Nga Gentian Çala

ARROGANCA E VESHUR ME PELERINË

Arroganca mund të veshë çfarë të dojë, ajo mund ti pëlqejë disave, kurse disa të tjerëve mund tu ndjellë krupën, por së fundi ka qëlluar e veshur me pelerinë dhe ecën qyteteve tona, del nëpër media, drejton Këshillin e Ministrave dhe Komitetin e Rindërtimit, takon qytetarë dhe bën propagandë. Madje gjen kohë të bëjë edhe politikë, të fusë ligje që i mbyllin gojën mediave, ose të heqë ndonjë procedurë betimi presidenciale. Gjen kohë të qajë, të qeshë, të na përdorë, të na verë në lojë dhe madje disa edhe ti shajë. Gjen kohë të mbledhë fonde duke lexuar pjesë nga librat e shenjtë, ndërsa dje ka ecur mbi sixhaden e faljes. Arroganca ka emër dhe duket e mishëruar te figura e Edi Ramës, disa e quajnë aktor, disa provokator, disa politikan pa skrupuj, por unë mendoj se ka nga pak prej të gjithave.

Ai ka gjetur kohë për të gjitha, kurse ne (jo të gjithë) kemi shumë kohë për të heshtur, ne po pranojmë që arroganca të vërtitet rreth nesh, të vendosë për ne, për paratë publike, për sigurinë tonë, të bëjë si të dojë. Nuk po reagojmë dhe ai vazhdon të gëzojë pushtetin, pushtetin që tenton ta zgjerojë përditë. Dikush po i thotë me naivitet: “rrnofsh sa malet”, dikush tjetër: “s’ma kishte marr mendja që kam me të taku ty”, e kjo duket se është shumë e rëndë, Ai mezi priste këtë ditë. Kjo ishte dita e adhurimit të arrogancës me pelerinë, gjë që mua më duket trishtimi më i madh, kurse pajtimi me të keqen një sëmundje e rëndë. Ndaj ai vazhdon dhe vërtitet rreth nesh, sepse zërat kundër janë pak, kurse populli i mbytur në mjerim hesht. Hesht ose ikën.

Kryeministri ynë me pelerinë, ngjan si njeriu me kosë që vjen rrotull për të marrë me vete shpirtrat. Ai duket ndjellakeq dhe midis varfërisë të njerëzve të mbetur pa strehë, duket si shpëtimtar, për të shpëtuar atë që njerëzit kanë humbur. Njerëzit presin të shpëtohen nga e keqja, nga arroganca me pelerinë dhe pushtet, nga ai që nuk ka bërë asgjë që ata ti besojnë, por ata nuk kanë kujt tjetër. Nënshtrimi ndaj së keqes, ka marrë formën e adhurimit për të. Arroganca me pelerinë e di mirë këtë dhe shijon shfaqjen me kamerat që e ndjekin ngado, ai nuk kursen asgjë nga shfaqja dhe kur dikush i del kundër, fillon e kruan kokën dhe zbraz arsenalin e sharjeve, të atyre që ai di aq mirë ti thurë, aq sa ka krijuar fansat e tij për këtë gjë.

Arroganca me pelerinë, në fakt po shijon periudhën e fundit të pushtetit, sepse kur është boll, është boll. Ai e di këtë, por i duket se do të jetë gjithmonë, i duket se ata që e adhurojnë e bëjnë nga dëshira këtë gjë dhe jo nga halli. Ai e ka humbur mundësinë për të qenë i ndjeshëm dhe i arsyeshëm, sepse nuk e le arroganca e tij, ndaj mos prisni të jetë ndryshe kësaj here. Tragjedia është thjesht një mundësi për zgjatjen e pushtetit të tij. Vetëm kaq. Të gjitha fjalët e tjera janë në funksion të saj. Ndaj mos prisni shumë, se zhgënjimi është pranë. Unë nuk e dua dështimin e rindërtimit të strehave, nuk bëj as rolin e atij që i uron dështimin KM të vendit të tij, por nuk mundem të them ndryshe nga ajo që mendoj dhe ndjej. Ndaj bashkoni zërat dhe reagoni, që arroganca të mbyllet në pelerinën e tij, të rrudhet dhe të lerë pushtetin e tij për ti dhënë mundësi rindërtimit tuaj.