Nga Gentian Çala

Në Kosovë ka një shprehje kur duan të thonë se sa poshtë ke rënë, të thonë se “ke shku n’fund t’pusit”. E drejtë, duket se po prekim fundin, në shumë aspekte dhe kjo për disa prej tyre është për të vënë kujën.

Kushdo që mund të më thoshte se kemi ekonomi të stabilizuar në aspektin makroekonomik, do ti nxirrja vetëm disa elementë për ta kuptuar që nuk është kështu dhe se rreziqet janë shtuar. Së pari, ekziston rreziku i mbledhjes gjithmonë e më pak të të ardhurave jo vetëm për shkak informalitetit, por për shkak të ikjes masive të popullsisë. Dikush mund të thotë që do të ketë më shumë remitanca, por kjo mbetet për tu parë pasi ato kanë ardhur duke u pakësuar. Një rrezik i madh vjen nga shtimi i borxhit publik dhe PPP-të jo të studiuara në disa sektorë. Fatura mund të jetë e madhe dhe paralajmërimin e kanë marrë nga disa institucione ndërkombëtare. A mund të kemi paaftësi për të plotësuar nevojat e buxhetit? Ka skenar pesimist qē flasin edhe për këtë.

Së dyti, sistemi i edukimit është në krizë, korrupsioni masiv në arsimin e lartë dhe zero strategji për daljen nga kjo situatë. Sërisht këtë nuk e them unë, por sondazhet dhe vlerësimet e institucioneve të huaja që operojnë në Shqipëri. Një lek i inestuar në këtë sistem përkthehet në disa lekë të ardhura në periudhën afatmesme ose afatgjatë. Ikja e trurit nënkupton përkeqësimin e sistemit dhe rreziqe më të larta.

Së treti, përkeqësimi i disa parametrave apo principeve të demokracisë si ndarja e pushteteve, drejtësia, sistemi zgjedhor dhe zgjedhjet e lira, qeverisja transparente dhe mediat e lira. Të gjitha këto kanë bërë që raporti i disa treguesve të jetë ose vendnumëro ose në përkeqësim. Në ato raste kur ka pasur përmirësim ai ka qenë jo sinjifikant. Thelbësore janë zgjedhjet e lira, të cilat në vitin 2017 llogariteshin nga institucionet ndërkombëtare që kanë pasur rreth 20% të votës së tjetërsuar në mënyra të ndryshme (blerje, shantazhim, etj.). Raporti me qytetarët dhe të drejtën e tyre në raport me qeverinë njeh përkeqësim dhe përballjet e grupeve të ndryshme të interesit me qeverinë po vijnë duke u bërë më intensive.

Qeverisja është katandisur nga njëra anë e papërgjegjshme dhe në anën tjetër të medaljes klienteliste: me biznesmenë të fuqishëm (oligarkë), tenderxhinj, punëmbarues, segmente që operojnë në rrugë të paligjshme, etj. Ajo madje me arrogancë vendos për gjithçka edhe kur kundërshtia është haptas dhe ballore. Institucionet ligjzbatuese përdoren si mos më keq në funksion të vendimmarrjes qeveritare. Qeverisja nuk është autonome, por e marrë peng, nga pazari vota në këmbim të favoreve, ku bashkëpunëtorët vijnë edhe nga nëntoka e krimit.

Kësaj i thonë fund i pusit, i pusit që ata e gërmuan me dyart e tyre, me pangopësinë e tyre dhe me modelin e tyre të Rilindjes që tashmë u ka dalë zhveshur shqiptarëve para syve. Më keq se kaq nuk mund të ishte, por më mirë ka mundësi të bëhet.
Duhet filluar nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme!