Menjëherë sapo kalon doganën e Murriqanit në Shkodër, ndeshesh me një pamje tjetër.

Para se të shkosh në qendrën e vjetër antike, në Ulqin, një kthesë na dërgon drejt një destinacioni rrethuar nga bukuritë e natyrës, pikëmbërritja e së cilit e ka një emër, Besa!

Besa është një fshat i vogël në rrethin e Tivarit, i banuar 100% nga popullsi shqiptare.

Është fshati ku historia flet shqip, ku historia ka lënë gjurmë.

Tregues të një rezistence të fortë ndër vite, mbizotërues të luftërave të shumta që u bënë nga armiqtë për ta pushtuar, por nuk ia arritën dot qëllimit.

Sepse shqiptarët kanë treguar gjithmonë rezistencë.

Kanë treguar që së bashku mund t’ia dalin mbanë, vetëm të bashkuar!

Teksa merr udhëtimin për tek Besa, gjatë këtij rrugëtimi nuk mund të mos shohësh edhe bukuritë që natyra i ka falur, sigurisht edhe krahinat përreth kanë historinë e tyre, mbartin vlera të rëndësishme, por ajo që Besa ofron nuk është thjesht një peizazh natyror.

E ndodhur atje poshtë, rrëzë Liqenit të Shkodrës, Besa është vendi ku relaksi dhe qetësia kanë ngritur tendën.

Vendi ku ajri i pastër këndon rapsodi dhe ku vetë natyra e çiltër e jo narciste të fton në zemër të saj.

Banorët e fshatit janë me të vërtetë mikpritës. Një pjesë e tyre kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, pjesa më e madhe në SHBA, por vendlindjen kurrë nuk e kanë harruar.

Ata kthehen gjithmonë për ta vizituar dhe për t’i shtuar edhe më shumë buzëqeshjen. Për banorët e këtij vendi, vendlindja është përkrenarja më e rubintë që kudo shkojnë e mbajnë të kyçur krenarisht në dhomëzat e kujtimeve.

Ajo ç’ka të bën përshtypje në momentin e parë që futesh në këtë fshat është fakti që ti dukesh sikur je “on the top of the world” dhe teksa dalëngadalë zbret për ta vizituar kupton që je aty ku duhet të jesh.

Je në Shqipëri! Sepse çdo shtëpi, çdo ballkon ka simbolet e shqipes.

Me krenari bërtasin:

Unë jam shqiptar!”

Duhet vetëm një orë e gjysmë për të mbërritur në “Besa” nga dogana e Murriqanit.

Besa, si nga ana kulturore, ashtu edhe për nga vlerat e saj natyrore që disponon me anë të monumenteve të shumta që natyra ia ka falur ka çfarë të ofrojë për këdo që e viziton.

Ndiqni më poshtë reportazhin e realizuar nga gazetari Ardit Toca: