Floida Kërpaçi: Qeveria me politikat e saj pa drejtim ka çuar 300.000 shqiptarë pa drejtim në emigrim

Fjala në Kuvend e deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi

 

Paraprakisht do të doja të përshëndesja Republikën Austriake në bashkëpunimin e treguar për sa i përket ratifikimit të marreveshjes për mbrojtjen Shoqërore.

Një projektligj ky që e thënë në mënyrë të thjesht parashikon se çdo qytetarë Shqiptarë që jeton dhe punon në Austri, nese zgjedh të kthehet në Shqipëri do ti njihet periudha kohore e të punuarit në Austri gjë që përkthehet në sigurim shëndetësor, pension, etj,  dhe gjithashtu e anasjellta për qytetarët Austriakë.

Një marrëveshje e tillë paraqitet si kusht nga proçesi i stabilizim asocimit dhe theksoj se është pozitive, por gjithashtu tregon se sa mbrapa jemi në plotësimin e kërkesave të diasporës.

Marrëveshjet midis qeverive për sigurimin shoqëror janë lidhur vetëm midis 11 shteteve, ndërkohë që diaspora shqiptare konsiston prej më shumë se 30 shteteve. Qeveria ka për detyrë të tregojë me transparencë se në cilën fazë janë bisedimet me shtetet e tjera.

Gjithashtu do kërkoja të bëhej e qartë dhe transparenca se cila është fatura financiare në buxhetin e shtetit të këtyre marrveshjeje, qytetarët Shqiptarë që kthehen nga puna në imigrim dhe zgjedhin të përfitojnë Sigurimet Shoqerore në Shqipëri çfarë volumi monetar do të merrnin nga buxheti i shtetit.

Pa humbur kohë kalojmë tek problematika reale e ditës e të përmend se sa e vështirë është të argumentosh me një qeveri që ka humbur misionin e saj dhe ka dalë nga rruga e ligjores, një qeverie vendimet e së cilës janë vrastare për qytetarët shqiptarë dhe një barrë e madhe për tu mbajtur në shpinë nga çdo njeri i ndershëm ku realiteti i hidhur i vendit vetëm sa e sa vjen e përkeqësohet nga interesat kriminale në dëm të kombit.

E kam ngritur si shqetësim pothuajse në çdo seancë këtu në parlament problematikën e përdorimit të drograve në shkollat shqiptare. Qartazi fjalët e mia kanë rënë në veshë të shurdhët.

Por dhe sikur të më duhet ta përmënd për të një miliontën herë përsëri do të vazhdoj të ngrej këtë shqetësim sepse vazhdueshmëria e shoqërisë shqiptare varet nga zgjidhja e problematikave me interes kaq të madh kombëtar.

Përfshirja në proçesin vendimmarrës të bandave kriminale dhe lidhjet e forta të qeverisë me këto grupe e kanë dhënë frutin e rezultatin fatëkeq, dëshira e madhe për të shitur këto substanca narkotike nuk kanë pyetur se çfarë kanë patur përpara të mitur apo të rritur.

Si pasojë droga tregtohet e përdoret në oborret e gjimnazeve shqiptare. Ku të rinjtë e pafajshëm nuk i shpëtojnë dot aromës së këtyre substancave, oborre këto ku nxënësit e tunduar nga mendjet kriminale nuk i shpëtuan këtij biznesi të frikshëm e kthehen në përdorues brenda institucioneve shtetërore ku mësuesit kanë frikë të veprojnë nga kundërpërgjigjet e bandave.

Ngjarje të tilla kanë efekte dhe pasoja të mëdha negative jo vetëm tek të rinjtë por qartazi dhe familjet e tyre. Do të lutesha për të marrë masa, sepse diçka e tillë nuk mund të vazhdojë në një shtet që synon integrimin Europian.

Një tjetër shqetësim që kam ngritur më parë është emigrimi i të rinjëve. I kam shtjelluar me dhjetra herë arsyet, por përsëri fjalët nuk u dëgjuan. E jo vetëm që nuk u dëgjuan por u ngritën pretendime të reja nga kryeministri duke thënë se shtete të tjera në BE kanë patur zhvillime të ngjashme në të shkuarën.

Do doja të qartësoja për publikun që këto shtete që kanë patur emigrim me numra të ngjashëm me shqiptarët e kanë popullsinë disa herë më të lartë dhe përqindja e të larguarve është pothuajse e parëndësishme për ekonomitë e tyre ndërkohë që përqindja e të rinjëve që largohen nga shqipëria është alarmante.

Dëgjon gjithandej njerëz që thonë se Shqipëria nuk bëhet, se korrupsioni është kaq i lartë sa nuk ka vlerë të konkurosh në një treg pune të padrejtë, shpresë e humbur dhe zor se kthehet.

Rritja e taksave, është super strategjia e Kryeministrit që i rriti në mënyrën më të rrezikshme të mundshme, pa bërë studimet e nevojshme të tregut taksat rriten vetëm e vetëm për të përmbushur shpenzimet burokratike qe zmadhohen gjithnjë e më shumë nga qeveria dhe për tu harxhuar në projekte e tendera ku aferat korruptive janë tepër të mëdha e të gjitha këto në kurriz të popullit.

Fillon plani i taksave me atë të pronës një taksë po aq transparente sa dhe vetë politikat korruptive që ndjek qeveria. Pikërisht Aspak!

Nuk ka një proçes të qartë se si vlerësohet vlera monetare e pronës dhe si pasojë ka shumë vend për të bërë kalime nga llojet më të ndryshme që populli të paguaj më shumë seç i takon.

Vazhdon kjo marrëzi me një TVSH që falimenton biznesin e vogël, edhe pse kjo e fundit punëson gati gjysmën e popullit Shqiptarë. Ulja e pragut për xhiro pa TVSH deri në 2 milionë lekë në vit do të bëjë që edhe sipërmarrjet e vogla tregtare me xhiro mesatare 5500 lekë në ditë të jenë subjekt TVSH-je. Sipas specialistëve dhe gazetarëve të shumtë një mase e tillë do të përkthehet në pasoja që rezultojnë në mbylljen e disa mijëra bizneseve të vogla, që do të kërkojnë mbështje sociale papunësie nga buxheti, monopolizim sektorial, rrezikim masiv të prodhimit vendor, që punon me cikël të mbyllur për tregun e brendshëm dhe favorizim i prodhimeve të importit. E gjitha kjo duke vërtetuar praktikat korruptive e për më tepër kriminale.

Në një vend si i yni ku pagat kanë rënë dhe kushtet e papunësisë vazhdojnë të jenë problematike fakte këto të publikuar nga banka botërore taksat në rritje janë të dhimbshme për çdo qytetar. Por përsëri efektet e tyre do të justifikoheshin nëse do të përdoreshin për qëllime të mira.

Edhe pse të ardhurat në buxhetin e shtetit rriten nga kjo mbledhje dhe shtrydhje e madhe e financave të popullit qe ndodh brutalisht përsëri institucionet dështojnë në cilësi ndër to spitalet ku së fundmi nuk lë dot pa përmëndur rastin e tre fëmijëve nga Puka të sëmurë me Pneumoni, të cilët nuk u trajtuan dot në spitalin vendas sepse shendetesia jonë është primitive, pa ilaçe, pa kushte dhe e pashpresë!

Fatkeqësia jonë është se nuk kemi një qeveri normale, kemi një qeveri pa drejtim që i ka çuar dhe Shqiptarët pa drejtim.

Shqiptarët ikin sepse shteti nuk ka politika që i mbështet qytetarët e tij, me politika nxitëse për punësimin, shëndetësinë që më shumë i sëmurë sesa i shëron, që nuk ka siguri për të ardhmen.

Hemoragjia e ikjes se shqiptarëve larg vendit tonë të bukur e me shumë potencial për zhvillim ekonomik shkaktohet nga papërgjegjshmëria e qeverisë.

Kjo qeveri që nuk mban përgjegjësi , nuk mund të gënjej dhe të tallet me qytetarët shqiptarë, duke thënë se ka punë, shëndetësi e 1001 gënjeshtra!

Ju jeni përgjegjës për Taksat e larta, për largimin e investimeve të huaja, për dështimin e hapjeve të reja të punës, për arsimin dhe reformën e dështuar,

për largimet masive të të rinjve dhe shqiptarëve nga vendi ynë.

Dhe nëse sukses ju quani stresin, depresionin, sëmundjen që i keni shpifur shoqërisë tonë të çoroditur nga mungesa e drejtimit tuaj, po të gjithë biem dakort që e keni realizuar 100% këtë plan tuajin të zi. I keni lënë njerëzit pa bukë, pa ndihmë ekonomike, pa ilaçe, pa spitale, pa punë, me rroga skandaloze dhe taksa që vetëm rriten !

Edhe për ato të famshmet 300.000 vende pune që gjasme do krijonit, ju sugjeroj të merrni guximin, të dilni para njerëzve e të pranoni që keni dështuar. Se jo vetëm që nuk i keni krijuar 300.000 vende pune, por me politikat tuaja pa drejtim keni çuar 300.000 shqiptarë pa drejtim në emigrim.

E keni shumë gabim kur mendoni se shpërfillja e halleve të qytetarëve e mos pranimi i gabimeve do ju bëjë më të fortë.

Asnjë, nuk është më i fortë se populli! Këtë do e mësoni, por nëse s’filloni që tani të pranoni gabimet edhe revolta popullore do jetë më e rëndë.

Ju faleminderit!

Burimi: (integrimi.al/T.I)

al}lsiLOGO_LRI_lgi
Selia Qëndrore

Rruga Sami Frashëri
Godina 20/10
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Kordinatorëve

Tel: +355 4 2270 412
Tel: +355 4 2270 413

Zyra e Sekretariatit

Tel: +355 4 2258 665

Zyra e Shtypit LSI

Tel: +355 4 225 758

info@lsi.al, www.lsi.al