamp, është kthyer në shtëpi me më shumë pozitivitet, me më shumë shpresë, me më shumë energji për të punuar për Shqipërinë tonë, për të qenë pranë kauzave rinore, problemeve dhe shqetësimeve të shqiptarëve.

Si bashkëpunon LRI-a e kryeqytetit me strukturat e rretheve?

Lëvizja Rinore për Integrim nuk është e ndarë LRI e Tiranës dhe LRI e rretheve. Ne jemi një forum rinor dhe nuk na dallojnë rrethet. Pak javë më parë ne kemi zhvilluar një mbledhje të Komitetit Drejtues Kombëtar të LRI-së ku kemi caktuar edhe axhendën e takimeve organizative në të gjithë Shqipërinë, ku unë së bashku me drejtues të LRI-së kemi zhvilluar takime në çdo qytet të Shqipërisë, jo vetëm për të diskutuar me ta për LRI-në, për organizimin e LRI-së, por për të diskutuar për të rinjtë, për të qenë pranë problematikave të tyre. Dhe ne kemi ndërmarrë këtë tur takimesh për të diskutuar me ta se cilat janë zgjidhjet e këtyre problemeve të tyre.

Cilat janë disa nga problemet apo shqetësimet kryesore që ju evidentoni më së shumti në këto takime?

Një nga shqetësimet më kryesore të të rinjve është pikërisht arsimi. Ekonomia është një tjetër shqetësim për ta. Përfshirja sociale dhe ajo politike janë një tjetër shqetësim, por edhe arti, kultura, sporti. Por, unë kam besim se këto problematika do të marrin zgjidhje, besim të cilin e kam marrë nga kampingu i Jalës, ku pashë gjithë shpresat, ëndrrat dhe aspiratat e tyre për të punuar e për të luftuar për aspiratat e tyre.

Cili ishte qëndrimi i Lëvizjes Rinore për Integrim për problematikën e ngritur këto ditë për Maturën Shtetërore? A kontaktuat me ta nga afër? U njohët me shqetësimet e ngritura prej tyre?

Ky ishte një problem jo vetëm për ne dhe maturantët, por për të gjitha familjet shqiptare. Pa diskutim që ne patëm kontaktet tona me të rinjtë, por edhe me prindërit e tyre, ku kemi qenë pranë tyre, kemi shprehur angazhimin dhe mbështetjen tonë maksimale për zgjidhjen e kësaj problematike të tyren. Kemi zhvilluar edhe një mbledhje kryesie për këtë çështje dhe jemi munduar që të gjejmë dhe të mendojmë për një zgjidhje për ta. Tashmë situata i është rikthyer normalitetit dhe na mbetet të presim rezultatet e maturantëve në fazën tjetër, të cilëve dua t’u uroj shumë suksese.

A kishte ndonjë maturant nga radhët e LRI-së që kishte këtë problematikë?

Jo vetëm nga radhët e LRI-së, por edhe shumë të afërm rastisën që nuk kishin pasur mundësi dhe dukej ndjenja e frikës dhe mosbesimit, por tani janë në fazën e dytë për t’u regjistruar në ato shkolla që kanë fituar.

A kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017 dhe cili është roli i LRI-së në këtë rast?

Objektivi i LRI-së është po ai i vitit 2004 kur është krijuar. Jo vetëm objektivi i LRI-së por edhe objektivi i çdo forumi rinor duhet të jetë që të prodhojë shpresë. Objektivi ynë për 2017 është që të prodhojmë shpresë për të rinjtë. Aktualisht e kemi filluar punën tonë, me një program politik realist dhe që do të jetë pranë çdo të riu dhe do të pasqyrojë problemet dhe shqetësimet që kanë ata. Të rinjtë ndeshin në përditshmërinë e tyre shumë probleme dhe mua më vjen keq që të rinjtë e mendojnë të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë dhe ne duhet të punojmë që ta kthejmë këtë shpresë. Shqipëria ka nevojë për të rinj ekselentë dhe për të rinj, të cilët duan të punojnë për Shqipërinë dhe të kenë shpresën dhe t’i japin energji dhe dashuri për ta bërë vendin edhe më të mirë.

 Cili modeli që duhet të ndjekin sot politikanët e rinj?

Ajo që çdo politikan duhet të ketë, është përgjegjshmëria e të qenit përfaqësues të të rinjve dhe të shqiptarëve, është të qenit i thjeshtë. Detyra jonë është që të punojmë për të qenë pranë njerëzve dhe për të prodhuar reformat që u shërbejnë të gjithë qytetarëve. Nuk duhet të mendojmë se ku duhet të jemi në të ardhmen në politikë, por se çfarë mund të bëjmë për vendin tonë. Ky duhet të jetë synimi për zgjedhjet e ardhshme dhe qëllimi i përditshmërisë sonë. Jam e bindur që në ditët dhe pas mbarimit të zgjedhjeve të ardhshme, thjeshtësia, pozitiviteti për të qenë pranë çdo shqiptari duhet të na shoqërojë çdo ditë. Është përgjegjësi shumë e madhe të jesh kryetare e LRI-së, e një forumi kaq të përgjegjshëm dhe me kaq të rinj që ka pasur ky forum, që kanë punuar dhe kanë dhënë kontributin e tyre përgjatë viteve. Është përgjegjësi e madhe të jesh pranë çdo të riu dhe të punosh me ta. Pas katër vitesh do të doja që ne si LRI të kemi arritur rezultatet dhe të kemi bilancet pozitive për të rinjtë, sepse të rinjtë kanë shumë sfida dhe të rinjtë i kanë sytë nga ne. Kjo kërkon që të jemi të thjeshtë, të përgjegjshëm dhe të jemi çdo ditë me ta për të mos u transformuar nga pushteti. Kjo do të ishte një arritje dhe një sukses për të gjithë ne për të punuar për të rinjtë dhe për t’i përfaqësuar denjësisht ata. Të rinjtë duhet ta duan vendin tonë, pasi vendi ynë ka mundësi për të gjithë të rinjtë dhe ka nevojë për ta dhe talentin e tyre. Për këtë arsye, ne do të punojmë fort që ata të mos t’i kenë sytë nga emigracioni, por nga vendi i tyre.

(Burimi:Gazeta integrimi/Xh.N)

Te shenuara si:
al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al