AJO QË DOJA TË THOJA…

Ka kaq shumë gjëra për tu ndrequr në këtë vend sa ndonjëherë ndihesh i frikësuar dhe ngurron tu kërkosh bashkëqytetarëve mbështetje. Ata janë kaq të mërzitur me politikën, sa edhe delja ju duket me gëzof ujku, të ndershmit ju duken qafirë, dhe mjaftohen me idenë se të gjithë njësoj janë. Ndaj vendi është zhytur në pesimizëm, kurse më e keqja ndodh përditë, ajo quhet braktisja e vendit.

Tashmë IKJA, duket partia më e madhe në vend, duke e lënë vendin të shkretë. Kjo gjë më sfidon, më bën më të motivuar në angazhimin tim politik, sepse partia ime është QËNDRESA, është rikthimi i shpresës, i ndryshimit, i rimëkëmbjes së ekonomisë dhe i frenimit të korrupsionit e krimit. Ndaj unë vazhdoj, e bashkë me mua dhjetra, e qindra të tjerë.

Kur i bën rreth 5 dekada mbi supe, të rëndon sedra e përgjegjësia, më shumë se ambicjet, interesat apo dëshira për vetëaktualizim. Ajo që doja të thoja është se sheh përtej numrave, lekëve, rehatisë dhe ofiqeve, sheh edhe atje ku ata që të mbështesin duan që të jesh. Të duhet ti bindësh se ajo që vlen është për të mirën e vendit, të qytetarëve. Tashmë që kemi prekur fundin nga regjimi mavi i rilindasve të pangopur, e ke të lehtë të shpjegosh të keqen, por e ke të vështirë ti bësh të besojnë se ti je në anën e së mirës.

Ndaj ne na duhet të mblidhemi rreth vlerave, të luftojmë fort për to, pa harruar se ato na kanë bashkuar në një projekt politik, i cili nuk ka qenë i përsosur, por si çdo risi që trondit tradicionalen, ka mundur me mjat vështirësi të mbijetojë dhe të rritet. Ne shqiptarëve do tu shtrijmë dorën për mbështetje, për atë çka jemi dhe për atë që përfaqësojmë, për vizionin që kemi dhe për vlerat që mbartim. Ne nuk jemi balta që na hedhin, por ata që sakrifikojnë për ato që besojnë.

Ajo që doja të thoja është se ne jemi shqiptarë, jemi lsi-stë! Juve ju takon të vendosni se ku doni ta çoni këtë vend, me votën tuaj në zgjedhjet që nuk janë larg. Ne e kemi të qartë se çfarë duhet ndryshuar për ju, për ne, për ata, për të gjithë!