Floida Kërpaçi: Një grua e dhunuar do të thotë një shoqëri e tërë e dhunuar

Deputetja e LSI-së, znj. Floida Kërpaçi në fjalën e mbajtur në seancën e sotme plenare, e ka cilësuar çështjen e dhunës në familje si një ndër më të rëndësishmet e vendit tonë. Znj. Kërpaçi theksoi se një grua e dhunuar do të thotë një shoqëri e tërë e dhunuar dhe se ky fenomen është jo pak i përhapur në Shqipëri.

Më poshtë keni fjalën e plotë të znj. Kërpaçi:

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar kolegë deputetë e shumë të nderuar qytetarë,

Në fakt tema për të cilën diskutohet sot, përveç rëndësisë madhore që ka, duhet thënë se është një çështje, e cila nuk ka marrë asnjëherë vëmendjen e duhur dhe pikërisht për këtë arsye sot gjendemi në një situatë të vështirë dhe të dhimbshme, sepse çdo ditë flitet për një jetë më pak, viktimë e këtij fenomeni. Dhuna në familje, një fenomen jo pak i përhapur në vendin tonë dhe nga shumica e popullsisë shihet si një problem që i përket vetëm familjes dhe jo shoqërisë. Por në fakt duhet të jetë e kundërta sepse çdo ditë e më shumë ne shohim e dëgjojmë për raste të dhunës në familje që fatkeqësisht, pavarësisht se mund të jenë marrë masa, prapë fundi është fatal. Dhuna ndaj gruas veçanërisht po bëhet gjithmonë e më shumë shqetësuese në shoqëri për faktin se shumë burra mund ta shohin si kërcënim socializimin dhe lirinë e gruas në shoqëri. Kjo për arsye mentaliteti, por jo vetëm. Faktorë̈ të tjerë̈ janë̈ niveli i ulët i zhvillimit social-ekonomik, niveli i lartë i varfërisë̈, niveli i ulët i shkollimit dhe mungesa e kulturës demokratike.

Në Shqipëri ka një mijë e një probleme duke nisur që nga gjendja ekonomike, mungesa e shumë shërbimeve bazike gjë që sjell dhe konflikt mes familjarëve për shkak të pamundësisë për t’i siguruar pjesëtarëve të tjerë të familjes shërbimet e nevojshme, duke degraduar dhe në dhunë. Janë pikërisht këto familje të varfra, në të cilat dhuna bëhet e përditshme dhe zgjidhje ka pak sepse mungon aksesi nga viktimat e dhunuara për të marrë informacionet e duhura për të drejtat që kanë dhe shërbimet që mund të marrin për të dalë nga kjo situatë. Sepse sot shumica e popullsisë shqiptare jeton në kushte të vështira, minimale dhe aspak të ngjashme me luksin dhe të mirat e oligarkëve dhe pushtetarëve të cilët çdo ditë e më shumë pasurohen dhe mbushin xhepat, ndërsa një familje e varfër fle dhe zgjohet me mendjen se si do të sigurojë ushqimin për ditën e nesërme. Si rrjedhoje në këto familje nuk ka qetësi, duke u prishur harmonia dhe duke sjellë konflikt dhe dhunë.

Sipas Kushtetutës, grave u jepen të drejta të barabarta me burrat në të gjitha fushat e jetës, por realiteti në vendin tonë është që gratë nuk përfitojnë̈ nga shumë prej të drejtave që u jep ligji. Sot nuk kemi një informacion të saktë, me statistika rreth fenomenit për shkak të mos raportimeve dhe denoncimeve nga viktimat. Sepse në fakt kjo qeveri nuk i jep asnjë siguri një viktime të dhunës që pas raportimit do të shpëtojë nga ajo situatë, sepse ndodh e kundërta ditën tjetër dëgjojmë në televizione që viktima është vrare. Pra me ç‘garanci sot një individ i dhunuar në familje të kërkojë të drejtën e tij?

Një studim i bërë nga UNICEF tregon se dhuna në familje i izolon gratë̈ në mënyrë̈ direkte ose indirekte nga rrjeti i tyre mbështetës. Ato gradualisht pakësojnë̈ aktivitetin e tyre social me kërkesën e partnerëve të tyre, ose nga turpi, apo nga meraku për të mos i shqetësuar miqtë̈ dhe familjen. Një̈ grua nga Shkodra, nënë̈ e një̈ fëmije tregon: “Unë̈ jam shndërruar në një̈ person aspak miqësor, e tërhequr në vetvete dhe pasive e frikësuar”. E të shumta janë rastet që tregojnë se dhuna në familje shkakton pasoja të thella në mirëqenien e gruas në përgjithësi. Ushtrimi i dhunës në familje i vë gratë̈ përpara një̈ rreziku të madh për shëndetin fizik dhe mendor duke përfshirë̈ plagosjet, depresionin, ankthin, çrregullime të stresit post-traumatik, pagjumësi, vetëvlerësim të ulët, humbjen e besimit për jetën dhe tendencë për vetëvrasje. Kjo influencë e dhunës në familje, mund të vazhdojë pas ndalimit të dhunës edhe për një̈ kohë të gjatë. Sa më i rëndë̈ të ketë̈ qenë abuzimi, aq më të thella janë̈ pasojat në shëndetin fizik dhe mendor të gruaje.

Është e domosdoshme që qeveria të ndërmarrë iniciativat e duhura kundër këtij fenomeni në mënyrë që të respektojë dhe plotësojë të drejtat themelore të grave dhe fëmijëve si pjesë e të drejtave të njeriut. Duhet të merren masa më efikase për t’i dhënë siguri çdo gruaje, çdo nëne, çdo vajze që denoncimi i dhunës nuk do t’i shkaktojë më shumë probleme dhe shtim dhune sepse deri më sot me çfarë kemi dëgjuar një urdhër mbrojtje shpesh nuk mjafton. Sepse janë dhe fëmijët ata që preken dhe iu cenohet e ardhmja. Sepse edhe nëse s’janë ata viktima të abuzimit, të qenit në një ambient, ku dhuna është kryefjalë ndikon dhe në formimin e tyre, duke bërë që në të e ardhmen ata të sillen njësoj ose dhe më keq me familjen e tyre. Prandaj është detyrë e qeverisë që ta eliminojë këtë fenomen, duke e nisur që nga rrënja. Që nga përmirësimi i gjendjes ekonomike, që me buxhetin e planifikuar nuk ishte fare në plan përkundrazi, dhe më pas me fuqizimin dhe mbështetjen e grave, duke i ndihmuar ato të dalin nga kjo situatë e papranueshme sot në vitin 2017. Duhen marrë masa dhe sanksione reale kundër atyre që dhunojnë dhe abuzojnë, ndryshe do të mbetemi në fazën e diskutimit dhe konstatimit dhe për ato gra dhe vajza që sytë i kanë nga ne nuk do ndryshojnë asgjë. Realiteti është shumë i vështirë dhe përballë këtij realiteti duhen më shumë vepra e pak fjalë për gratë dhe vajzat. Duhen më shumë vepra e pak fjalë e t’i lëmë fasadat sepse realiteti i dhunës në familje ndaj grave dhe vajzave është shumë i vështirë. T’i shtrijmë dorën një gruaje, një vajze e t’i ndihmojmë sepse kështu kemi ndihmuar një familje, kemi ndihmuar të gjithë shoqërinë e vendit tonë.

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al